Letërsia Shqiptare

E qara e një fëmije
E merkure, 16-04-2008, 08:49am (GMT)

E qara e një fëmije
thyen heshtjen e natës
e qara e asaj fëmije
që nesër do te jete i rritur
i kësaj bote

Ka uri , ka etje
diçka ndoshta i dhëmb
por më shume ka frikë
të rritet në këtë botë

Dhe unë e dëgjoj me vëmëndje
kjo e qarë diçka ndryshe me thotë
kam qarë dhe unë kështu
në kohë te largëta
në kohë antike
kështu kam qarë

Më thotë :
jam dhe unë një qënie njerëzore
e vogël
kam nevojë për përkëdheli
për dashuri kam nevojë
por pas derës së të rriturve
se ç’më pret nuk e di

Ndjej më shumë urrejtje
se dashuri
në ajrin e ngrirë të natës

Hëna është e bukur
por drita e saj është e ftohtë
dielli i ngrohtë gjatë ditës
zemrën time nuk mundi ta ngrohë
kam nevoje për një përkëdheli
kam nevojë për dashuri

Jam një qënie njerëzore
e vogël
lindur ne bote njerëzish
që prej njerëzores
shumë pak ka mbetur
janë të gjithë të aftë për të dashuruar
por më shumë për të urryer

Qaj këte natë
është ndoshta e fundit e fëmijërisë
nesër do më duhet të hy
në atë botë të rriturish
e kam shumë frikë

Qaj këtë natë
atë të mirë që bashkë me mua
është lindur
ndoshta këtu duhet ta lë
për të hyrë atje
ku janë vetëm të rritur…



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.