Letërsia Shqiptare

Në agim…
E shtune, 19-04-2008, 10:03pm (GMT)

Lodërzat e hije dritës
zhduken me ngadalë
qielli fillon e hapet
pak e nga pak
teksa agimi zbret
mbi sytë e zemrat njerëzore
e më zgjon , më josh
me tone dritash
e ngjyrash gazmore

Eshtë madhështore
është e mrekullueshme
dita që po lind
si ç'do ditë tjetër
e ne nuk e shohim
me probleme e punë ngarkuar
bëjmë sikur nuk e dimë
bëjmë sikur e kemi harruar…

Tek zgjohem
e një rreze dielli
më përshëndet
mbase edhe ndonjë pike shi
a ndoshta një fortunë
shkund blirin përkarshi
thellë në shpirt
më lind e vjetra dëshirë
lindur dhe e vdekur përditë
mbytur në të përditëshmen
dua ta jetoj këtë ditë
siç e meriton të jetë e jetuar
të mos tërheq pas vetes
gabimet e së djeshmes
zemra të mos më dridhet
nga frika për të nesërmen…

… Për të rifilluar
të jetoj
çdo ditë siç e meriton
për t'u jetuar …


Imperia 19 prill 2008



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.