Letërsia Shqiptare

Dhe femijët rriten një ditë
E diel, 27-04-2008, 07:36pm (GMT)

...  dhe fëmijët u rritën…

Dhe ja vjen një ditë dhe femijët më të mirë të botës u rritën.Nuk janë
më të vegjël e të lezetshëm por janë të mëdhenj e të bukur .Tashmë nuk
jam unë që i shoh ata nga lart por janë ata pasi unë kam mbetur më e
shkurtëra e shtëpisë.Kanë ndryshuar shumë si në pamje dhe në të
sjellur . Vajza është më e bukura e botës dhe djali më i mrekullueshmi
.Ndersa unë jam bërë nëna dhe gruaja me zevzeke e botës që meqë nuk
kam se me çfarë ta kaloj kohën u çaj veshët pjesës tjetër të familjes
orë e minut .Dhe kështu kalojnë ditët në shtëpinë tonë herë të
zhurmëshme e herë relativisht të qeta por ju siguroj as edhe një ditë
nuk është e merzitëshme.Shto këtu edhe qenin  që është një lloj
perzierjesh rracash por që është qeni më simpatik në botë.Të shkruash
për të gjitha këto nuk është e lehtë sepse para së gjithash nuk din
nga t'ja fillosh, me besoni .

… vajza…

Po e filloj me vajzën  , i takon , pasi e ka parë dritën e
diellit para të vëllait. Ka ikur ajo kohe kur vajzat të merrnin leje
për gjithshka  e mbi të gjitha për të dalë . Tani dëgjon nje
mirupafshim dhe që të marrësh vesh se kur ka ndërmënd të kthehet duhet
ta gjëmosh nëpër shkallë.Nuk e di se kur studjon pasi tërë ditën ose
është jashtë ose në kompjuter por po ta pyesësh , ka studjuar. Problem
është kur  vjen fundi i semestrit dhe bie notat në shtëpi . Atëhere
nuk merret vesh kush bërtet më shumë ,  unë apo ajo.Une sepse nuk më
pëlqejnë notat dhe ajo që ankohet se unë nuk kenaqem kurrë.Një ditë
dhe burri më i mirë i botës u kujtua t'i bertiste vajzës për notat ,
dhe kjo për arësye se unë po i bertisja aq shumë e aq gjatë sa nuk e
lija të shikonte televizor rehat. Reagimi i vajzës ishte i habitshëm ,
nuk i ktheu përgjigje siç bën me mua  , pa thënë asnjë fjalë hyri në
dhomën e vet.Ai vazhdonte ta qortonte dhe unë e lodhur nga gjithë kjo
vajta në kuzhinë ku fillova të gatuaja e u dystova aty. Diku vajza u
duk tek dera e kuzhinës , më tha mirupafshim e doli.Burri vazhdonte
qortimet e tij e unë mendova se e kish  me djalin që ndodhej në dhomën
e tij .Më falni por duhet të sqaroj një gjë, në shtëpinë tonë mbyllet
vetëm dera e jashtme ,të tjerat rrinë hapur pasi qeni më lozonjar i
botës nuk i duron dot të mbyllura , fillon ti gervishte, ngrihet në dy
këmbët e pasme dhe qëllon që edhe i hap me putrat e përparëshme dhe
kur nuk i hap dot fillon e leh aq shumë saqë çmend tërë pallatin dhe
ti detyrohesh të ngrihesh  dhe t'i hapësh derën . E kjo që të mos
detyrohesh tu përgjigjesh komshinjve , që nuk e zgjasin por të zënë
derën duke të qërtuar pasi kanë dëgjuar që  keqtrajtojmë qenin.Keshtu
që burri sipas meje po qortonte djalin dhe unë pasi e durova per nja
gjysem ore dola të marr vesh se ç'kish bërë i miri i mamit që të
meritonte një gjë të tillë. Shoh se djali po luante qetë qetë në
kompjuter  ndërsa nga ana tjetër burri po vazhdonte të fliste . Siç
duket e kish zbrazur tërë thesin e kish mbërritur ne finale ku e
ngriti zërin me shumë :
                 - Sot ti nuk do të dalësh !
Unë u rrotullova në korridor për të marrë vesh se me kë e kishte .
                  - Kujt i thua ? – e pyeta e merakosur të them të
drejtën sepse më është mbushur mendja se është një fantazmë që sillet
rrotull në  shtëpinë time .Burri tallet me mua sa herë që unë e zej me
gojë por sic duket thash me vete  paska hyrë në kontakt me të.
               - Asaj , tët bije po i them!.

             -Ashtu? Ime bijë ka gjysëm ore që ka dalë more burrë, e
une kujtova se e kishe me tët bir …

Nuk kam fjale për të përshkruar shprehjen e fytyrës së tij të habitur…

... djali ....

Nuk kam folur akoma për djalin. Djalin tim nuk ma ka kush, është shumë
i bukur, aq i bukur sa të gjitha vajzat kthejnë kokën për ta parë kur
kalon rrugës. Eshtë pak egoist… po nuk prish punë. Më gjeni ju një
burrë që nuk është sado pak egoist. Sa për mua është shumë i mire dhe
jashtëzakonisht i ëmbël. Nuk e di se si ma prish mëndjen përherë ,çdo
gjë që kërkon arrin ta marrë me të mirë , jo si vajza që për të
arritur atë që don bën sherr. Ndërsa goja e tij që ju bëftë kurban
mamaja ,thotë gjithnjë : mirë, mos u bëj merak, e bëj unë… Dhe unë
pres të bëjë diçka nga ato që ka premtuar si psh ndonjë pazar, të
nxjerrë qenin jashtë apo ndonjë punë tjetër në shtëpi. Megjithëse m'u
ka mbushur mëndja se të presesh nga ai  është njësoj si ajo fjala e
urtë që thotë : prit gomar të mbijë bar… por unë nuk e kam humbur
shpresën akoma.Kjo sepse ai është aq i sjellshëm që sa herë që unë
nisem për punë më përcjell tek dera, më bën ndonjë ledhe etj etj kush
është nënë si unë e nuk më kupton sa të dobëta jemi me djemtë. Dhomën
e tij e rregulloj pa bërë fjalë , ndërsa të vajzës… mbyll derën e saj
sa herë i kaloj përpara e sa herë e hap qeni. Kur kthehet djali nga
shkolla , dhe rrallë të vijë vetëm pasi do të ketë ndonjë shok me vete
, hanë drekë, i lenë pjatat mbi tryezë e mbyllen në dhomën e tij për
të luajtur me kompjuter. Për të mësuar thotë gjithnjë se ka mësuar e
të mos bëhem merak. … Dhe unë nuk bëhem merak. Nuk don të mësojë, le
të mos mësojë. Don të mbetet i paditur e  injorant. Mirë, vetë e ka
vendosur. Por nganjëhere më hipin xhindet e filloj e i bërtas me sa zë
kam në kokë, aq sa tmerroj dhe komshinjtë. Dhe kjo vetëm për punë të
shkollës.
           - Budalla ! – guxova dhe i thashë një ditë.
Ai filloi të qeshte.
           - Shiko si qesh si budalla – i them përsëri gjithë inat.
           - Mami, ku ta gjej të jem budalla , do të merrem me politikë.
           - Apo nuk ke mend per politikë ti, degjo kush po flet! – ja
kthej unë e nevrikosur.
           - Budallallëku nuk është handikap ne politikë , kështu ka
thënë Napoleon Bonaparti.
            - Aaaa- unë mbeta me gojë hapur – çfarë do të thotë kjo ?
            - Do të thotë se budallenjtë mund të merren kollaj me politikë.
I ktheva krahët e shkova në kuzhinë. Tek po piqesha sipër sobës duke
gatuar darkën fillova të mendoj … e ç'të mendoja unë e shkreta kur nuk
kisha kuptuar asgjë nga ajo që kish thene Bonaparti... Por megjithëse
nuk doja ta pranoja me veten time po i jepja një lloj të drejte. A nuk
na duken nganjëherë… apo shumë herë si mbledhje budallenjsh ato të
parlamentit… Atë natë e pashë në ëndërr tek këpuste kumbulla në
parlament…

….kam marrë një qen…

Më në fund kam marrë  një qen. Atë ditë që shkova për ta
marrë mezi pritnin që të vinte qeni në shtëpi dhe me siguri që pritnin
ndonjë qen të madh sa ai që desha të merrja një ditë në kanile  por
burri nuk më la , mos më tha , se qeni ndonjë dite do t'i mbushet
mendja të urinojë në korridor , do të lajë edhe shkallët e
pallatit.Kështu që e ndava mendjen të merrja një këlysh të vogël të
një qenusheje rrace që nuk rritet shumë . Por nuk më thanë që nuk ja
njihnin babanë. Sic duket e ëma kish dalë e kish dëfryer pa patur
pretendime për rracën e baballarëve të këlyshëve të saj. Kështu që kur
shkuam ta merrnim  konia akoma i ushqente me gji dhe ne asistuam në
një nga  këto seanca të mahnitur nga këlyshët e vegjël e të bukur.
Ishin pesë , njëri më i bukur se tjetri dhe nuk dinim se cilin të
zgjidhnim. Kishim vetem një pretendim , të ishte mashkull por edhe
këtu nuk vendosnim dot , ishin tre. Si përfundim zgjodhëm më
ngordhalaqin, atë që kur arriti tek nëna për të pire , të tjerët ishin
ngopur dhe konia lozonjare ish mërzitur së bëri  nënën shembullore ,u
çua e u largua pa ja varur fare . Ky gjest i saj më bëri nervoz dhe
unë vendosa të merrja pikërisht atë këlysh të mjerë e të uritur.Më
vonë do të pendohesha por për momentin isha e lumtur me atë që ngjante
më shumë me një këlysh miu apo maceje, aq i vogël ish, i zi me një
fashë të bardhë në qafë, sot që është rritur kur ngrihet në dy këmbët
e pasme duket një zezak i veshur me frak të zi e me këmishë e papijon
të bardhë.E mblodha në një shall të madh e të leshtë që e kisha marrë
me vete dhe e çova në shtëpi. Kur degjuan të hapej dera dy fëmijët e
dashur u sulën për ta parë , hapën sytë por mezi e dalluan atë topth
leshi të zi ,e të zhgënjyer bënë të dy prapakthehu , secili në dhomat
e veta dhe nuk ja varën më fare. Kështu që mua , meqë nuk më dilnin
tërë punët që kisha si grua që punoj, me një familje me burrë e me dy
fëmijë m'u shtua edhe qeni.Mirë të më bëhej.

…qeni më ka qëlluar anoreksik…

Shpejt mu mbush mendja se nuk ishte faji i kones , pasi edhe me
dëshirën për të qenë konja më e mirë e botës, qeni ynë nuk kishte
aspak dëshirë për të ngrënë, ose më mirë shijet e tij ishin shumë të
çuditëshme.Nuk e kam parë as edhe një herë të hajë tamam si gjithë
qentë e tjerë të botës me oreks, qeni im është anoreksik dhe kur
ndonjëherë han pak më shumë se herët e tjera vjell, pra ka qëlluar
edhe bulimik. Por ajo që më bëri më shumë çudi ishte se atij i
pelqejnë shumë ilaçet. Nuk e di se si po po t'i bjerë ndënë putra
ndonjë pako ilaçesh është i zoti ta hapë me dhëmbë dhe t'i hajë të
gjitha.Nuk e di se pse në kutitë e ilaçeve është shënuar vetëm që
duhen mbajtur larg fëmijëve , duhet të shtojnë që të mbahen medoemos
edhe larg qenve. Nuk kish mbushur akoma një muaj jetë kur i bjen ndër
dhëmbë një pako ilaçesh per dhëmbje koke të tim shoqi. Dymbëdhjetë
kokrra. Kërkuam gjithandej ndënë komodina, ndënë shtrat e ku nuk
kërkuam ,gjetëm vetëm kutinë te copëlyer ne mënyrë të cuditëshme dhe
ndërkohë që po vritnim mendjen se c'kish ndodhur përgjigjen na e dha
qeni më lozonjar i botës që filloi të vjellat të cilat zgjaten për jo
më pak se dymbëdhjetë orë dhe që mua mu desh ti pastroja pasi askush
në shtëpinë time nuk kish stomak aq të fortë sa t'i duronte as edhe
t'i shihte e jo më t'i pastronte.Dhe nuk mjaftoi kjo por atë natë mu
desh ta merrja në shtrat pasi i shkreti kuiste ne një mënyrë të atillë
që të vinte keq dhe pasi ndenja me të tërë natën zgjuar duke e
përkëdhelur si fëmijë , atij nuk e di sepse ju mbush mendja se unë jam
nëna e tij dhe duhet të përkudesem për të për gjithë jetën.Që nga ajo
natë ai fle në shtratin tim…

Të stërvitësh qenin apo….

          Kush e ka hëngër atë kokërr ulliri që të marrë një qen në
shtëpi duhet t'i beje mirë llogaritë. Nuk është lodër, nuk është vetëm
një kafshë e aq e mbi të gjitha nuk është njeri.Por fakti që nuk është
njeri nuk do të thotë se nuk kupton, përkundrazi kupton shume.
Problemi është se ose duhet të mesohet qeni të jetojë në shtëpi ose
duhet të mësohemi ne të jetojmë me qenin. Në rastin tim i përkas kësaj
të dytës.
         Del në rrugë, apo shkon në plazh dhe sheh plot njerëz të
tjerë që dalin me qentë e tyre , shëtisin e lozin. Dikush i hedh një
cope dru a një top të vogël e qeni shkon e kap me vrap e pastaj
kthehet me të në gojë, ja vendos padronit pranë këmbëve e tund bishtin
i gëzuar duke e pare të zotin në dritë të syrit e pret një "bravo" e
rend përsëri pas topit kur ja hedhin larg. Marr unë dhe provoj me
timin. Sapo i kam blerë një topth të bukur. Ja hedh e i them "kape".
Qeni im rend e kap e unë e pres të ma bjerë por ai e shtërngon fort
ndër dhëmbë e ikën tutje duke ndaluar herë pas here për të më parë
nese unë e ndjek apo jo.Dreq o punë them me vete, dhe kjo më gjeti ,
duhet të gjëmoj qenin tani. Dhe nuk kam nga t'ja mbaj, e ndjek pas
duke injoruar shikimet e të qeshurat e padronëve të qenërve të tjerë.
Pasi dola nja dy a tri herë për këtë punë e lashë fare.Nuk e mora më
topin me vete. Qen budalla mendova unë, jo inteligjent më tha dikush ,
por unë brenda vehtes nuk jam dhe aq e bindur. Qeni im ose është pak
inteligjent ose shumë më inteligjent se qentë e tjerë. Ose nuk i hyn
në tru ajo që dua t'i mesoj unë, ose… dhe kam frikë se është kështu,
don të më mësojë mua të bëj ashtu siç don ai.
          Por e keqja më e madhe është se nuk po mundem dot ta mësoj
të hajë ushqimin e qenve. Pasi hodha në kosh kuti të tëra me biskota e
ushqim qensh që i bleva e nuk është se nuk kushtuan, mu mbush mendja
se qeni im han çdo lloj ushqimi, mjaft mos të jetë ushqim për qentë.
       Faji është yti, më tha një ditë nje kolege e punës, vëri
ushqimin në tas e mos i jep gjë tjetër derisa ta hajë.Dhe unë bëra siç
më tha ajo.Qeni afrohej tek tasi i tij e kthente kokën nga ana tjetër
. Pas dy ditësh nuk kish më fuqi as të shkonte deri tek tasi. E mora
dhe ja vura poshtë hundës me shpresë se tani do të dorëzohej.Por ai
përsëri ktheu kokën nga ana tjetër me një shprehje sikur donte të më
thonte "haje vete" . Kështu që ditën e tretë u dorëzova unë, i dhashë
të hante atë që donte dhe as që e çoj më nëpër mënd t'i ndryshoj
menunë.
         Don apo nuk don ndryshon dhe sjelljen tënde. Nuk mund të
dalësh nëse nuk e merr me vehte. Provoje, lëre në shtëpi , më tha ime
ëmë që u bezdis nga vizitat e mia me qenin. E provova por ç'më gjeti.
Të gjithë jastëkët e divaneve mi kish urinuar… C'ti bëja ta rrihja, e
meritonte. E thirra dhe i bërtita duke i treguar jastëkët. Më hungëriu
dhe kur unë ju afrova më tregoi dhëmbët e më futi frikën. Edhe kjo më
duhet, thashë, të haj ndonjë serum tetanozi e tërbimi. E në vend që të
largohej qeni me bisht ndër këmbë u largova unë , e po të kisha bisht
me siguri do ta kisha ndër këmbë.
           Qeni im është i urtë, nuk para leh gjatë ditës. Nuk është i
bezdisshëm për komshinjtë. Por sapo dikush i bie ziles ai vjen e të
leh në turi aq sa i han zëri . Në fillim mendova se si qen që është
ruan me xhelozi shtëpinë e tij, të paktën një funksion e kryen . Por
shpejt u binda se nuk ishte kjo. Ai leh për të të thënë hape shpejt
derën.Ai vdes nga dëshira që të vijnë mysafirë, hidhet e kërcen e ju
ngatërrohet nëpër këmbë e kërkon ta ledhatojnë me ç'do kusht. Në atë
moment , ne të zotët e tij nuk ekzistojmë, jemi kot, nuk na llogarit
fare, e provoje ta nxjerrësh nga dhoma nëse nuk të ngul nja dy nga
dhëmbët e tij të mprehtë e t'i gjëmosh urgjencës.
         Une nuk kam qenë e shtërnguar as me fëmijët e mij, i kam lënë
të lirë. Ata kanë bërë ç'kanë dashur në shtëpi që kur kanë qenë të
vegjël, pasojat e kësaj i paguanin orenditë. Tani që fëmijët janë
rritur ka filluar… qeni. Nuk ka mbetur mobilje të mos ruajë shenjat e
dhëmbëve të tij, tapet që të mos jete pak i shthurrur, lule në
dysheme, vazot i kam ngritur mbi mobilje deri edhe sipër dollapit të
rrobave.
      Seç ka ca ditë që poshtë pallatit rrotullohet një kone e vogël.
Qeni im del në ballkon e veç ta dëgjosh kuisjen e tij, për të ardhur
keq. I them tim shoqi kur doli per te blerë gazetën, nxirre e leje të
lirë.Të them të drejtën kisha një lloj shprese të vakët se dikush mund
të m'a vidhte. U tha u bë. Qeni im zbavitej me qenushen per orë të
tëra e pastaj kthehej. Meqë i shkreti nuk mund t'i bijë vetë ziles
priste që ndonjë nga komshinjtë të hynte ose të dilte e keshtu
shfrytëzonte rastin për të hyrë në shkallë . Mirëpo në shkallë kanë
vënë një letër sa një çarçaf se nuk lejohen qentë aty. Unë që ja kisha
ndier lezetin të dalurës se qenit më shumë se ai, ja jipja burrit që
me mëngjes kur dilte për punë. Si për dreq isha dhe vete me leje atë
javë, domethënë se isha në shtëpi. Qeni nëpër shkallë bezdisi
komshinjtë , jo se u bëri gjë, por ata i bezdiste fakti që nuk duhej
të rrinte aty, pasi kështu e kish dhe rregullorja. C'më gjeti , tri
ditë rrjesht , komshija që banon sipër meje i binte ziles sime duke më
thënë se qeni im ishte nëpër shkallë. Unë e shkreta mundohesha të
justifikohesha se e kish nxjerrë burri jashtë e siç dukej i kish
shpëtuar. Por ditën e tretë kjo nuk më piu ujë. Komshija më tha se po
ta shihte ditë tjetër do të lajmëronte administratorin e pallatit. I
thashë burrit të mos e merrte më se do të na hapte telashe por ai nuk
më dëgjoi. Kështu që të nesërmen komshija e përpiktë në të njëjtën orë
i ra ziles e zemëruar.Me të shkuar në shtëpi, më tha ajo do t'i
telefonoj administratorit. Si të duash , ja kthej unë, nuk di ç'të të
them. Qeni doli me burrin, ai më tha se do të blinte cigare e do të
kthehej. Ka tri orë që ka ikur , qeni u kthye e ai jo. Nuk e di as se
ku ndodhet. Fytyra e saj ndryshoi pamje, nga e zemëruar filloi e  u
zbut ngadalë deri sa mori një pamje keqardhjeje të dhimbshme. U ngjit
nëpër shkallë pa m'i ndarë sytë , e dëgjova të pëshpëriste me vete
diçka si "e shkreta". Që nga ajo ditë ajo nuk më bezdisi më, por
pëshpërimat e komshijeve nëpër shkallë, e buzëqeshjet e tyre përzier
me mëshirë tek më shohin më japin të kuptoj se më qajnë hallin për ato
që më punon burri.Nuk është qeni ai që ruajnë ato tani, ruajnë… tim shoq. Më shkoi
mirë pasi burri i dashur nuk e di akoma këtë punë se ndryshe…  



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.