Letërsia Shqiptare

Semafori
E diel, 04-05-2008, 06:21pm (GMT)

Semafori . C'do të ishte një qytet pa semaforë. Le pastaj
kur ka lëvizje të madhe. Qyteti ku banoj nuk është se ka shumë , nja
tre a katër , e unë që nuk kam patentë më hipin nervat kur ndizet ajo
drita e kuqe e ti ke ngut apo jo ,burri i dashur duhet të ndalë
makinën aty e të presë jeshilen.. Le pastaj kur je më këmbë a thua se
tërë makinat kanë të drejtë të kalojnë e ty jo vetëm të ka rënë fati i
keq të mos jesh e zonja të marrësh një copë patentë por je dhe e
diskriminuar nga ata që e kanë. Megjithatë janë të domosdoshëm për te
rregulluar qarkullimin e mjeteve , këtë e pranon llogjika ime
teorikisht. Kam dëgjuar se tek semafori seç dalin ca nga ato femra me
minifunde por unë të them të drejtën nuk kam hasur te tilla, ndoshta
sepse nuk dal shumë natën. Megjithatë më ndodhi diçka që ma fiksoi
këtë mendim.
Vitin e kaluar shkova në Durrës. Nuk e di se si i bjen Zoti
punët, në më don shumë apo jo , po m'i sjell në atë mënyrë që unë sa
here iki në Durrës, edhe se herën e fundit kisha pesë vjet pa shkuar ,
më çon përherë vetëm e familja ime mbetet këtu. Ndoshta se i vjen keq
që lodhem shumë e ma bën këtë favor. Shoqet e mia kanë tjetër mendim
, ato më thonë se nuk eshte Zoti por jam unë që i bie punët kështu,
sidomos një kushërira ime që e ka burrin xheloz e nuk e len të
udhëtojë vetëm ngul këmbë që është kështu. Me thënë të drejtën nuk iki
kurrë nga qejfi, ose punë pasaporte ose punë dentisti , por gjysma e
së keqes , ka edhe më keq e më keq mos na pafshin sytë. Kështu vitin
e kaluar në mes të majit isha në Durrës. Biletën e kisha marrë vajtje
ardhje në një ofertë që pata parë në internet për dy javë. Dhëmbët , e
dini , janë shumë të rëndësishëm e unë i kam shumë delikatë. Por për
fat të mirë nga njëra anë, me dentistin mbarova punë për tri ditë e
për fat të keq nga ana tjetër duhej të prisja edhe njëmbëdhjetë ditë.
Marr në telefon familjen e dashur, si t'ja bëja, të paguaja atë
shtesën e biletës e të kthehesha apo… Ata e pleqëruan me njëri tjetrin
e siç dukej po u pëlqente të rrinin ca kohë pa mua, e merrni vesh vetë
, një më pak që të çan veshët e si përfundim burri i dashur më thotë :
Rri o grua e bëji pushim ato ditë rehat atje se ta ka bërë Zoti rrisk.
Ashtu , mendova unë që prisja se do të më thoshte se nuk rrinte dot
asnjë minutë pa mua, ashtu do ta bëj. Në fillim nuk dija se ku do t'i
kaloja ato ditë. Fillova me vizitat nëpër plakat e fisit. Gjynah,
thashë kur të vij rradhën tjetër nuk e di në i gjej apo jo. Pastaj tek
kushërirat e mija e më pas tek shoqet. Koha u ngroh e u bë për plazh.
- Do të vish në plazh nesër ? – më telefonon një shoqja ime
e ngushtë .
- Vij , - i them unë.
- Na prit rreth orës dhjete tek kryqëzimi e të marrim kur
të kalojme andej.
Të nesërmen që ishte e diel u zgjova, i futa një dush , u mora me ca
punë të vogla e nuk e mora vesh se si iku koha e ora dhjetë po më
gjente në shtëpi. Mora rrobat e banjës e i futa në çantë e dola me
vrap. Për dy minuta isha tek kryqëzimi. Megjithëse isha me pantallona
të shkurtëra, them të shkurtëra deri pak mbi gju, e me bluzë si
kanatjere, nga vrapi më kish hyrë vapa e mezi u mbushja me frymë. U
pështeta pas shtyllës së semaforit e qëndrova aty duke pritur makinën
e burrit të shoqes sime. Pas pak makinat ndaluan e prisnin të hapej
jeshilja sigurisht. Unë i shikoja me nge tërë ata njerëz në timon se
mos shquaja diku shoqen time me burrin e pashë me habi se gati të
gjithë më përshëndesnin. Dreq o punë , thashë me vete, kështu është
kur zhdukesh një shekull nga vendi yt , nuk mban mend më as fytyrat e
njerëzve, nuk i njeh më. Për njerëzi dikujt i ktheva përshëndetjen.
Semafori u hap e makinat u larguan e pas tyre kalonin të tjera e unë
gjithnjë me sytë ngulur në xhamat e tyre. Pastaj ndaluan prapë. E
prapë njerëz që më përshëndesnin , dikush buzëgaz e dikush me të
qeshur. Dikush ma bëri me shenjë të afrohesha e unë mendova se ishte
një ish kolegu im zbrita nga trotuari e desha të shkoja e ta takoja.
Për fat të keq semafori u hap e makinat lëvizën përpara e unë nuk
munda ta takoja ish kolegun edhe se pata një lloj dyshimi se nuk ishte
ai por megjithatë i ngjante shumë.U pështeta pas shtyllës, tashmë e
ndjeja veten rehat aty, e shqyrtoja makinat që kalonin. Ndaluan prapë
e përsëri përshëndetje . Tani dhe unë ja kisha marrë dorën , i njihja
apo jo për të qenë brenda i përshëndesja me përzemërsi të gjithë pa
përjashtim. Ato lëvizën dhe unë e mërzitur tashmë , po përshëndesja
gjysmën e qytetit e shoqja ime nuk po dukej. Nxjerr celularin nga
çanta e formoj numrin. Ndërkohe makinat kishin ndaluar prapë e dera e
makinës që ishte fare pranë meje u hap. Ndërkohë që dëgjoja zilen që
binte nga ana tjetër nga kjo anë dëgjoj një zë burri që më thosh :
-Hip !
Unë meqë prisja të dëgjoja zërin e shoqes sime ja bëra me shenjë me
dorë si të thuash prit pak , por nuk më shpëtoi se ai po më shihte
nga këmbët. I pashë edhe unë se mos isha bërë pis se ndryshe përse do
të më fiksonte ashtu. Këmbët e mia janë të zakonshme nuk janë për t'u
fiksuar.Më në fund zëri i shoqes sime :
- Ku je se u nisëm ?
- Jam tek semafori – i them unë e në atë moment më ra
ndërmend se ç'kisha dëgjuar për semaforet. Ua dhashë këmbëve të
largohesha tek dëgjoja shoqen time që po qeshte me të madhe nga ana
tjetër.
- Hë më të lumtë , tek semafori, atje rri se e shef …
S'kisha se ç'të shihja më , kisha parë mjaft bile dhe dëgjuar pasi ai
personi që më kishte ftuar të hipja makinë më futi një të sharë nga
prapa para se të nisej kur u hap drita jeshile. Që nga ajo ditë bëja
kujdes tek semaforët, zgjidhja ato rrugë që nuk kishin. Më në fund
erdhi dita të kthehesha pranë familjes së dashur , me keqardhje
sigurisht pasi nuk e dija kur do të më binte rasti të kthehesha në
Durrës e mbi të gjitha më kishin mbetur akoma pa parë nja dy plaka te
fisit…

Imperia 19 prill 2008



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.