Letërsia Shqiptare

Mamaja dhe telepatia
E merkure, 07-05-2008, 06:01pm (GMT)

Nëse ka patur një gjë që mamaja ime ma ka luftuar
gjithnjë ka qenë superstizioni. Sa herë që unë thoja se kam parë një
ëndërr të keqe  më thosh se nuk duhej t'i besoja ëndërrave. Sa herë që
dëgjoja horoskopin , qeshte me mua . Sa herë që shkoja tek ndonjë
komshie për të parë filxhanin më shante e më thosh se jam një
budallaqe e pandreqshme. E të them të drejtën mua më pëlqente , vdisja
për të parë ndonjë filxhan apo për të m'i parë ndokush letrat. Me
mamanë time mund të bisedoja për çdo gjë veç të mos i zije në gojë
këto gjëra.
         Kanë kaluar vite dhe unë jam tashmë e rritur sigurisht, edhe
pak e bëj gjysëm shekulli jetë edhe pse nganjëherë më duket vetja më
fëmijë se atëhere. Por tani jam një fëmijë më i mbarë, sigurisht, e
këto gjëra pak nga pak më janë larguar. Tashmë është rradha ime t'ja
kundërshtoj time bije, edhe se më vjen ca inat se kam filluar t'i
ngjaj shumë sime mëje edhe në gjërat që mua nuk më pëlqenin dikur tek
ajo, dhe nga kjo anë i ngjaj pikë për pikë.
       Një mëngjes bija ime e dashur çohet tërë hundë e buzë. Kam parë
një ëndërr të keqe , tha ajo . Hajër ishallah , i them unë se nuk mund
të heq dorë nga përrallat e gjyshes sime të dashur, që më mësonte
gjithnjë se kur dikush të thosh se kish parë një ëndërr duhej t'i
thoje hajër ishallah. E pastaj kur bija ime mori të ma tregonte , i
thashë shko e tregoje në banjë përpara, edhe ky një mësim i gjyshes ,
ëndërrat e këqia duhet t'i tregosh në mëngjes në banjë para se t'ja
tregosh dikujt tjetër.Ndërsa vajza , engjëlli im që i mungojnë krahët
mori drejt banjës ra zilja e telefonit. Ishte mamaja ime.
                      - Suzi , kam qenë shumë keq dje.
                      - Përse ? – e pyes unë e merakosur.
                      - Kam patur ca rrahje zemre e thashë se po
kaloja një parainfarkt.- e shkreta vuan nga zemra.
                      - Mami, kur te ndjehesh keq kështu e nuk ke
njeri në shtëpi merr në telefon urgjencën .- i them unë e alarmuar e i
jap numrin e urgjencës. Prita derisa e shkroi.
                      - Suzi , mbase sepse kam parë parmbrëmë në
ëndërr  Xhevahiren .
Xhevahirja ishte komshia jone ne Durres e mamaja ime shkonte shume mire me te.
                   - Mama , është normale , keni qenë shumë shoqe…
                   - Ku nuk të çon ëndrra , - vazhdoi ajo, - hera e
parë që e shoh në ëndërr. Kushedi se si e ka hallin .
                  - O grua ,- ja pres unë ca si me inat ,- nuk sheh
hallin tënd që je pa qejf , po shkon e shikon hallin e Xhevahires.
Ruaje atë numrin që të dhashë e kur ta shohësh keq veten , bjeri.
                  - Gjithmonë kështu ti , i bjen shkurt gjërave ndërsa
unë nuk e heq dot nga mendja…
                 - Hiqe nga mendja e bëhu mirë, unë të kam xhan- i
thashë dhe e mbylla telefonin se duhej të ikja në punë.
Nuk kaloi as edhe një javë kur një mëngjes herët mamaja e alarmuar në telefon.
                 - Suzi mbrëmë vdiq Xhevahirja , sapo na telefonuan.
Mbeta një moment me receptorin në dorë. E shkreta grua , sa e mirë që
ishte, sa keq që më erdhi.
                 - Të thashë që e pashë në ëndërr…-më shkundi zëri i
mamasë nga ana tjetër.
                 - Ti nuk i ke besuar kurrë ëndrrat – ja kthej unë.
                 - Kush tha ? Gjithmonë i kam besuar .Pastaj mbrëmë
ishte një flutur e zezë në shtëpi duhej të ishte shpirti…
                 - Shpirti i kujt mama ? S'kishte vend tjetër ku të
shkonte , ka një tufë fëmijë…
                 - E po ndoshta ishte shpirti i tyt eti…
                 - Mama , po të ishte im atë duhej të ishte flutur e
bardhë , - unë nuk mund ta pranoj se shpirti i bardhë e i bukur i një
babai aq të mirë sa ishte i imi do të përfaqësohej në një flutur të
zezë.
                  - Budallaqe , ato lloj fluturash janë të zeza,- ma
këputi mamaja nga ana tjetër,- dhe kur të them se është keshtu, është
kështu. Duhet të jetë një lloj telepatie .
Befas më kapi gazi e fillova të qeshja .
                - Po moj , po , edhe telepatinë  kishim mangut.
Mamaja e dëgjoi të qeshurën time e u nxeh.
                - Si nuk të vjen turp që qesh, nuk të vjen keq për
Xhevahiren? Mua më vjen shumë keq, - ajo gati sa nuk po qante.
               - Më vjen keq , - i them unë me sinqeritet por për dreq
nuk e ndalja dot gazin.
              - Ti je e çmëndur, kot që marr e flas me ty !- ajo deshi
të mbyllte telefonin.
              - Mama ! – i thirra unë – bëj kujdes e mos na shih në
ëndërr se na more në qafë !
              - Si nuk po shoh veten time thuaj e t'i mbyll hallet!-
ajo ma mbylli telefonin me inat. Si gjithmonë fjalën e fundit duhet ta
ketë ajo. Ndërkohë engjëlli im që i mungojnë krahët ish kthyer nga
banjoja ku kish bërë rrëfimin  saj.
               - Mami , tani po të tregoj se ç'kam parë…
               - Mjaft ! – ja pres me inat, - u ngopa me ëndrra për sot.
Ajo hapi sytë e habitur por nuk bëri fjale. Tashmë e ka mësuar që kur
jam me nerva nuk ja vlen barra qeranë të flasë me mua. Iku duke
llomotitur diçka nëpër dhëmbë, kushedi se ç'ka menduar por jam e
sigurtë se çfarëdo që të ketë menduar  për mua ishte shumë shumë larg
të vërtetës . E vërteta ishte se unë atë moment… kisha frikë të
dëgjoja ëndrra të këqia.

Imperia 6 maj 2008



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.