Letërsia Shqiptare

Ne dhe fjalët e pista
E merkure, 07-05-2008, 06:02pm (GMT)

Vajza ime ka bërë një shkollë djemsh. Jo se është shkollë djemsh por
shumica ishin djem , mendojeni vetë pesë vajza në pesëdhjetë djem.Nuk
ka pasur probleme, se kështu është vajzë me mend e din ti japë
përgjigjen gjithkujt. Por problemi është se është bërë pak si çun
harams. Ka kaluar ajo kohë kur vishej me fustane e krihte flokët me
kordele.Vishet si mos për gjynah. Pantallona xhins të gjëra e të gjata
sa i fshijne rrugët , bluza të shkurtëra që nganjëherë i dukej
kerthiza, them i dukej sepse tani nuk i duket më pas tërë asaj lufte
që bëmë për to ,e këpucë ushtarake. Po, po , biles më ushtarake se ato
që vishnim ne në zbor. Le të mos flasim për fjalorin që ka mësuar. Nuk
e përdor shpesh, me ne domethënë me mua, me babain e me miqtë tanë
është shumë e edukuar. Por një ditë rastësisht kur po zihej me të
vëllanë e nuk më kishin vënë re se isha kthyer në shtëpi i dëgjova… Të
them të drejtën nuk po e merrja vesh se kush ishte djali e kush
vajza…Rrija aty në korridor me gojë hapur e pas nja një çerek ore
djali doli i skuqur nga salla si një vajzë e turpshme . Kur sytë e tij
hasën të mitë mori zemër e më tha :
       - Thuaji ta mbyllë gojën se do ta rrah…- e u fut në dhomën e
tij e dëgjova një zhurmë të fortë që më ngriu gjakun e m'u duk se u
shemb muri . Ai kish marrë t'i gjuante murit me grushte nga inati.
Atëherë kuptova pse muret e shtëpise e frigoriferi në kuzhinë i kishin
ato shenja të çuditëshme… ishin të grushteve të tij…
     Këto gjëra më fusin në mendime. Ne ishim edukuar në mënyre të
atillë në ate vendin tonë të dashur edhe pse në kushte aspak të
dëshirueshme, por fjalë të pista nuk përdornim kurrë. E jo vetëm kaq
por skuqeshim kur i dëgjonim të thënë nga të tjerë. E nuk mund ta
konceptosh se mund t'i përdorim në familje , por ambjenti ku po rriten
i ndihmon t'i mësojnë shpejt. Më kujtohet se kur fillova punë këtu me
rregulla në një strukturë , kolegja me të  cilën më ra shorti të
punoja ditën e parë , në çdo tre fjalë që thosh , njëra ishte e pisët.
Zot, thashë me vete , njohur Italinë nëpërmjet televizorit mendoja të
gjeja njerëz të edukuar e të sjellshëm. Por m'u mësua kaq shumë veshi
me të tilla sa pas disa muajsh kur nxehesha ja ktheja ndonjë kolegeje
me të njëjtën monedhë, jo tamam me të njëjtën, zgjidhja atë qindarkën
më të vogël.E për habi nuk më bëri përshtypje, nuk kishte aq efekt mbi
mua si në gjuhën time, fundja ishte gjuhë e huaj . Ndaj një ditë në
një debat ku femijët po shaheshin me njëri tjetrin dhe burri i dashur
bënte sikur nuk i dëgjonte, për t'u habitur, veshët e tij nuk
funksionojnë mirë kur nuk i intereson, guxova dhe hodha edhe unë një
që t'i bëja të pushonin. Ju do te thoni që fëmijëve të mij të ëmbël u
bëri përshtypje ? Aq sa ju bëri juve që nuk ishit aty aq u bëri dhe
atyre e nuk ma varën fare. Ndërsa burrit veshët ja kishin kapur për
mrekulli e më shikonte sikur të isha ndonjë alien.
             - C'ke që më shikon ashtu ?- ju kanosa  e gatëshme t'ja
shprazja atij inatin.
Ai më pa një cope herë e pastaj ma ktheu qetë :
            - Kur gruaja fillon e përdor fjalë te tilla do të thotë se
po plaket.Gratë vetëm kur plaken fillojnë e përdorin fjalë të këtilla.

Tani ishte rradha ime ta shikoja në mënyre jo të natyrëshme. Efekti i
fjalëve të tij ishte i plotë. Unë nuk përdora më kurrë fjalë të këqia
, të paktën në shtëpi. Mund të pranoja se më kish plasur cipa e isha
pa edukatë por… nuk mund të pranoja se kisha filluar të plakesha… E
kush grua tjetër do ta pranonte…



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.