Mirëmëngjes hapësirë!
Je më e vogël se liria.
Flakur shkujdesur në syrin tim.
Mirëmëngjes,
i gërmuquri plak që rrëmon plehrat në cepin e rrugës,
tretur në përjetësinë e hapave.
Mirëmëngjes mendje!
Tinëz u largove hijesh,
duke i shuar kohës afatin e skadencës.
Mirëmëngjes hiri im,
endur krizantemave në fushën e përflakur të shpirtit.
Mirëmëngjes,
ti, rrezja e munguar e dritës,
që lëmon puthjesh qiellin blu.
Mirëmëngjes i tulaturi zog,
që luan mes acarit dhe jetës
tangon e përbaltur të ekzistencës.
Mirëmëngjes Olimp!
Ti, Zotat i lëshove dimrit,
për të ngritur haremin, këtu.