Letërsia Shqiptare

JAM SHEKUJ LARG…MË PRIT
E enjte, 11-10-2007, 04:43pm (GMT)

Po fluturoj drejt teje,
më prit.
Rrugën, nuk e di por ji i duruar.
Hijen tënde, e shoh gjithandej.
Sytë, dritë, miliona kilometrash kanë lëshuar.
Nuk e dije?
Unë, për ty jam në jetë.
Që pa lindur,
nisa rrugëtimin në mijëra forma shndërruar.
U bëra Evë për të lindur më parë njerëzimin,
e më pas,
për të të kërkuar.
Nuk e dije?
Plagët e këmbëve m’i lëpijnë gjarpërinjtë.
Krahët,
thyer dritareve të mbyllura, pikojnë…
Derë s’ka.
Unë rend përtej kohës.
Hapësirat kam sfiduar,
motër-zanat më përçmojnë…
Zeusi, volli vullkane.
Pandora e hapi të mallkuarën kuti.
E fshehta ime pikon, pikon…
Gjithkush e di.
Imazhe të gënjeshtërta më verbojnë.
Mijëra diej, më shfaqen si sy.
Unë dua të tutë…
Po vij.
Sa pak,
fare pak,
një copëz jete kërkoj.
Nëse derën nuk do të ma hapësh,
Një vend te pragu, s’meritoj?
E sheh?
Mbërrita.
Edhe pse e verbër, shoh dritë.
Hape derën!
Jam shekuj larg.
Do vij patjetër,
më prit.
Më prit…!


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.