Letërsia Shqiptare

MEMORIAL…
E enjte, 11-10-2007, 04:44pm (GMT)

U shpirtëruat këtu,
ju të për - humburat e mia,
të diku - treturit e mi.

Honeve të ditës së parë të krijimit,
humbellave të së fundit frymë,
frymëroni…herezi…

Frëngjive të mia në oazet e syve,
pragjeve të shpirtit u fashitët lotëve,
bërë det në shtratin e orgjive.

Mbytem,
vdes,
gjalloj, aty
lavde u thur Perëndive…

Rropullive u qepem, kacavjerrë si gjarpër,
për të thithur helmin, gjuhës së munguar.

Kafshimet e ujkonjës së urisë,
kthinave të pangopësisë, harruar.

Gdhendur shpateve të thepisur të besës,
rastis të përballem me të përbalturin, Konstantinin tim.

Statujë majë kalit,
ngrirë udhëve të “rregullave të panjohura të lojës”,

duke iu përvjedhur kalendarëve,
thur gërsheta fijet e gjelbra të shpresës,
Duke shthurur penjtë e pangjyrë te harrimit.

Rrënjëzuar në shtatin e memorialit të padukshëm,
endur dhimbshëm tezgjahut të kohës.


Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.