| Letërsia Shqiptare | ||||
|
JAM PO AJO BEBE… E enjte, 11-10-2007, 04:54pm (GMT) U linda të martën. Ora 02. Përballë teje dhe një planeti të panjohur. Unë-satelit-dhimbjesh, ndiej gërricje dhe therje të ngarkuara me shekuj, ..............................minuta, ......................................sekonda, gdhendur prej teje në testamentin gri, në trupin e lebrosur nga vitet, bardhë-kuq-verdhë e zi. Ende s’më ke njohur? Kam ndërruar pelenat, jo fytyrën. Prekmë përsëri si dikur, kur Muzat m’i lëshove të kafshonin të uritura. Skicoje përsëri buzëqeshjen, .....................tashmë mes rrudhave të lehta, që përpijnë sa mundin milimetrat - kilometra të lëkurës sime. Planetin që fle brenda trupit të irnosur, me kafshime. Ti, mos luaj në skenën e asgjësë, rolin e të habiturës. Jam po ajo bebe… Tashmë, më e mençur me çmendurira, më e varfër me rini. Luaj më mirë tragjedinë e radhës dhe lërmë të vdes në rolin tim të martires, zgjedhur në akropolin e perëndive te mëshirës, me të vetëshpallurën verbëri të mosqenies, mes ëndrrave dhe pamundësisë që m’i servire ti në pjatën e mungesës. Po gdhin e mërkurë. Qeshu!!! Jam unë ajo e pafajshmja e orës 02. Ishte e martë si sot, të kujtohet? Dhe ylberi-shtrati im, ndrinte nën kurorën tënde, si tani - kjo foshnjë e fantazisë sime që do vdesë pas disa sekondash. 5…Mos m’i ndaj sytë 4…………....Më puth përsëri 3……………………Bekoje Muzën 2…………………..……………Ma fal ylberin 1………………………………………….Oiiiiiiiiiiiiiiii… Dje ish e martë Ora 02 |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||