| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Suzana Zisi E enjte, 11-10-2007, 05:05pm (GMT)
Boton vëllimin e parë poetik “E bardha ështe pak” në 2004. Libri u prit mirë nga kritika dhe lexuesit. Ai u përzgjodh ne 5 vëllimet poetike më të mira nga Juria e Konkursit Kombëtar “Penda e artë” 2005. Në 2006, botohet vëllimi i dytë poetik “Imazhet kanë ftohtë” me parathënie të kritikut dhe studiuesit të mirënjohur kosovar, Agim Vinca. Në librin e saj të pare, Suzana, prezanton një botë të veçantë poetike, nëpërmjet një ndjeshmerie filozofike dhe universale moderniste, e cila e shpalos trajtën e saj, përmes metaforave dhe simboleve individuale. Këtë metaforë dhe simbolikë, autorja e ngre në një shkallë më të lartë në frymëzimin dhe ligjërimin poetik të librit të dytë, ç’ka ka sjellë jo vetem modernizimin e imazhit poetik, por edhe një pjekuri më të madhe në vleresimin dhe materializimin e ideve dhe dukurive të jetës dhe botës shpirtërore. Janë duke pritur radhën e botimit, 3 libra, një roman, një vëllim poetik dhe një përmbledhje me proza të shkurtra.” LIRIKË E PEIZAZHIT SHPIRTËROR Nga Agim Vinca Vargut të poeteshave shqiptare të kohës sonë po i shtohen nga dita në ditë emra të rinj. Suzana Zisi, është pa dyshim një nga këta emra. Pas botimit të librit të saj të parë, E bardha është pak (2004), Suzana del para lexuesve me librin e saj të dytë Imazhet kanë ftohtë, që e shpalos në mënyrë akoma më të plotë e më të nuancuar botën e saj poetike. Shikuar nga pikëpamja e qëndrimit që mban ndaj jetës, njeriut dhe vetes poezia e Suzana Zisit do të mund të karakterizohej si poezi e peziazhit shpirtëror. Shpalimi i botës komplekse shpirtërore të njeriut, të femrës në veçanti, depërtimi në labirintin e dëshirave, ëndrrave, shpresave, dilemave dhe shqetësimeve të subjektit lirik, është një veçori e përgjithshme e kësaj poezie. Ky pozicion, sa soditës, aq edhe refleksiv, e përcakton në masë të madhe edhe strukturën ritmike dhe figurative të kësaj poezie. I përbërë nga rreth njëqind poezi, vëllimi poetik Imazhet kanë ftohtë ndahet në tre cikle: Ëndrra në pjatën e mungesës…, Lulevjeshte dhe Metafora e diellit. Edhe pse nga pikëpamja e ligjërimit poetik libri ka një unitet të theksuar artistik, megjithatë bie në sy fakti se derisa në ciklin e parë mbizotërojnë motivet që lidhen me dehumanizimin dhe tjetërsimin e njeriut në kohën tonë (peziazhi urban, imazhet gri, ftohtësia dhe mungesa sugjerojnë pikërisht këtë emocion), në dy ciklet e tjera ndeshim një atmosferë disi më të butë e më subtile, pra kemi të bëjmë me një lirikë tipike femërore, nocion ky që në këtë rast nuk ka kurrfarë konotacionesh negative. Përkundrazi. Imazhet e rënda e dramatike të ciklit të parë, ku poetesha i referohet shpesh mitologjisë antike e biblike (Adami, Eva, Zoti, djalli, Krishti, Zeusi, Pandora, Prometeu, Narcisi, Dionisi etj.), por edhe realitetit bashkëkohor, e ku nuk mungojë herë-herë as vizionet apokaliptike, zëvendësohen në dy ciklet vijuese nga një ndjeshmëri më e butë lirike e intime, ku figura qendrore dalin lulevjeshta dhe dielli, që shfaqen që në titujt e cikleve. Dashuria është një lajtmotiv i poezisë së Suzana Zisit. Këtë ndjenjë kaq të thellë dhe motiv të lashtë poetik autorja e këtij libri arrin ta trajtojë me një ndjeshmëri të hollë lirike e shprehje moderne poetike. Në disa nga vjershat më të bukura të librit, çfarë janë, fjala vjen, Në ëndrrën time, Fillim-fundi im, Pëshpërimë etj. ndjenja e dashurisë merr përmasa kozmike. Në lojën magjike të dashurisë hyjnë: dielli, qielli, yjet, retë, shiu… Është një “valle”, që ta kujton pak a shumë vallen eterike lasgushiane, por e luajtur ndryshe, me mjete të tjera e tingëllim të ri dhe në tjetër kohë gjithsesi. Suzana Zisi është krijuese që e zotëron mirë ritmin, figurën, fjalën, rimën dhe ngjyrimin stilistik, predispozitë kjo pa të cilën askush s’është bërë poet në këtë botë. Është për t’u përshëndetur gjithashtu fakti që elementet fundamentale të poezisë (rimën, ritmin, metaforën etj.) ajo i vë në shërbim të mendimit poetik. Fjala dhe ideja në vargun e saj janë në harmoni të plotë. Unë jam pëshpërimë, thuhet në vjershën Musht i lulevjeshtës, ndërsa vjersha Vjeshtë … Mëngjes hapet e mbyllet me vargjet: Vjeshtë… Muza poetike e Suzana Zisit ndërton “mure marrëzie”. Absurdi dhe rebelimi nuk janë të panjohura për të, por në aurën e saj mbizotërojnë dashuria dhe humanizmi. Poeti, sipas Suzanës, i ngjan një zogu fantastik që “çukit simbole” dhe “ftillon metafora”, duke mbështjellë gjithçka me “rima e asociacione”. Zogjtë e malit çukisin simbole, Një nga poezitë e librit në fjalë titullohet Ty që po më lexon tani… Është e qartë se poetesha jonë, si çdo krijues tjetër, dëshiron të komunikojë me lexuesin e saj hipotetik, me atë të cilit ia dedikon vargjet e saj dhe ia detyron frymëzimin. Me çiltërsi e modesti autorja shpreh dëshirën e saj që të krijojë një varg që “shpirtin ta ngroh”, me një ritëm që t’i ngjajë “lëkundjes së valëve”; një varg që të përçojë dritë në shpirtin e njeriut e të gdhendë një varkëzë me emrin “fjalë”, për të përfunduar: Dhe ti, Është shpirti i poeteshës, që flet me afsh e mall. Është një pëshpërimë që duhet dëgjuar; një libër që duhet lexuar. |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||