Letërsia Shqiptare

NATA E PARË
E diel, 30-03-2008, 05:31pm (GMT)

Vazhdova të gjurmoj bashkë me arkeologët e kohës antike
për ta gjetur rrethin e dytë të Dante Aligerit
një bashkëpunëtor më shtyri dhe rashë mbi gërmadhë
përshëndeta nga thellësia bashkëpunëtori theu qafën

Janë edhe shtatë rrathë të tjerë fshehur diku
megjithatë do ta thërras Dëshirën për pak ndihmë
t’ia largojmë pluhurin e harresës mbuluar në ballë
ta shohim njëri – tjetrin pa mjegull në pasqyrë

Oh e imja Vjollcë me fijet e flokëve të tua
do ta qep varrën që kam me mote në zemër
pas kësaj mos më mallko me buzët gjak
e ëmbël, e bukur si pjeshkë këtë nuk e heton

Llamba e vajgurit ndrit – hijet ngadalë bashkohen
në murin prej lloçit e ndërtuar nëpër shekuj
derisa unë dhe ti i numërojmë të ligat
diçka thellë shpërthen sa shpejt agoi dita

Ca una të thatë tymojnë në vatrën e ngratë
shpresa zgjatet tej brigjeve urë kalimi për ne
për ardhjen që pret tek dera dhe e ndal dyshimin
zemra e ndarë në dysh s’do të jetë më kurrë

A do të kthehesh një ditë para rrezes shigjetë
t’i thuash Dëshirës tashti e zbërtheva ardhjen
t’i vjedhim ikjet t’i kthejmë kah ardhja
buzëqeshjet janë të ëmbla të krenohet Dëshira.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.