Herkuli ne asistence
E premte, 22-06-2007, 06:20pm (GMT)
Më fal Herkul, s’të kam harruar, Ashtu siç u harrova unë, Po ja, kjo botë e bekuar Të la dhe ty rrugësh, pa punë.
Kështu e ka kjo jet’jarane, Kur nuk të do, ta luan fenë, Ja, Penelopa shet banana, Ajaksi po shplan dyshemenë!
Homeri fle përjetësisht. E vunë në gjumë me soniferë Dhe botë e mjerë çmendurisht Ecën galop për në skëterrë.
Akili shkoi në megrim. Nuk i honepsi mercenarët, Enea endet si jetim, Se s’han dot kashte me gomarët.
A e kujton Romën e mundur ? Po të vish prap do gjesh belanë, Sa dhe polici më i humbur Të tendos brenda, në hapsanë!
Se s’ka më punë për Herkulët Se për Herkulët s’ka Atdhe! Hektori vajti me të shumtët, Uliksi humbi në Mesdhe.
Babilonia? S’di ku ka koken. U mbush me tanke e avionë Dhe tymi ka mbuluar tokën, Ky “tym” i bukur i kohes tonë.
Kështu pra, ngryse si ta ngrysësh, Po vetëm punë mos kërko Se edhe botën të përmbysësh Askush s’të flet, asnjë s’të do!
Pa hë, Herkul, ti zgjidh e merr Në këtë botë batërdi, Ku ngjasin gjëra që as në ferr S’do shihnje gjith’aq lemeri…
Për ty, Herkul, nuk ka më punë Dhe pse dikur e tunde dhenë, Ndaj kthehu prapa, pa përdhunë, Shko në Olimp, shko në legjendë.
Shko në Olimp, shko në legjendë. Sot nuk të duan në asnjë vënd, Se bot e mbushur me legenë S’ka më nevojë për krahun tënd.
Pra ec e lerna në batak, Që të shijojmë këtë orgji, Sot vlen me shumë një halabak Se një Hero, se një Gjeni!
|