Vërej një grua anës detit
Që vajton duke kënduar,
Një elegji antikiteti
Për bijtë e saj të mërguar…
Një elegji të lashtësisë
Plot dhëmbje e trishtim,
Për bijt’ e mirë të Shqipërisë,
Që tretën në mërgim.
Është një hyjneshë Arbërie
E lasht’ në histori
Që kumton himne dashurie
Plot breng’ e mirësi.
Që thërret bijt e saj të dashur
Ku janë e ku s’janë,
Mos të braktisin buzëplasur
Të vetme në bujanë.
O bijt’ e mi, o lule prilli,
O drit’ e syrit mall,
O flakërimë trëndafili
Që po më mbani gjallë,
A do t’ju shoh edhe një herë
Mbi tokën halleshumë?
Apo do endem nëpër erë
Në ëndrrat pa gjumë?
Kush do m’i terë këta lotë
Të fundit përmbi dhe,
Për ju, të endur nëpër botë,
Të mbetur pa Atdhe?
O bijtë e mi, të mir’ të mjerë
Dhe në arrifshi Hënën,
Dhe në u bëfshi miljardierë,
Mos e harroni Nënën!
Kudo të jini, o bijt’ e mi
Të doni Shqipërinë…
Dhe në u bëfshi Perëndi,
Mos e harroni Gjinë, *)
Edhe pse qumësht s’pati shumë,
Pse ujqit ia pinë
Sisën që rridhte dikur lumë,
Ja thanë e ja nxinë…
O bij të dlirë të Mirësisë
Që u rrita me thërrime,
Që me bekim të Perëndisë
Ua dhashë uratën time,
Mos e harroni këtë tokë
Nga Zoti të bekuar,
E mbrujtur shekujsh gjak’e lotë,
Që s'ka të qetësuar!
Mos e harroni! Kjo Tok’e mirë,
E ndrydhur për së gjallit,
Kjo Tok’e mbjellur me martirë
Po përvlohet mallit,
Për ju o bij të Mirësisë,
Për ju o shpresa ime,
O djem të mirë të Shqipërisë
Kujtoni brengën time…
Kudo që jini, qofshi mirë,
U ndihtë Perëndia! **)
Në dit’ të mbarë e të nxirë
U pastë Shqipëria!
*) Gjinë - Gjirin
**) ndihtë - ndihmoftë