|
|
|
Shqipëria
E premte, 22-06-2007, 08:50pm (GMT)
Ne e thamë të gjithë shishen e wiskit. Tavolina ishte mbushur plot me gota bosh e filxhanë kafeje dhe tavllat mbanin nga një grusht bishta cigareje brenda, kurse njerëzit nuk dukeshin më nga mesi e lart. Qenë sharruar në mes nga perdja e dendur e tymit. - Tani mbathjani!, - urdhëroi gjithë qejf gruaja e Francit. - Në këtë shtëpi nuk gjendet më asnjë pikë alkool!... Ajo kishte nja një orë që shkëmbente ca shenja intime me të shoqin dhe shfrytëzonte çdo rast që i jepej për t'iu ngjitur në trup. Merrej vesh, i bëhej ajo punë. - Ikim, - pranoi dhe vëllai i saj. Atij i qe bërë koka e vogël sa një grusht nga pija, por kushedi se ç'poshtërsi po mendonte ato çaste, kur e nxirrte tymin e "Kamelit" nga të gjitha vrimat e kokës. Ai ishte një biçim hibriti, që të jepte përshtypjen se e nëna, një goxha grua e bukur, e kishte zënë jo me spermë mashkulli, por me nitroglicerinë. I qeshnin tinëzisht sytë e vegjël, që, edhe kur gjendej në qejf, ia ruanin ftohtësinë e akullt. Franci na u lut si Krishti të qëndronim edhe pak. Kishim lënë një bisedë interesante në mes, si mund të rregullohej Shqipëria përmes makroekonomisë, por ne nuk u dorëzuam. I pari u ngrit ministri i asaj ministrisë me emër tmerrësisht të gjatë, pas tij unë dhe pas meje kokëdardha. Kur dolëm në korridor, unë dëgjova Francin që psherëtiu: "Falna mëkatet, Zot!" dhe pashë kunatin që qeshi mbytur. Edhe ai ishte ministër, ministër i pashpirt. - Bëni nani-nani!, - tha ai në ndarje me sytë që sa nuk po ia braktisnin zgavrat nga e qeshura. - Na marrtë gjumi i madh!, - ia ktheu Franci dhe kështu u ndamë. Jashtë frynte juga. Nga rrugët e shkreta qarkullonin vetëm policë dhe qenër pisanjosë, çka na e mbushi mendjen se sikur nuk kishte kuptim të mbylleshim nëpër shtëpira, duke braktisur këtë natë të ngrohtë. E ndamë mendjen ta pinim dhe një gotë dhe në atë çast ministri i ministrisë me emër të gjatë e pyeti kolegun etij se ç'kishte që zgërdhihej. - E di pse psherëtiu Franci "Falna mëkatet, o Zot?"... Do flerë me motrën time, por ata kanë njëzet vjet martesë, ti e di, janë martuar që kalamaj, dhe ajo i duket si motra e tij... Tjetri, pak dhëmbëdalë, i prerë për bllofe e që i respektonte bllofet, filloi të qeshë me të madhe, siç e kishte zakon. - Inçest, me dy fjalë... - T'ia çojmë policinë në shtëpi, - sugjerova unë... - Lëre, - tha shpërthyesi ynë, - Do t'i pushojë zemra në vend Francit. Ai ndihet realisht fajtor në këtë pikë... Ne po qeshnim me të madhe, sepse na u kujtua për dreq diskutimi tejet serioz i Francit se si mund të rregullohej sa më shpejt Shqipëria... - Vetëm këtu nuk bën fajde ekonomia, - qeshte dhëmbëdali, - Francin për shembull, e gatit dhe e sjell në derexhe të Zotit vetëm divorci! Ekonomia veç sa i vjen pak vërdallë... Na hypi një e qeshur prej idioti dhe ne ia filluam përsëri të pirës, pikërisht në atë çast, kur motra e nitroglicerinës doli nga banja me një penjuar të lehtë, që ia nxirrte në pah linjat ende të padeformuara të trupit. Ajo u nis t'i hynte gjithë qejf në shtrat Francit, duke u zhveshur ngadalë që në hyrje të dhomës, dhe asnjë nga ne nuk e dëgjoi kur ai i ulëriu së shoqes që të fikte dritën. Të paktën, të bënte sikur nuk e dinte me cilën kishte rënë në shtrat. Në atë kohë ne po porositnim dopiot e dyta. Na pati lodhur diskutimi për Atdheun.
|
|
|
 |
::| Krijimet e Fundit |
 |
|
|
|
|
|
|
 |
 |
::| Speciale |
 |
|
|
|
|
|
 |
|
 |
|