[...]E përnjimend: kur Shqiptarët—kohën e Skandërbeut—kanë habitë botën, e qiell e dhé kanë tundun me nji qendrim fatosash kundra Turkut, shkaku shtytës i trimnís cili qe? Vullndeti me zotnue vendin e vet dhe me e sundue me Ligjën Krishtjane[1]. E kur qinda mijësh të tyne kanë pá se trimnija nuk e përballonte numrin e tepërt, pse hikën, pse lëshuen vendin e vet me gjân e vet e me kujtimet mâ të shtrêjta dhe të shêjta për nji jetë të mnershme si vdekja? Ka qenë bindja se me zhdukjen e së drejtës së ligjës kombtare, jeta fizike mbetej pa mprojtje, pa qellim e pa frymë, e se u duhej pështuem s’paku lirija shpirtnore. Kur Hoti e Gruda—kasnecat e deshmoret e vërtetë të Rilindjes Kombtare—u çuen në kambë kundra Osmanllís dhe i diftuen kombit mbarë rrugën e detyrës dhe të nderit, a mund të thomi se s’patën për qellim e idheal nji jetë kombtare, dmth nji tjetër “ligjë” për zbatimin e besës (pactum) ndërmjet popullit e qeverís dhe ndërmjet shoqnís së gjindjes shqiptare? Ndoshta ai qi me drû a me gurë në dorë, ka dashtë me e bâ fli vedin për me fituem nji pushkë, mjetin për me vdekë për “Shqipen”—ndoshta nuk e dinte çka don me thânë “Ligjë” mbas teknikës së majmunavet qi kapërcejnë mundimin e nënshkrimit e vishen alla franga me tanuz, por e ndiente çka âsht “kanun”; tjetër nuk kërkonte, për tjetër nuk e derdhte gjakun e vet nepër malet, sepse zemrën e ushqente me nji flakë të trashigueme brez pas brezit—flakë qi e bâni të ruente e të zhvillonte instinktin e dashunís së racës së vet për nji misjon. E po u përjashtue në sjelljen e Hotit e Grudës idheali i “Ligjës”—idheal qi nuk përfytyrohet as s’përshkruhet, pse âsht si frymë hyjnore dhe ka forcën vullkanike e së drejtës natyrore—qysh merret vesht epopeja e tyne? Qysh atëherë kuptohet përbuzja qi ata i banë flamurit të Malit të Zi?
Tue studjuem shpirtin e popullit t’onë , na vërtetojm prap edhe nji herë se Zoti i Madh u ka dhânë popujvet qi duen me pështue instinktin e racës, i cili i ka detyruem me e ruejtë gjuhën e vet, me i u shmangë miklimit të të huejvet, e mos me harruem kurr se çilsi i burgut për popuj rob âsht gjuha me zakonet e gjindjes, qi në kohën e dobishme kanë me mprojtë “Ligjën” kombtare[2]. E ketë vrejtje na e bâjmë për qortim miqsuer t’atyne qi legjislacjonin turk e quejnë “mall t’onin” dhe harrojnë se në mbështetje të gjuhës, Shqiptari mujti me e dalluem vendin e vet dhe vehtjen kombtare, e mujti me lypë lirín qi të sundohej me “Ligjë” mbas natyrës së fisit të vet.
Po të shqyrtohen memorandumet qi i kemi drejtuem botës mbarë kur fqinjët dojshin me zânë vendin e Turkut, shifet se argumenti i parë e ma i forti—ah! sa shpejt harrojmë na Shqiptarët!—mbështetet në kërkimin e njij “Ligje Kombtare!”
Prandaj, me filosofín e së Drejtës e nga kjo pikëpamje, kemi lejën të thomi se nën emnin “Ligjë” na mbështjellim e paraqesim mundimet, flít, lumnít, fletat arit mâ të përndritëshmet e jetës së popujvet.
(Nxjerrë nga “E Drejta Ndeshkimore”, 1926, fq 13-16.)
SHKRIMTARËT SHQIPTARË, Pjesa II, Tiranë, 1941.
[1] Të mos na idhnohet kush. N’atë kohë mâ tepër se ndienjat kombtare kanë qenë të gjalla në zemër të kombit t’onë ndienjat fetare.
[2] A. Daudet: «La dernière classe ».