| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Ylli pa Strehë E premte, 22-06-2007, 07:38pm (GMT) John Belushit
U enda natën në Hollywood Boulevard, Shtrojën e famës shkela anefund, Në koloninë e yjeve, pambarim atje, Yllin tënd s’e pashë, John, askund…! Ku të jetë fshehur, si ta gjej, Atë shkëlqim që kurrë s’u fik?! Në kujtesën njerëzore ai feks, Si një yll i pashuar që ndrit. Po ti ke shkuar, s’je askund, John, Shpirti yt rebel rend në zbrazëti. Vdekja vjen, mik, e na rrëmben, Tjetrës botë na çon, kush s’e di! Mijëra milje larg, Ishullit të Martës, Në Kodrën e Abelit prehet shtati yt, Mbetur atje, si në skaj të botës, Që s’e deshe dhe as të deshi ty…! Ç’fat i keq, vetë Zoti të ndëshkoi, Që në zenit t’i këputi ëndrrat, Kush të shpuri atij gjumi pa kthim, Në Los Angeles - qytetin e engjëjve?! Ulërij, nga dhimbja sa s’shkalloj, Pré e vdekjes, s’tu dhimb jeta, mik, Ti, shqiptar i madh fat-tragjik, Mit i Amerikës… mit! Në Shtëpinë e Bluzit shkoj, pastaj, Në të famshmen Kështjellë Marmount *), Kjo ndalesë e fundit si hon nxin, Hijerëndë, e ftohtë si një morg. Pse ndëshkon aq vrazhdë fati ngaherë, Më të pazakontët, thuaj pa dallim, A mos zilia rreket të groposë, Madhështinë që nuk njeh harrim?! Kot t’i hamendësh të fshehtat e botës, Se ç’sjell jeta, veç një Zot e di! Trishton bulevardi si varrezë yjesh, Ku mungon vezullimi yt…! Sa emra u gdhendën, e nuk janë më, Me kohë janë shuar, mbuluar harresës, Sa pak shkëlqejnë prej rënies atje, Në qiellin shkretan të kujtesës… Kureshtarë, këmbë turistësh papushim, Shkelin yjet që s’iu soset fundi… Ka një vend për ty, John, në çdo shpirt, Tej shkëlqimit flu të Hollywood-it. *) Hotel i famshëm në Los Angeles, në një nga dhomat e të cilit vdiq tragjikisht John Belushi |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||