| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Trifon Xhagjika E premte, 22-06-2007, 06:58pm (GMT) Trifon Xhagjika, përkujtohet poeti pa varr NË LIDHJEN E SHKRIMTARËVE Këtë 29 prill ai do të mbushte 74 vjeç, nëse shumë vite më parë nuk do kishte guxuar të thoshte lirisht atë që mendonte. Trifon Xhagjika, poeti pa varr, i pushkatuar 43 vjet më parë, është kujtuar në ditën e lindjes së tij përmes një takimi mes miqsh në Lidhjen e Shkrimtareve. “Atdheun e dija te rritur!/Por sa i vogël qenka!/Asnjë degë nuk e kepuste dot./E mora për dore/ta rrit në zemrën time...” Kështu do të shkruante poeti vetëm pak kohë para pushkatimit. Trashëgimia letrare që la Trifon Xhagjika, shquhet për një larmi tejet interesante, që në llojin e vet mund të jetë unikale. Mjaft nga poezitë e tij të pabotuara kanë humbur, ndërsa një pjesë e tyre janë botuar në dy vëllime "Atdheu është lakuriq” dhe “Poezia”. Trifon Xhagjika (1932-1963) u lind në një fshat të Zagorisë (Gjirokastër) në një familje të thjeshtë, që shquhej për ndershmëri e patriotizëm. Pasi kreu studimet e larta, shërbeu në ushtri. Më 1963 u arrestua bashkë me një grup të rinjsh e u dënuan me pushkatim. Poezia ishte pasioni i tij. Për rrethanat që iu krijuan, ai botoi pak. Në këtë ditë kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Zydi Morava, propozoi që ditën e 29 prillit, ditëlindjen e Trifon Xhagjikës ta shpallin Ditën e Poetëve të Përndjekur dhe të Pushkatuar. Trifoni i vetmuar Nga: Lekë Tasi Medet, krahasimi nuk vërtetohet deri në fund. E keqja që kishte zaptuar Shqipërinë; humnera simbolikisht, te ne nuk u mbyll, jo se theroria e poetit sfidues nuk u përfill prej zotave, por sepse uniteti i atëhershëm mes romakëve, i gjallë tek të gjithë qytetarët, nuk u vërtetua te shqiptarët, dhe shkaku është se fryma e nënshtrimit ndaj sundimtarit ka rrënjë të lashta ndër ne. Kështu, e çara në trupin e atdheut, jo vetëm nuk u mbyll si në Romën e burrave të fortë, por u shndërrua në plagë të ligë, që premtonte për gjëra më të këqija. Në vitet që pasuan, arroganca e trembur e tiranit, e zmadhuar nga dyshimet më të pagjasa dhe nga vogëlsia e frikshme qytetare e subjekteve të tij, çoi në viktima të tjera. Shorti u ra tani tre poetëve të rinj Vilson Blloshmi, Genc Leka, Havzi Nela, si për të na kujtuar që armiku më i rrezikshëm i diktaturave është mendimi. Ata bien të korrur nga kosa e saj. Terrori e kishte përgjunjur Shqipërinë dhe sjellja e inteligjencës së mbetur gjallë arriti shkallë të tilla mjerimi moral, sa është më mirë të mos flasim. Pikërisht përqasja me Romën republikane, d.m.th me një shoqëri model, ku lavdia dhe turpi vlerësoheshin pa mëshirë në dy skaje të shkallëzimit të mundshëm njerëzor, vazhdon të na ndriçojë edhe sot. Me mundësitë që kemi tash në liri të vrojtojmë nga në kënd i mënjanuar, por me vizuale të plota sjelljen që bën inteligjencia, konfigurojmë dy qëndrime mentale ndaj Trifonit, Alias ndaj dinjitetit: Në njërin krah ai i dashamirësve të përvuajtur, që me keqardhje në zëmër, i rrinë larg atij me respekt, kokulur. Të moshuar e të lodhur tanimë, ata i fshihen prezencës së tij ideale ngaqë nuk mundën të ndjekin hapin e tij, megjithëse në një farë mënyre ndoqën gjurmët e tij për një jetë më dinjitoze, edhe pse në hije të diktatorit. Në krahun tjetër, “aktivët” e përjetshëm, ata që qëllim të vetëm kanë suksesin. Bezdia që u shkakton precedenti Trifon, nuk ka të bëjë me ndonjë farë pendese ose ndjenjë pengu, por me konkurrencën që padashur fantazma e tij u bën në zemrën e publikut edhe pse pak të informuar. Përherë të rinj e të palodhur me gjithë moshën e thyer, ata përpiqen, organizojnë, tentojnë të popullojnë një farë Panteoni me emra të rinj, më komodë për ta, që ashtu të inserojnë dhe veten në një listë subjektesh të ngjashëm me veti kryesore jetëgjatësinë, ku natyrisht Trifoni, me plagën në ballë, nuk hyn dot. Vështirë të gjesh një vend çfarëdo edhe për imitues eventualë të Lucanus vetëvrasës ngaqë i bëri lajka Neronit, sepse as të tillë s’ka. Është një kohë e pazonja jo vetëm për sublimen, por as për dëshpërimin. *Me rastin e 75-vjetorit të lindjes |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||