Bisedë me një greke
E premte, 22-06-2007, 09:40pm (GMT)
Më tregon mburrshëm Paarritshëm, Mua, shqiptares, Farefisin tënd të lashtë. Se si gjaku i tyre Ka përçuar në tëndin Mençurinë, Poezinë, Dritën e botës të tërë. Më rreshton emra gjigantësh Me të cilët, u rrita në sheshet e reve. Lundrova me ta Me varkën e hënës së argjendë, Përmes lëmshe yjesh netëve. U dashuruam përflakshëm pasionesh, Në shtratin e zjarrtë të diellit. U krodhëm së bashku me nimfat, Në ujrat e kaltra të detit. U shlodhëm dërrmuar kënaqësish Majë Tomorrit, Majë Olimpit, Prehur nën ajrin hyjnor... Ti, Më tregon mburrshëm, Farefisin tim shpirtëror...!
|