Ishte dita e Shën Mërisë. Drita i bleu Marisë një tufëlule margarita të bardha, pikërisht siç i pëlqenin asaj. Kishte vite që punonte në atë shtëpi dhe ishte bërë pjesë e saj. Ia dinte shijet, hallet dhe haretë të gjithëve. Të zotin e shtëpisë e quanin Jorgo, emër që mund t’a gjeje në çdo pesë grekë. Por edhe në çdo pesë greke njera do të ishte me domosdo “Maria”. Ishin çift i këndshëm dhe të mirëkuptueshëm. Me Marien, Dritën e kishte njohur një fqinjë greke, disa muaj pas ardhjes në Greqi, në 1977, atë vit të tmerrshëm. Donte të regjistronte Gentin tri vjeçar në kopësht, por po e sorollatnin me sigurimin e dokumentave. Në fund i kishin kthyer përgjigje negative, pasi në zonën e mbipopulluar me fëmijë, ku ata banonin, nuk kishin vende për fëmijët vendas. E mërzitur me vogëlueshin në njërën dorë dhe të bijën nëntë vjeçare, Mirelën në tjetrën, ishte kthyer në shtëpi. Nuk do të mundej të punonte pa siguruar kujdesin e të birit. Mirela shkonte në klasë të dytë dhe paraditen e ka!
lonte në shkollë.
I shoqi, Perlati rropatej tërë ditën me një rrogë tepër të ulët, e cila me zor u dilte për të paguar qiranë e shtëpisë dhe faturat e tjera, që zinin njera-tjetren. Ushqimin e siguronin me të lirë në tregun popullor, të cilin e vizitonin mundësisht afër drekës, kur çmimet uleshin ndjeshëm.
Pak minuta pas ardhjes në shtëpi, kishte trokitur fqinja e moshuar greke, me fytyrë të ëmbël dhe zë të ngrohtë. Mbante në dorë një pjatë të mbuluar me letër alumini.
”Pak ëmbëlsirë për fëmijët”, i kishte thënë duke u përpjekur të mos i jepte rëndësi veprimit që kryente. Drita ishte munduar t’a falenderonte, duke e zbutur hidhërimin në zë e në pamje. E kotë! Tjetra e kishte kuptuar menjëherë dhe si një nënë e dhembshur i kishte fërkuar duart duke e shtyrë t’ia tregonte marazin. Ky i fundit, së pari, i ishte çliruar nga sytë. Pastaj i kishte zbritur tek hundët, duke e detyruar të vraponte në kuzhinë për të marrë peceta e të fshihej. Kur ngashërimi i ishte qetësuar disi, i kishte treguar për mospranimin e të birit në kopësht. ”S’do mundem të punoj”- i kishte thënë përmes një dënese të lehtë.
“Ka zot”, i ishte përgjigjur fqinja e mirë, do t’a rregulloj unë këtë punë”, e kishte qetësuar me zë të vendosur.
Mbasdite ajo kishte telefonuar tek të afërmit dhe të njohurit e saj. Së fundi, një mbesë e siguroi se nëpërmjet një tjetër shoqeje, që njihte drejtoreshën e kopështit, do t’a ndihmonin nevojtaren. Për fat, ndihma qëlloi e dyfishtë. Genti u pranua në kopësht dhe Dritën e kërkoi t’a punësonte në shtëpinë e saj, për tërë javën, pikërisht, mbesa e fqinjës ndihmëdhënëse. Dhe kjo ishte Maria, që sot festonte ditën e emrit, së bashku me qindra Marie të tjera në të tërë Greqinë, një ndër pesë që merrnin urime gojore apo telefonata nga të afërm e të njohur, ku, pjesën më të madhe e zinin Jorgot! Edhe Jorgoja i saj duke qenë se Marisë së tij i pëlqenin shumë margaritat, i kishte blerë një tufë, të cilat i kishte vendosur në dhomën e gjumit. Drita e mësoi këtë nga Stela, e bija e tyre, moshatare me Mirelën e saj, e cila atë ditë nuk kishte shkuar në shkollë, për punë seminari që kishin mësuesit.
Lule-margaritat e saj Drita i vendosi në një vazo me ujë dhe u gjeti një vend në sallon.
Lëre Stelën të flejë sa të dojë, me qënëse s’ka shkollë, i tha duke u larguar, pas përqafimit falenderues që i bëri Dritës. Përshëndeti dhe qarkoi flokët e verdhë dhe të hollë pas veshit, aq të holla e të drejta, a thua ishin menduar për t’a pyllëzuar atë krye femre. Bashkëshortët, ekonomistë, punonin të dy në të njëjtën firmë. Dy herë në javë, Drita shkonte për t’u pastruar zyrën.
Tek pinte kafenë e mëngjesit, Drita po mendohej ç’të gatuante atë drekë. Kur Maria nuk e porosiste menynë, duhej të mendohej ajo vetë. Vendosi t’u bëjë një picë, ushqimi më i pëlqyer për Stelën. Vajza e donte shumë Dritën. Vitet e qëndrimit të kësaj në shtëpinë e tyre, e kishin kthyer në pak dado. Aq më tepër afërsia në moshë e dy vajzave e përforconte këtë. Kështu që, qortimet e gruas, vajza nuk i merrte kur për ters, madje, shpesh u llastohej atyre.
Do vi të pastroj ballkonin. Në një cep të tij, Jorgoja kishte lënë një thes të madh të mbushur me dhe për t’ua ndërruar luleve nëpër vazo. U mundua të ndotëte sa më pak dyshemenë, për të mos i vështirësuar punë vetes.
Në ballkonin e pallatit përballë, e përshëndeti Baku, i ngjashëm me një qen ujk. Sa herë që Drita përkulej majtas e djathtas duke dhënë e marrë me thasë e dhera, aq herë e shoqëronte koka e Bakut, e cila dilte nga një kuadrat kangjellash. Kur Drita hyri brenda, ai protestoi me të lehura, për braktisjen që i bëri mikja e përditshme.
Në kohën që vuri ujin për t’u ngrohur, e të zinte brumin, hyn Stela.
- Mirëmëngjes, përshëndeti duke vazhduar të shtriqej e kujdesuar të mbahej pas orendive më të afërta, për të mos humbur ekuilibrin. -Ç’do gatuash sot?
- Ajo që të pëlqen ty, i tha tjetra me kënaqësinë e pëlqimit që do shkaktonte tek vogelushja.
- Zemra ime, i tha e vogla dhe e përqafoi. - Sa mirë që jemi të dyja sot në shtëpi! Do të kënaqemi!
Drita buzëqeshi e përkëdhelur dhe e urdhëroi me tonin e dados, që s’pranonte kundërshtim, të lahej, vishej e krihej, e të mos dembelosej më tepër.
Stela pohoi me kokë dhe vazhdoi të ndërronte kanalet e televizionit. Befas vuri re margaritat në vazo.
- Sa të bukura! Ti i prure? pyeti Dritën.
Tjetra pohoi me kokë.
- Për festën e mamasë tënde, shtoi.
- Të tilla i bleu edhe babi, vecse i ka vendosur në dhomën e gjumit.
- S’kam hyrë ende atje.
- Drita, (i thërriste në emër, se kështu kishte dashur vetë ajo). E di çfarë i tha babi mamit kur i dhuroi lulet?
- Hë, -kureshtoi tjetra, me kënaqësinë e dëgjimit të ndonjë pjese paksa teatrale, mbushur me shprehje dashurish e përkushtimesh.
- Dua të të shoh gjithnjë të lumtur, vazhdoi Stela. -Kurrë nuk do lejoja, në çfarëdo çasti, të të shihja të bëje të tillë punë, si Drita e gjorë!
Dritës iu kthye marazi i zi. Më i zi se atë dite kur nuk ia pranuan të birin në kopësht dhe iu pre shpresa për të punuar. Rrallë herë ishte ndierë kaq keq. Lëndesa ishte më e madhe se sa pritjet shumorëshe nga kapriçiot e doganiereve grekë apo shfryrjet mesjetare, të qëna e të paqena të kanaleve televizive ndaj shqiptarëve.
Stela shkoi të lahej në banjo, kurse ajo u plas në një nga karriket, që qarkonin tavolinën e kuzhinës. Ktheu kafenë që kishte ngelur në fund të filxhanit. Donte tjetër! Uji po ziente.
- Drita, kur bëhet gati pica? pyeti vajza.
Ajo vuri re ujin që ziente. Se mos vetëm uji! Të gjitha orenditë e shtëpisë, e gjithë bota!
Do t’ia thoshte dy fjalë Marisë, kur të kthehej! Kurrë nuk i kishte kthyer një fjalë, jo më dy! Ajo, nuk u drejtohej atyre me “zotërinj”, sepse ata vetë nuk kishin dashur, për t’a bërë Dritën të ndjehej më e shpenguar. Por, sot, vërtetë do t’ia thoshte Maries dy fjalë! E para, qe do të paralajmëronte stuhinë, do të ishte “zonjë”! “Zonja Marie”! A e di ti, se…etj. etj.
Stela nuk u kënaq me shoqërinë e Dritës atë ditë. Rreth orës një duhej të vinte Maria. Ajo vinte gjithnjë para Jorgos. Për fat të keq atë ditë arriti ai i pari në shtëpi. Maria do të vonohej dyqaneve. Po e mbysnin ato dy fjalë. E pse të mos i’a thoshte Jorgos? A nuk kishte qenë ai, që i kishte lëshuar ato fjalë?
- Si ia kalove Drita? U lodhe? -pyeti ai me shprehjet e përditshme.
- Tjetër gjë më ka lodhur sot, zoti Jorgo!- i tha ajo me seriozitet të zymtë.
Burri u step. E kishte parë Dritën shpesh herë të mërzitur, nga hallet që kanë zakonisht njerëzit dhe ata të dy, burrë e grua, i kishin afruar gjithnjë ndihmën kur kishin mundur. Por, kjo e sotmja ishte tjetër gjë. Tek “zoti, Jorgo”, ai pa akuzën.
- Çfarë, Drita? -pyeti sërish me zë shfajsues dhe sqarues njëkohësisht.
Ajo vështroi vazon me margarita, që ia kishte sjellë Maries.
- Ju, nuk do t’a linit gruan, sido që të ishin rrethanat, të punonte si unë?
Stela dicka rrëzoi në dhomën e saj. Jorgoja kuptoi përse bëhej fjalë dhe u gatit të shpjegohej. Por, Drita foli para tij.
Kam lindur pas pesë vëllezërve. Prindërit gati nuk besuan, që u lindi vajzë pas aq djemve. Ime më, së bashku me një teze beqare, deri vonë nuk më linin të zija punë me dorë. Më mësuan të brishtë dhe të përkëdhelur. Pas mbarimit të pedagogjikes, më caktuan arsimtare në një shkollë fillore, jo larg shtëpisë. Në emërimin e afërt, ndihmoi një mik i babait, që punonte në komitet. Tim shoq, Perlatin e njoha në punë. Mësues edhe ai, në tetëvjecare, jepte fizikë. Kur u martuam, m’u betua, se do të më bënte gruan më të lumtur në botë. E lumtur isha me të !
Ndërrimi i sistemeve, n’a e vështirësoi gjendjen ekonomike. Kishim Mirelën të vogël dhe rrogat e arsimtarëve mbetën nga më të ulëtat e buxhetorëve. Por, Perlati, me kishte premtuar, se gjithë jetën do të isha e lumtur me të!
Ngriti një dyqan të vogël, në pjesën e parme të shtëpisë, nga i cili, nxirrnim fitim jo të ankueshëm. Njërën dhomë të shtëpisë e kishim kthyer në depo, pasi dyqani ishte i përmasave të vogla. Cfarë nuk shisnim! Që nga artikujt ushqimorë e deri tek ato industriale. Punonim me radhë, herë ai e herë unë, deri në atë vit të llahtarshëm, 1997-të, kur u rrëmbyen armët.
Në një nga ditët e cmendurisë, kur plumbat hidhnin valle, me vjen djali i fqinjës tetë vjec, për të blerë sheqer. Nuk kisha në dyqan!I thashë të më priste, sa t’a nxirrja nga shtëpia. Në kohën që do të hyja brenda, dëgjoj zhurmën e një makine, që afrohej me shpejtësi. Instiktivisht, kthej kokën, që të sigurohesha për djalin, pas largimit të saj. Kushedi, c’të rinj të cmendur qëllonin nga ajo! Disa krisma të forta armësh, në ajër, dhe vogelushi u shtri përtokë. E kishin qëlluar pa dashje! Vrapova mes thirrjeve dhe këmbët më dridheshin si gjethe nga era më e lehtë.
E shihja cdo ditë në oborr, tek imitonte heronje të filmave me aksione, Batman, Superman, e ku t’a di unë!
E kujt mund t’ia merrte mendja, që një ditë, mbi trupin e tij do të luhej një skenar i vërtetë?!
I ke vënë re sytë e fëmijëve, me dhimbjen e zhgënjimit, kur goditen gabimisht nga te rriturit? Atë dhimbje kishin sytë e tij, kur u përkula të ngre trupin e qëlluar.
Atë natë, së bashku me tim shoq, vendosëm të largoheshim në rastin më të parë nga vendi. Donim të ruanim jetën e dy fëmijëve tanë. Genti dhe pak mbushte vitin.
Përvec kësaj, Perlati, më kishte dhënë fjalën, se do të më bënte të lumtur! S’ka lumturi nën frikë!
Dhe ju, zoti Jorgo, thoni se s’do t’a linit gruan të punonte si unë?!
Erdhëm në Greqi, me ndihmën e disa të afërmve të tij. Punonte ku të mundej, për pak para rropatej tërë ditën. Unë rrija në shtëpi e kujdesesha për fëmijët. E ndjenim se ai vit n’a kishte plakur edhe dhjetë vjete të tjera. Vajza filloi klasën e parë dhe unë i kërkova të rregullonim djalin në cerdhe a kopësht, për të punuar edhe unë. Ai ngurronte. Nuk i pëlqente të më fuste në punë të tillë! Një ditë e kundërshtova ashpër, duke i thënë, se kjo mosdashje e tij, nuk më bënte aspak të lumtur.
Ishte një ditë e ftohtë dhjetori, prag krishtelindjesh, kur më tha, se do të kthehej vonë atë ditë, pasi do të shtronte pllakat e një apartamenti. Këtu e mësoi këtë zanat. Është shumë i lodhshëm, pasi tërë kohën duhet të rrish ndenjur në gjunjë. Pronari i shtëpisë do t’i paguante një pagë qesharake, prej gjashtë mijë dhramish, në dymbëdhjetë orë! Megjithatë, pranoi të shkonte. Me dymijë dhrami do t’u blente nga një lodër fëmijëve për festën, që n’a e kishin kërkuar me kohë. Me të katërtat që do të n’a tepronin, do zinim hallet e pazënshme.
Kur u kthye, i tejlodhur me kurrizin e përkulur nga qëndrimi shumëoresh gjunjësh, gati sa nuk qava. E shoqja e pronarit i kishte kërkuar t;a ndihmonte në ngarkim-shkarkimin e disa mobiljeve të rënda, andaj e kishte vonuar akoma më shumë ardhjen. Në mes të falenderimeve të shumta ata i dhanë paratë të futura në një zarf. Atij i kishte ardhur turp t’i nxirrte e t’i shihte në sytë e tyre. Mbase për punën e tepërt, të hamallit, që i kishte kërkuar zonja, mund t’I kishin future dicka më tepër. Për të shmangur cdo diskutim, ata ia futën në atë zarf.
Fëmijët iu hodhën të atit në qafë dhe i kujtuan dhuratën e premtuar për krishtelindjet. Tërë kënaqesi, ai hapi zarfin, për t’u treguar, se aty brenda ndodhej “çelësi” që do t’u siguronte lodrat. Brenda gjeti vetëm katër mijë dhrami!
Dhe më thoni, se s’do t’a linit gruan të punonte si unë, zoti Jorgo…?!
Im shoq më do! Por dhe unë e dua shumë atë…!