Përshkruesit elektrikë të troles, që zgjateshin si dy antenat e një insekti të madh, bënë masë dhe nga ajo rrufe e vogël e shoqëruar me një si bubullimë, nga përplasja e njërit prej tyre në tokë, tek u shkëput nga shina e kabllove të korentit dy-tri metra mbi tavanin e automjetit, pasagjerët brofën, duke u mbajtur në shufrat metalike më të afërta, për t’u bërë ballë përplasjeve të mundshme të shkaktuara nga inercia.
Dremitjen e lehtë, Dhurata e kuptoi nga goditja që i bëri xhamit të dritares pranë ndenjëses ku ishte ulur.
Ndjenja e mërzisë nga pritja e paditur e rregullimit të troles, u shoqërua me shtimin e ankthit që e ndiqte sa herë parakalonte këtë segment rruge, që pavarësisht gjelbërimit dhe ndërtesave komode, i ngjallte një trazim pikëllues. Tek zbrisnin mërzitshëm nga automjeti, pasagjerët hidhnin vështrimin tek vila përballë, përtej murit të së cilës dukeshin currilat e një shatërvani.
Desh, s’deshi e pa edhe ajo, shtëpinë e zonjës Leni, nga ku ishte larguar para një viti, pas një pune tri vjeçare.
Jam ngushtë ekonomikisht, i kishte thënë ajo Dhuratës, tek përpiqej t’u jepte formë flokëve me llakun që e mbante mbi banak, pranë pasqyrës së tualetit. Kemi marrë kredi nga banka për ndërtimin e shtëpisë në bregdet. Pjesa më e madhe e fitimit të firmës shkon për pagesën e saj.
E kishte vënë llakun në vendin e duhur dhe kishte marrë të kuqin e buzëve. I harkëzoi duke shtruar kremin mbi to dhe përtypur me njera-tjetrën, si të zinte brumë.
Sa të shlyejmë kredinë do të t’a rrisë pagën, i kishte thënë.
Dhurata kishte heshtur. Këtë premtim e kishte dëgjuar edhe para një viti, megjithëse aty puna i shpërblehej me një pagë nën mesataren. Zonja kishte nxjerrë si shkak të “mospasjes”, furnizimin që kishte kryer i shoqi në Kinë me materialet e nevojshme për prodhimin e stolive të ndryshme artistike, specifikë e firmës së tij. Festa e Krishtëlindjeve po afrohej dhe Andoni, i shoqi i Dhuratës, kishte filluar të kthehej gjithnjë e më vonë në shtëpi, nga shtimi i punës në fabrikë.
Edhe ne grekërit e dimë ç’është emigrimi. Prindërit e mi punuan me vite të tëra në Gjermani, u përpoq të njëjtësohej ajo. Puna nuk është turp, apo jo, u përgjegj thuajse vetë duke ndriçuar të tëra shqisat e fytyrës me një buzëqeshje, sikur sapo ia kishte ngjitur dikush me dorë.
Sigurisht, tha diçka Dhurata.
Na dhimbsen emigrantët, prandaj kemi punësuar shumë prej tyre, vazhdoi ajo, duke hapur një kanat dollapi, në cep të korridorit, nga ku kishte nxjerrë një palë këpucë, që hezitoi t’i vishte. Nxorri një palë të tjera dhe pavendosmëria apo dëshira për të kuvenduar ende, e detyroi të pyese Dhuratën.
Kë më këshillon të mbath?
Nga bukuria e tyre edhe tjetra ishte stepur. Që të dyja shkonin me veshjen. Zonja Leni u duk e kënaqur nga befasia që shkaktuan ato tek më e reja dhe për t’a shijuar më tej atë, i tregoi:
Këto (për të parat) m’i bleu Kosta para gjashtë muajve në Venecia. Ke shkuar ndonjëherë atje?
Jo, tha tjetra, me ndrojtjen e një të paditure për gjëra tepër të rëndomta.
Festuam njëzet vjetorin e martesës. Nuk të them se sa kushtuan. Nuk do t’a besosh, e mishëroi ajo. Ndërsa këto, kishte marrë ajo të tjerat si një reklamuese malli në një dyqan këpucë-sandalesh, i mora në Mathatan. Në të kthyer, blemë “benz-in” në Gjermani.
Në përkuljen për t”i veshur këpucët, ato veneciane, harku i telit të sytjenave, me të cilat shpresonte t’a mbante sa më të ngritur gjoksin e varur nga mosha, e kishte vrarë pakëz.
Vafshi në djall, tha ajo e inatosur, duke futur dorën nën bluzë në perpjekjen e sikletshme për t’i rregulluar. Njoh një kirurg të mirë, që nuk merr shtrenjtë për operacionet plastike. Treqindmijë dhrahmi i mori një shoqes sime, e cila nuk përdor më sytjena dhe ka një gjoks si të një vajze njëzet vjeçare, i tha zonja me një pëshpërimë intimituese, që Dhurata nuk e kuptoi, në ishte për sasinë marramendëse të parave, siç e gjykonte ajo, apo për hijeshinë e gjoksit të shndërruar të së shoqes, që sado, në origjinë, nuk ishte fiziologjike.
Andoni i saj dhe punëtorët e tjerë kishin mbi katër muaj pa u paguar. Pronari u kishte thënë se “nuk kishte’. Por, ai “do të kishte” së shpejti. Sa të lante ato dreq kredish, për të cilat mllefte si të ishin armiku i përbashkët i tij dhe i punëtorëve, që e bënte të ndjehej në një “front”me ta!
Zonja Leni ia la pagën e fundjavës mbi tryezë, duke e kujtuar për mbylljen e dyerve dhe dritareve para largimit.
Mirupafshim kukulla ime, i tha sa më ëmbël mundi, me rrezatimin konstant të buzëqeshjes në fytyrë, duke balëruar mbi takat veneciane dhe hapur derën e Benz-it gjerman. Për t’a siguruar për çiltërsinë e saj, i deklamoi vlerësimin e veçantë.
Jam e kënaqur me ty. Për mua nuk ka rëndësi në je bullgare, rumune apo shqiptare... Je e mirë, kjo vlen!
Dhurata u ngroh.
Para se të ngrinte xhamat, i bëri shenjë me kokë të afrohej dhe si t’i besonte një të fshehtë, nga ato qe nuk i thuhen kujtdo, i foli;
Edhe unë kam një të metë...si të gjithë njerëzit. Nuk më pëlqen të kem ndihmëse një grua me ngjyrë. Nuk dua të jem raciste, por shërbimi nga duar të zeza nuk më pëlqen.
Iku. Dhurata vendosi në vend këpucët manhatiane dhe nxitoi të mbaroi punët e mbetura.
Çudia që e gjeti të shoqin në atë orë të vonët në shtepi, ishte më e madhe se sa pagesa për operacionin plastik të zvogëlimit të gjoksit të zonjës Leni. I ulur në tryezë me të dy djemtë nuk e kishte prekur pjatën.
Kemi grevë, ç’kureshtoi ai shikimin e saj.
Pse?
Kaluan katër muaj dhe akoma nuk na ka paguar. Qeni! Pret të marrë përqindjen nga banka për të na paguar neve. Pa le, t’a shohësh kur vjen e na qaravitet: ”Nuk kam! Jam ngushtë. Blerja e materialeve më shkundi fare. Më thotë një mendje t’a mbyll firmën, por kur kujtoj tërë këta punëtorë, që me këtë fabrikë ushqejnë familjet e tyre, qëndroj”. Iu këput barku për ne!
Do largohem nga puna Dhurata! Do kërkoj tjetër.
Ai nuk e thirri më emrin e shkurtuar Lata. Të plotin e përdorte në zënka ose vendime serioze. Ajo u shqetësua.
Je në vehte, u përpoq t’a qetësojë. Largimi yt është i lidhur me timin. Megjithëse zonja Leni sillet mirë me mua, mund të ndodhë që në shenjë hakmarrje, të më zbojë edhe mua.
Domethënë, tha ai, jemi të lidhur si vëllezërit eskimezë?
Me sa duket..., qeshi ajo duke u përpjekur t’a ngasë më tej humorin e tij.
Andoni nuk iu përgjigj dëshirës së saj.
Po sikur t’i ndajmë këta vellëzer? Operacine të tilla sot janë plotësisht të mundura, gati i pëshpëriti në vesh, a thua se efekti trembës i tyre, mund të shmangej a të tërhiqej më lehtë, kur mëtohej në këtë mënyrë.
E shoqja e vështroi pakuptueshëm.
Si? i tha.
Largohu ti në fillim, e inkurajoi ai me entuziazëm, duke e shtrënguar nga supet, si për t’i përçuar praninë e tij në çdo vështirësi që mund t’u sillte kjo ndarje “eskimezë”.
Njësoj nuk është? ia fashiti ajo shpresën. Largimi yt do të sillte edhe timin.”Operacioni”do të dështonte.
Ai përplasi me tërbim një nga jastekët e krevatit të tyre. E ringriti dhe me dorën e trashë të një punëtori të regjur, e shtrydhi në një të tretën e pjesës së sipërme te tij, duke i dhënë pamjen e një dordoleci kokëqoshes dhe trup e gjymtyrë ngjitur. E grushtoi përsëri dhe e lëshoi mbi krevat, si ata që kishin mbaruar punë.
Vështrimi i ironizuar i Dhuratës u ironizua ëmbël.
Do ndash jastëkun më dysh? Shkojmë hamë.
Andoni me shokët e tjerë u paguan pak para se të mbaronte muaji i pestë i mospagesës. Bashkë me të shoqen, në mbrëmje, i numëruan paratë mbi krevat, duke i grupuar në kartëmonedha sipas vlerës së tyre, si veprim i rëndomtë tregëtarësh.
Disa prej tyre shkuan për larjen e borxheve. Në ditët që pasuan i rinumëruan përsëri tërë qejf. Por, kur muajin e ardhshëm, pronari ishte gjetur përsëri në vështirësi ekonomike dhe ulja e nivelit të kartëmonedhave dallohej lehtë me sy, Andoni ia futi përsëri me grusht jastekut.
Në fund të muajit pasardhës e kapi përsëri për fyti. Ai u shqep në një cep të tij nga tendosja e fortë, duke vjellur disa shuka pambuku.
Të lumtë, e munde, i tha Dhurata me zemërim të përmbajtur.
Nuk shtyhet kështu kjo punë, i tha ai.
Kemi zgjidhje tjetër?
Do kërkojmë!
Ku? Si? gati mohoi ajo.
Në gazetë! Gazeta “Eleftherotipia” ka faqe të posaçme lajmërimi për punësim. Të gjejmë ndonjë shtëpi që kërkon ndihmëse çdo ditë dhe pasi të marrë pagesën më të afërt do largohem edhe unë.
Gazetë, përsëriti ajo.E paskan pasur një mundësi dhe nuk u kishte shkuar në mendje. Filluan të bënin plane me entuziazmin që të jep shpresa për një fillim pune të mbarë. Dërguan në kinkalerinë pranë shtëpisë së tyre një nga fëmijët për të blerë gazetën. Filluan telefonatat duke përzgjedhur vendet më të afërta të punësimit. E para që iu përgjigj Dhuratës ishte një grua e moshuar, e cila u interesua të dinte kombësine e tjetrës.
Nuk dua shqiptare, i tha prerazi dhe mbylli telefonin.
Tjetra, me të cilën foli pas saj, nga zëri dukej të ishte rreth të dyzetave.
Kërkoj ndihmë për nënën time, i foli ngrohtë. Dhuratën e rrënqethi shpresa. Zemra i rrahu kur ndjeu erën e fitores të cilën më pak mund do t’a shtinte në dorë.
Por, oh! Sa keq! Ajo i kërkonte të qëndronte me të moshuarën ditë e natë.
I treti ishte burrë. Edhe ky e pyeti për vendardhjen.
Nuk punësoj shqiptare, i foli aspak i nervozuar apo i ngrysur. Kam frikë se më vjedhin, ishin fjalët e fundit para mbylljes së receptorit, sikur të dyshonte në funksionimin normal të ndonjë shqise të shqiptarëve.
Andoni turfulloi.
Provoje për herë të fundit, i tha duke i treguar një lajmërim në gazetë. Po qe se n’a fyejnë sërish, do t’i shaj.
Dhurata u mbështet në dy jastekët e krevatit për t’i ruajtue nga ndonjë grushtim i afërt.
Urdhëroni, dëgjoi tej receptorit zërin e një gruaje të re.
Mësova që kërkoni ndihmëse në shtëpine tuaj, i foli Dhurata.
Po, u tregua tjetra e gatshme të dëgjonte. Pasi mori të dhënat e nevojshme, arriti tek pyetja fjalëkalimtare.
Nuk më thatë, nga ç’vend vini?
Nga Shqipëria, i tha tjetra qetë dhe zë plotë.
Bukur, u kënaq zëri i largët .Një mikesha ime ka punësuar një shqiptare dhe prej vitesh janë mike shumë të mira. Keni mundësi të filloni të hënën e ardhshme?
Me kënaqësi.
Receptorët u rehatuan në foletë e tyre, pas kundërshtimeve të mirësjellshme që i bënë njeri-tjetrit, në përpjekjet për të treguar se kush e kishte nderin apo detyrën për të falenderuar.
Andoni e përqafoi të shoqen së bashku me jastekët.
Si t’ia them zonjës Leni, u merakos shpejt Dhurata.
Siç na e thonë neve, ”nuk kemi të presim”!
Të duket e lehtë?
Ata s’e kanë aspak të vështirë.
Për dy ditë Dhurata përtyi një sërë hyrjesh për t’i kumtuar së zonjës largimin nga puna. Asnjëra nuk i dukej se dilte natyrshëm. Provën e fundit e bëri të premten në mbrëmje. Jo se ajo e kënaqi, por e pa si përfundim të përpjekjes për të shpëtuar nga ky siklet. Sa herë që matej t’ia niste bisedën zonjës, aq herë i dukej se po kryente pabesi. Ia tha në çastin e fundit mes një rrëmuje fjalësh, që iu desh kohë t’i rendiste siç duhej.
Zonja Leni, i tha tek ndjeu një nxehtësi dhe mpirje në pjesën e sipërme të kokës dhe përgjatë shpatullave e zverkut, ndërsa tjetra po i zgjaste pagën e fundjavës.
Duke e marrë gjendjen e Dhuratës, si mundim për t’i rikërkuar ngritjen e pagës, tjetra iu përgjegj shpejt e shpejt:
Sapo të kem mundësi, do të t’a rrisë vetë. Tani, nuk kam. Im shoq porsa pagoi tërë ata punëtorë. Me ekzistencën e firmës sone lidhet jetesa e shumë familjeve.
Dhurata e step. Nuk e kuptoi nëse fjalët e tjetrës ishin kërcënim, apo thjesht shmangie nga biseda. Provat e bëra u shvlerësuan në çast dhe ndjenjën e turpit e zuri një zhgënjim zemërak.
Nuk kisha ndërmend të të kërkoja ngritjen e pagës, i tha
Zonja Leni e pa e qetësuar, duke mos i vlerësuar më efektet e bisedave të mëpasme.
Do iki, i tha Dhurata, e cila nxitoi të fliste me një frymë, nga frika e ndryshimit vetëmocional, diktuar nga shushatja e tjetrës. Kam gjetur tjetër punë. Atje mundin të më paguajnë. Kemi për të larë borxhet në pritje të pagesës së tim shoqi.
Tjetra heshti, si të mos ia vlente të dialogonte para një mosmirënjohjeje kaq të madhe. U largua nën kërcitjen ritmike të këpucëve, kryeneçe dhe pa e shmangur kokën apo trupin nga ecja drejtvizore, si për të treguar, që jeta e saj kështu do të ishte ngaherë, e pacënuar.
Fillimi i punës në shtëpinë e re, pak stacione më poshtë se shtëpia e zonjës Leni, u shoqërua me pushimin e Andonit.
“S’kam t’i paguaj tërë punëtorët”, i kishte thënë pronari.
Tjetri e kishte sharë.
Ndërkohë që dikush lajmëroi për rregullimin e troles, Dhurata pa edhe njëherë vilën ku kishte punuar për tri vjet me radhë. Pasagjerët hipën. Në nisje të saj, ajo pa të dilte nga vila e zonjës Leni, një grua me ngjyrë...!