Megjithëse ora po i afrohej dhjetë të paradites, Kristos nuk i kishte dalë ende gjumi, tek e kishte zënë me rrobat e festës mbi kanapenë e gjerë, përballë së cilës, zjarri i shuar në oxhak, e ruante akoma ngrohtësinë. Prej vitesh të tëra e festonte me shoqërinë “ditën e emrit”, që përkonte me festën më të rëndwsishme vjetore, krishtlindjet. I ndodhur në mes të afërmve dhe miqve, i pështjelluar nga urimet e shumta të tyre, i dukej se edhe ai rilindëte paksa.
Mbetjet e ushqimeve dhe pijeve të bollshme, mbi tryezën në të djathtë të oxhakut të sallonit të madh, letrat e bixhozit dhe gurët e rrëzuara të shahut, si të hedhura mbi sheshtina parmakësh e banakësh, llampushka formëndryshme që qarkonin bredhin në tjetrin cep të hapësirës, një varg prej të cilave ekzekutonte akoma sistemin rë-lë të ndërtimit të saj, ishin shkaqet e dëfrimit dhe raskapitjes të orëve të gjata të asaj nate.
Këtë vit festimi i krishtlindjeve kishte pasur një shije të vecantë. Prej muajsh ishte larguar nga qyteti i tij i Athinës për në Selanik, tek kryente studimet e larta. Malli i madh që shoqeron të gjithë të larguarit për herë të parë nga shtëpia, e kishte bërë më të ndjeshëm ndaj kësaj nate.
Dëgjoi zhurmën e një capitjeje të lehtë e të shkathët. Nuk ishin të së ëmës; i njihte mirë ato.
Tek ishte shtrirë për të fjetur, i ruajtur nga ngrohtësia e ambientit, i kishte mjaftuar mbulimi me një batanije. Kureshtja nën atë gjysmëzgjim, me kokën e futur nën të, ia kishte ulur mbulesën deri pranë fytyrës, me thekët mbi sy, nga ku ai mund të shihte pa frikën e pikasjes, sipërmes grilave, shkaktarin e capitjeve. Ishte një grua e re e panjohur, që përpiqej të vinte rregull në atë mish-mash të jashtëzakonshëm rrëmuje. Kujdesi për të mos zgjuar studentin nuk ishte edhe aq rezultativ, mes tringëllimave cingëritëse të gotave të kristalta, që ajo mundohej t’i largonte nga tryeza e madhe për t’i cuar në lavaman, duke ngritur dy a tri me secilën dorë, buzët e të cilave cikeshin, ashtu sic kishin bërë me dhjetëra herë gjatë natës së shkuar.
Nuk ishte Valentina, pastruesja e qeshur dhe hokatare, që punonte prej vitesh në shtëpinë e tyre. Po të kishte qenë ajo do t’i thoshte pa tëkeq, t’a linte të flinte edhe pakëz. E dinte që ajo do t’i përgjigjej, gjithashtu pa të keq: ”Gjumash! Të të lesh ty, në mbrëmje zgjohesh. Në moshen tënde unë flija e shumta në nëntë të darkës dhe zgjohesha në shtatë të mëngjesit. U prishën të gjitha, koha, njerëzit, ditë-nata!”
Oh, sa i flihej! Gruaja shkaktonte zhurma të lehta. Megjithatë, ato nuk ishin acaruese. Kishin nje farë rezonance në takimet me njëra-tjetrën, si muzikë e lehtë. Ishte dhe e hijshme! I thoshte mendja se s’mund te ishte më shumë se tridhjetë. Ku ishte Valentina? Mos ishte kthyer përgjithnjë në vendin e saj? Zbuloi kokën dhe pyeti gruan:
Cila je ti?!
E cuditur, ose nga befasia e shfaqjes së tij, o nga pyetja e bërë, me një hutim jo shumë të natyrshëm, u përgjigj si personazh përrallash:
Jam pastruesja!
Studentit tw ri iu bë sikur i tha “jam njeri”, përgjigje vajzash tw virtytshme, të braktisura në pyje a shkretëtira prej fatesh ogurzeza, e të gjetura rastësisht nga njerëz zemërmirë, ne rastet më të mëdha, barinj. Pra, kjo ishte pastruesja-njeri, që me atw përgjigje njëfjalëshe i lutej të mos i bënte keq, të mos mbante mëri për zgjimin e padëshirueshëm.
Ajo u përpoq t’i fashiste më tëpër zhurmat, megjithëse nga gjysmë-zgjimi i studentit duhej të ishte më e shpenguar. Kristos i bëri sërish përshtypje hijeshia e të ecurit, lëvizjeve dhe vështrimit të saj. Sikur nuk ishte mendërisht aty.
Ç’pune ke kryer në vendin tënd? e pyeti sërish.
Megjithëse e pa në sy, ai e kuptoi se nuk shikonte ato të tiat. Përgjigjja e vonuar, ishte nga ato, që nuk të linte të kureshtoje më tej.
Pastruese!
E vetmja që i riu nuk priste të dëgjonte. I kishin thënë se emigrantët edhe gënjenin për profesionin e tyre, duke ia rritur vlerat vetes. Gënjeshtra në të kundërtën, i dukej e pabesueshme dhe jo logjike. Gjithsesi, pastruesja të linte përshtypjen se vlente për më tepër.
Nga kati i dytë që lidhej me të parin me shkallë spiraleje, dëgjoi hapa zbritëse. Këto ishin të së ëmës. U mbulua sëish me kuvertë, duke u kthyer me fytyrë nga shpinëmbështetësja e kanapesë. Donte të kotej akoma. Nuk dëshironte që e ëma ta pikaste zgjimin e tij e t’ia fillonte kuvendit. I zbriste ngadalë shkallët. Besonte se ai flinte ende. Mirëmëngjesoi pastruesen dhe duke vënë dorën tek goja që iu hap nga mosngopja me gjumë, i tha se pihej kafe. Përgatiti dy të tilla dhe e ftoi të renë të uleshin në pjesën e boshatisur të tryezës.
Ke punë sot! konstatoi ajo gjendjen e rëndë ekologjike të shtëpisë, duke u vetëdënuar lehtë e me humor, si një nga shkaktarët kryesorë të katastrofës.
Tjetra buzëqeshi lehtë dhe pa miratim të zellshëm, si për t’i kujtuar se për atë punë ndodhej aty. Pastruese ishte! Flisnin ulur, aq sa mund te dëgjonin njëra-tjetrën. Intuita për sigurimin e komunikimit, i kapërcente frekuencat e domosdoshme të zërit për të kaluar nga njëri vesh në tjetrin, kështu,që të bëhej më se i dëgjueshëm, ato e forcuan aq, sa mund të arrinte pa shumë vështirësi ne te gjitha qoshet e sallonit. Për të shmangur bllokimin e veshit mbështetës në jastëk, Kristoja kishte vënë krahun midis tij dhe tëmthit për të lehtësuar dëgjimin.
Valentina më tha se ke qenë mësuese muzike, i tha zonja.
Po! ia ktheu tjetra pas një pauze të lehtë.
Si të quajnë?
Mirela!
S’dihet si të merr jeta, Mirela. Por puna nuk është turp e dashur, u mundua t’i jepte kurajo tjetra. Një ditë mbase i kthehesh sërish pianos.
Pastruesja heshti, duke vështruar gishtat e mufatura nga ujrat dhe të dëmtuara disi nga detergjentet kimikë.
Zonja u çua dhe i bëri shenjë t’a ndiqte. Hynë në një dhomë të vogël, të mbushur me dhuratat e sjella për festën e të birit. I zgjati një kuti me ëmbëlsira. Janë melomakarona. Mos i harro kur të ikësh.
Mirela falenderoi.
Kur i dhurova Valentinës një kuti të tillë, vitin e parë që erdhi tek ne, dhe në Greqi njëkohësisht, i mori pë makarona të lyera me mjaltë. Kur na e tha më vonë ngatërresën, qeshëm të tërë. Ajo qeshi përsëri gazplotë, duke përjetuar skenën e para disa viteve.
Tjetra buzëqeshi, se qeshi ajo.
N’a mungon kur largohet për pushime në vendin e saj! keqardhi zonja. Zakonisht shkon verërave. Është e para herë që na “braktis” në dimër. E duam si njeriun tonë!
Është vërtetë shumë e mirë, miratoi vëmendshëm Mirela. Unë po shkoj të vazhdoj punën, u përpoq të shkëputej andej.
Mirë, tha tjetra. Ndërkohë, unë po përpiqem të rregulloi diçka në dhomën e gjumit.
Mirela vuri re, se studenti e kishte kthyer fytyrën e mbuluar me batanie, gjysmën e së cilës ia zinin thekët, sërish nga hapësira e sallonit. Si nuk sikletoset, mendoi. Mbase e ka rizënë gjumi dhe nuk i ndien.
Iu bë sikur dëgjoi një melodi tëpër, tepër të ulët. Besoi se ishte një nga ekzekutimet e mendjes, që me egoizëm, luante herë pas here për vetveten me poshtëshënimin “te gjitha të drejtat e rezervuara”.
Por, jo. Tingujt u bënë më të dëgjueshëm. Luante një tamburo, violinë dhe një violincel. Ishte “Bolero”! Muzika, po të mos ishte ajo qetësi, e prishur vetëm nga zhurmat e lehta që shkaktonte ajo vetë, mbase nuk do dëgjohej. Tingujt ishin tepër, tepër delikatë, si të mos donin të zgjonin ndokënd. Mendja iu bashkua për të luajtur me to.
Pas pak, një flaut e fluturoi larg, shumë larg, ne rrugicën ku ishte rritur, në dhomëzën nga ku shihej gjithnjë një plep i madh.
Klarineta fryu erërat dhe plepi shkundi parashutat e topthave e topthave të bardhë e të pakapshëm si ëndërr, si këta tinguj të pasigurtë për t’u forcuar.
Pa magnetofonin, ku dritat e vogla ngjitnin e zbrisnin shkallën e frekuencave të notave. Kush e kishte vënë cidinë të luate? Studenti dukej se flinte.
Një harpë dhe një fagotë e shkëputën nga e parëndësishmja e gjetjes së enigmës dhe i folën me zhurmat e qytetit të lindjes, ndjellaëmbël, mjegullues, ku për të punët fillonin herët në mëngjes e mbaronin vonë në mbrëmje, pa trandje të gjithëhershmë, fashitur nga tinguj muzikorë në shkollë, shtëpi dhe rrugë.
Pas një kornoje franceze, paksa më të fortë, që mbështetej diku në sfond nga një flautë, si borë e endur qiellit, dalloi saksofonin tenor. I ati po i fliste për një nga sjelljet e qortueshme fëmijërore. Zëri i tij i plotë e ruante edhe në çaste të tilla tonin baballëk, por Mirelës i rëndonte në shpirt çdo fjalë e tij. Një saksofon soprano e ekuilibroi disi gjendjen. E ëma i përsëriti qortimet e të atit, veçse paraqiti rezultatet e tyre mjaft të kënaqshme, në rast korrigjimi, nga ana e Mirelës, në përpjekje për të shpëtuar situatën. Ajo kishte bërë sic i kishin thënë dhe tingujt e zellshëm të një pikoloje dhe një kornoje franceze, i kujtuan koncertin që kishte arritur të jepte me orkestrën e qytetit. Ia kishin gufuar zemrën shoqërimi i veglave të tjera muzikore dhe duartrokitjet e spektatorëve.
Nga magnetofoni tanimë u përhapën notat e një tjetër kornoje, asaj angleze, të shoqëruara nga dy klarineta.
Një pjatë i shpëtoi nga dora dhe për pak u thye. Traboni pasues ngriti zërin zgjueshëm dhe Mirela u kujtua c’ishte. Një pastruese! E prisnin një mal me punë për të kryer. Akoma nuk kishte mbaruar me enët e kuzhinës. Lëre që nga pastrimi i shtëpisë nuk kishte filluar ende.
Tingujt e përbashkët të violinës, taboros dhe ksilofonit ia nxituan lëvizjet. Pllakat e dyshemesë ishin njollosur nga të shkelurat e ushqimeve të rëna, disa prej të cilave, ajo e dinte që nuk laheshin lehtë.
Shkundi mbulesën e tryezës. Flaku bishtat e cigareve që kishin tejmbushur tavllat. Bobo... Disa pjata me ëmbëlsira ishin gjysmëfshehur në një nga raftet e pambyllura të një bufeje. I duhej të ndante të pacënuarat nga të filluarat. E kishte kokën rrëmujë.
Orkestra luante me të gjitha veglat.
Dreq pune që kryente! E njëjta në “punë”, e njëjta në shtëpi. Ç’kishte qenë ky fat për të, për të gjithë si ajo?!
Ksilofoni luante gjithnjë e më fort. U shoqërua menjëherë nga një saksofon soprano, përsëri traboni dhe violonceli pikëllues.
Iu kujtuan dy vitet e para të punës, kur gjente rast të shfaqte identitetin e saj. Përveç disa vështrimeve keqardhëse që ia nxirnin më në pah ndryshimin e dikurshëm me atë ekzistues, nuk kishte nderë ndonjë ngushëllim mbajtëmendës. Vlerësimin nga punëdhënëset e kishte fituar me punë dhe korrektësi, ndaj nuk e kishte shfaqur më atë, ç’kishte qenë..!
Trompetat oshëtinë më fort akoma.lautat dhe saksofoni ia aktulizuan më shumë gjendjen e tanishme, ndërsa një violinë e parë luante vetëm, sikur lutej t’a harronin. Së fundi kërcitën fuqishëm pjatat metalike, si shuplaka të befasishme, nga ato që të sillnin në vete. Gongu goditi fuqishëm dhe orkestra miratoi në kor fatet shpesh të pashmangëshme që të sillte jeta.
Ndjeu djersitje në trup, paçka se temperatura e ambjentit megjithë lëvizjet e saj të shpeshta, nuk e përligjnin atë. Cidia ishte në të mbaruar. Fill me atë mbarim, një tringëllimë e zgjatur dhe e njëtrajtëshme zileje, u dëgjua pranë derës së jashtme. E hapi dhe u ndesh me çudine e fytyrës së një mesogruaje.
Ku është Valentina, e pyeti ajo gati akuzueshëm.
Në Shqipëri, për krishtlindje.
Ah, ia bëri e para duke e matur me sy lart e poshtë, a thua mundohej të gjente diferencën e gjatësisë midis së resë dhe Valentinës.
Ku është Kristoja ynë? tha duke hyrë.
Studenti ishte ngritur dhe e falenderoi të porsaardhurën për urimin, duke e vendosur pakon e dhuruar prej saj, ku mundi. Bisedoi mirësjellshëm dhe përtueshëm, që tjetra e mori si sjellje te zakonshme të të porsangriturve nga shtrati.
Nuk pata mundësi të vija dot në mbrëmje, pëllumbi im. Ti e di, pata edhe unë të ftuar. A u ambjentove ndopak në Selanik? Na mori malli të të shohim. Edhe Dhimitri im, vitin tjetër mbaron të mësmen. Të shohim se ku do t’i dale e drejta e studimit, në qoftë se nuk fiton dot në Athinë. U rritët, fëmijët e mi. Jeni pothaj të ikur nga shtëpia. Edhe kur të mbaroni, kushedi se ku do të punoni. Pa s’do të doni të jetoni më me ne! Do bashkëjetoni me vajzën e pëlqyeshme dhe kur t’ju mbushet mendja, do të martoheni.
Kjo, cila është? vështroi nga Mirela.
Pastruesja! u përgjigj ai.
Edhe unë në shtëpi e lashë timen duke pastruar. E kam të besuar. I lë çelsat e shtëpisë. Inxhniere ka qenë, më ka thënë. Por, kushedi të vërtetën! Mua më mjafton që jam e kënaqur. Si kalë punon. Kjo, ç’punë ka bërë?
Kristoja e dinte që zëri i ulët me të cilën ata bisedonin, arrinte të dëgjohej nga gruaja e re, siç dëgjohej ajo e saja dhe e së ëmës, tek kuvendonin çaste më parë.
Pastruese! tha butë dhe druajtshëm.