Diskoja në fundrrugën e Dibrës, pak kohë kishte që ishte hapur. Dita e ngrohtë e majit, që çdo njëzetekatër orë vendoste t’i merrte minuta natës, e pa të udhës t’a ndalonte grabitjen ndaj antipodes së saj. Madje, njerëzit, që nxitonin në hallet e tyre disi të mjegulluar nga vapa, as që do t’a kishin vënë re këtë luftë të ftohtë ditë-natë, në qoftë se dritat e para të dyqaneve anës trotuareve nuk do të ishin hapur.
U ndezën edhe dritat e diskos. Fillimisht, dy neonet e vendosura mbi portën e drunjtë e zbukuruar nga gdhendje formëndryshme, në dy anët e së cilës dy luanë, po të drunjtë, kishin çapëlyer gojën, duke parandjerë çmendurinë që i pret vizitorët. Një shirit me llambushka, me funksionim “rë-lë”, , që fillonte tri metra larg portës, ngjitur me trotuarin, bënte një kapërcim sipër saj dhe mbaronte përsëri anës trotuarit, në skajin tjetër.
Dy vajzat që shushuritnin në mesin e dy zgjatjeve llambushkore, hezitonin të hynin. Por, kur nata, vendosi të mos i lëshonte më asnjë minutë ditës, gjë që e miratuan ndezja e disa dritave, në disa apartamente të pallateve përreth, ato hynë.
Elona hodhi sytë e drojtur në sallën pothuajse të zbrazët. Tjetra, bjondja, dy gisht më e gjatë, që nga siguria e ecjes dukej se nuk e kishte për herë të parë, e drejtoi të uleshin në një tryezë, në fund të sallës.
Do rrimë shumë, pyeti Elona shoqen.
Sapo erdhëm! Ende s’ka filluar... , s’është mbushur. . - dhe ndezi një cigare.
Ti do, i afroi ajo paketën.
Apa... pa... pa... , - largoi tjetra tymin me dorë.
E di, që kur të plakesh, do të jesh përsëri e bukur?- e pyeti bjondja, që quhej Elsa.
Jo!
Kur largove tymin me dorë, për një çast flokët e tua të zeza të fshehura pas tij, m’u dukën të thinjura.
Ashtu?- u duk sikur u çudit tjetra e cila nuk po e shpjegonte dot ankthin që ndjente, nga zbrazëtia e sallës, apo nga pritja për mbushjen e saj. Të dyja kundërshtonin njëra – tjetrën.
Si mund të ndjesh ankth nga dy gjëra të kundërta me njëra –tjetrën? -pyeti ajo Elsën.
A? - bërtiti tjetra, sikur t’a kishin pyetur për largësinë e ndonjë galaktike.
Nuk e di se çfarë më tremb! -tha ajo.
E panjohura –pohoi me siguri tjetra.
Çfarë?- i tha Elona, më tepër me një pyetje sqarim vazhdues, sesa moskuptues.
E reja! -vazhdoi tjetra. -Kjo cigare që të mbyti ty, dikur më ka mbytur edhe mua. . , më ka trembur.
Pse e pi atëherë?
Që të largoja frikën. E mësova dhe tani nuk trembem.
Sa herë që trembesh nga diçka përqafon frikën dhe e mbyt atë?
Pothuajse!
Në qoftë të del përpara ndonjë luan, do të luftosh derisa t’a mundësh e të të dali krejt frika?
Shoqja qeshi me këtë pyetje tejet naive të tjetrës dhe nuk denjoi të përgjigjej, veçse nxori pak majën e gjuhës për të treguar se s’i jepte rëndësi.
Më duket se ca sy luani po të kërcënojnë pesë tryeza larg tonës, në të djathtën tënde - i tha ajo.
Elonës iu kthye përsëri ankthi. Nuk donte t’a shihte atë ”luanin”! Ankthi nuk iu pakësua. Duhej t’a shihte që t’a thynte atë. Duhej trembur frika. Si Elsa. Lëvizi pak karrigen kur u çua gjysmëndenjur në të, a thua se dystonte fustanin nga rudhat e krijuara nga ulja. U mundua të shihte në hapësirën e krijuar nën sqetull. Aty e pa edhe ai “luani”! U ul. Për një çast mendoi se iu largua ankthi. Ndoshta ngaqë ato nuk ishin sy të uritur luani, por të urtë, të ngopur. Ankthi iu kthye përsëri. Pikërisht se sytë e luanit ishin të ngopur. Pra, nuk ishte i egër... nuk ishte luan!
Akoma s’kanë ndërmend të fillojnë, po na zë gjumi, -tha Elsa e mërzitur për orkestrën, që nxirrte disa tinguj pa kuptim e të shkëputura njëra nga tjetra.
Pas disa minutash tingujt u lidhën nën ritmin e një rroku të fortë e shpërthyes, që me tonet e larta e harbute ndaj qetësisë së sapoprishur, lajmëruan për mbretërimin e tyre disa orësh. Askush nuk u çua, a thua nuk ishin bindur ende për ardhjen e çastit të pritur.
U bindën. Fillimisht u çua një çift në tavolinën pranë portës. Radhën e dytë e përfaqësuan një grup djemsh e vajzash, që dukej se i përkisnin një shoqërie. Këta, njëherësh me fillimin e kërcimit, nisën të qeshnin. Me siguri, gjithnjë kur vallzonin, qeshnin. Së treti... u ngritën pothuaj të gjithë.
Tundu nën ritmin e muzikës. Si unë... si të tjerët, -i jepte kurajo Elsa Elonës.
Ha, ha, ha, - qeshi tjetra për t’i dhënë zemër vetes.
Asnjë nuk të sheh, më kupton, asnjëëëë... -përpiqej tjetra për t’i dërguar zërin duke çarë tingujt e fortë.
Elona u tund. E kishte kapur frikën dhe po e mbyste. Peshonte herë mbi njerën këmbë e herë mbi tjetrën. Kur u bind se lëvizjet e tyre kishin hyrë në rezonancë me muzikën, nuk ndjeu më ankth. Kishte bërë si Elsa! Elsa dinte ç’bënte! Ajo ishte moderne, por jo e shthurur. Ajo nuk do të pranonte kurrë të kishte një shoqe të shthurur! Moderne ... po!
Sa të bukura dritat! Sa e bukur muzika!
Elsa i ktheu kurrizin duke i bërë shenjë, që t’a ndiqte edhe ajo, për të kërcyer shpinë më shpinë.
Ti kërcen shumë bukur, -i tha Elona shoqes.
Çfarë? -ulëriu tjetra.
Kërcen shumëëë... bukuuuur!
Edhe ti kërcen bukur! -i tha një zë pranë veshit.
“Luani”! Nuk e kapi ankthi! As dëshira për t’a dëgjuar përsëri atë zë. Vetëm kureshtja.
Elsa iu kthye përballë. U kthye edhe ajo.
Cili është ky?-e pyeti ajo Elonën me tonin e kujdestares.
E ke marrë në patronazh? -qeshi si pa djallëzi ai “ky”-ja.
Ç’do, - i bëri karshillëk tjetra.
Të vallëzoj me shoqen tënde pa mbikqyrës. Të vallëzoj kështu me këdo!
Unë nuk mbikqyr! -iu përgjegj Elsa thatë.
Atëherë po kërcej!
Sigurisht.
Orkestra filloi një tango të vjetër.
Të pëlqen? -pyeti djali Elonën.
Po!. . Ty?
E mirë!. . E ka pasë vallëzuar gjyshi im dikur!Ndoshta me gjyshen tënde!
Gjyshja ime nuk dinte të vallëzonte të tillë muzikë.
Nuk e linte yt gjysh të kërcente? Ishte fanatik?- pyeti ai mes të qeshurave, me sigurinë që kanë disa djem për t’u dhënë rrugë bisedave.
Nuk e di, -buzëqeshi ajo.
Shoku i tij i tavolinës, që kërcente me Elsën, e thirri “Andi”! Pra ky ”luani” ishte Andi. Nuk ishte shumë i gjatë, disa gishtrinj mbi Elonën, por me shpatulla të gjëra dhe trup të lidhur. Prandaj, mbase asaj i dukej i gjatë. Nuk e dinte, në të gjithë djemtë me të tillë siluetë dukeshin kështu të gjatë!
Shkon në gjimnaz? -pyeti sërish tjetri.
Po! Sivjet mbaroi maturën.
Ke dëshirë të vazhdosh studimet, - pyeti ëmbël, a thua se e dëshironte vërtetë një pohim.
Po!
Sa pak fjalë thua! Megjithatë, më duket sikur thua shumë. Kur të pashë për herë të parë që nga tavolina ku isha ulur, m’u duk se të kisha parë diku. Në të vërtetë është e para herë që të shoh! Nuk të ka ndodhur edhe ty ndonjëherë kjo?
Nuk e di! - tha vajza.
Do të thuash që nuk je e sigurtë?
Mbase!
Ai e rrotulloi nën refrenin e këngës që këndonte një nga djemtë e orkestrës. Ishte mallëngjyese dhe fliste për ikjen e një emigranti dhe ankthin e vajzës që e priste të kthehej.
Andi psherëtiu!
Nuk të pëlqen? -i tha Elona.
Nuk e di, më trishton... Edhe unë jam emigrant.
Ah, ... -tha ajo me keqardhjen e lëndimit, që mund të shkaktoi tek tjetri. -Në ç’vend ke emigruar?
Në Greqi!
Kam një kushëri të parë atje, mbase njiheni!
Athina nuk është rruga kryesore e lagjes ku ti banon dhe njerëzit nuk bëjnë xhiro si në bulevardet e qyteteve kryesore shqiptare!
E di! Ka shumë makina, njerëz, drita. .!
Befas korenti u pre dhe dritat e lokalit u fikën. Kitarat elektrike pushuan, ndërsa tingujt e një fizarmonike vazhduan për inerci muzikën. Pushoi së kënduari edhe djali, që njëkohësisht i binte njërës prej dy kitarave, pikërisht në fjalët e vajzës, që dyshonte se harresa e të dashurit, kishte të bënte me... ndonjë tjetër vajzë..., atje... në kurbet.
Atje nuk priten dritat, - i foli Andi pranë veshit.
Elonës iu kthye ankthi. Afërsia e tij në errësirë e shqetësoi. Shpesh herë djemtë, si pa dashje i afronin vajzat aq afër, sa gjoksi i tyre gati sa s’cikte atë të tyre.
Ai nuk e afroi. Madje edhe gjatë vallëzimit nuk pati bërë asgjë të tillë. As gishtat nuk ia pati vënë mbi mbërtheckat e sytjenave, si për të luajtur me to, si me tastiera.
Elona! - dëgjoi Elsën.
Këtu jam, -tha ajo dhe u lëshua nga duart e Andit.
Mendoj të ulemi, s’kemi ç’bëjmë tjetër. Si thua ti? - iu drejtua Elsa djalit, me tonin midis ironisë dhe mirësjelljes, që karakterizon zakonisht vajzat çapkëne.
Sigurisht, nuk është nën patronazhin tim - ia ktheu ai, me të njëjtën mënyrë.
Tjetra qeshi vetëm me cepin e buzës. U ndezën disa qirinj.
Të recitojmë Naimin, - tha dhe ndezi një tjetër cigare.
Nuk di si t’i kalojë orët njeriu i gjorë. Në socializëm me zor të linin të shkoje në mbrëmje vallëzimi, sot të lënë të shkosh ku të duash. ”Kërce sa të plasësh, të thonë! Plas në errësirë”! - dhe lëshoi një shtëllungë tymi.
Elona ndoqi gati fshehurazi lëvizjen e mjegullës tymore dhe kur ajo mbuloi pamjen e tryezës ku ishte ulur... Ai ... Andi, me shokun e tij... E pa! Edhe ai po e shihte! Mbase kishte kohë që e vështronte, por ajo nuk mund t’a shihte pa tym, do me thënë prapa tymit. Përsëri ndjeu ankth. Ai e trondiste sa herë që shoqja tymoste. Pastaj e shtypi cigaren me forcë mbi tavëll. Në qoftë se gjarpërit i shtypej koka, ajo e shtypte cigaren nga “menderja”.
Kurse ajo, Elona, nuk ishte në gjendje të shtypte asgjë. As frikën, dyluftimin mes dëshirës për t’a parë tjetrin dhe gjoja mos interesimit për të! Do t’a shtypte! E shtypi! Oh ... Ai kishte ikur. Kishte pritur më kot se mos ajo budallaçka do t’a shihte një çast.
“Provinciale mbete”, shau veten. Kaq vjet që kishin zbritur nga Lezha në Tiranë dhe asaj nuk iu nda ajo drojtjeje prej fshatareje. Kjo e fundit ishte sharja më e rëndë që mund t’i thoshte vetes. Lëndimi më i madh, që mund t’i bëje një vajze, të ardhur së fundi nga rrethet në Tiranë, ishte kujtimi i origjinës së saj.
Kurse Andi nuk e pati lënduar fare, as në errësirë dhe as në dritë, kur këndohej kënga e kurbetit.
Dritat erdhën! Andi ... jo!
Elsa u ngrit të kërcente me një djalë, që siç tha, e njihte që nga fëmijëria, kur kishte banuar dikur tek pallatet e Lanës. Qeshnin me zë! Me siguri kujtonin fëmijërinë. Elsa gjithnjë me zë qeshte. Madje edhe mendimet donte t’i thoshte më zë.
Ndjeu që dikush po e shihte, në fund të lokalit. E pa! Nuk ishte Andi! I ktheu shpinën. Tjetri nuk erdhi.