Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E premte, 05-09-2008, 08:32am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
 » Vinçens Prenushi
 » Valbona Bozgo
 » Vath Koreshi
 » Vin Zefiri
 » Vorea Ujko
 » Visar Zhiti
 » Vjollcë Berisha
 » Vasil Premçi
 » Violeta Allmuça
 » Valentina Madani
 » Vladimir Marku
 » Valdete Berisha
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët V » Valbona Bozgo
 
Prostitutë pa dashje III
E merkure, 20-06-2007, 10:36pm (GMT)

Atë vit më shumë se kurdoherë, Adrianit i ishte mbushur mendja se ishte i pafat. Pafatësia e vetes nuk kishte më atë rëndësinë që mbart kjo shprehje, kur çdo njeri, pasi nuk arrin diçka që dëshiron shumë, e përfshin veten në kategorinë e njerëzve të tillë. Mbi shpinë, tanimë nuk mbartëte vetëm fatin e tij.
Teksa hapnin kanalin ku do të vendoseshin tubat e ujit , u përpoq të kujtonte se kur e kishte ndjerë për herë të parë veten të tillë. Kur kishte mbaruar tetëvjeçaren, mbase atëherë kur prindërit vendosën t’a çonin në shkollën ushtarake ”Skënderbej”, për të lehtësuar gjendjen ekonomike të familjes. I vëllai, më i madh, akoma nuk kishte mbaruar studimet e larta, për Financë. Një pjesë të të ardhurave të familjes dërgoheshin për të. Dy motrat e vogla binjake, gënjeheshin akoma me fustanet e bluzat e njëra-tjetrës, hiq njëra, laj e vish tjetra, e kështu me radhë. Atij i kishte rënë fati i kurbanit. Kishte ndjerë zili për të madhin, megjithëse e donte dhe e adhuronte që në vogëli. Me këtë zgjidhje të prindërve, ishin “vrarë dy zogj”. Edhe me shkollë e bënin djalin, edhe para nuk paguanin. Kur t’u vinte radha dy të voglave, vëllezërit do të ishin në punë dhe do ndihmonin në arsimimin e tyre. I kishte ardhur t’ia fuste mureve me grushta! Rrobja e blertë, përveç qëndrimit “Gati-tu!”!
, do ta kufizonte edhe në njohjen me vajzat. Dihej, që ato nuk parapëlqenin dhëndurë të tillë, që gjithë jetën ishin me “rroba krahëve”! Pas mbarimit të shkollës, kushedi se ku do t’a “syrgjynosnin”dhe përveç vështirësive të zanatit, do t’i duhej të gjente bashkëshorten e duhur.
Ditën që do të nisej për në Tiranë, prindërit kishin mbledhur të afërmit në darkën e përcjelljes. Midis dollive, në adresë familjare dhe partiake, dëgjoi xhaxhanë të ngrejë gotën për ushtrinë popullore.
“Rroftë dhjetë korriku”!- kishte thirrur ai me entuziazëm.
Gotat me lëvizje të prera ishin takuar në qendrën e tryezës.
Ai nuk po ikte ushtar! Po t’ia thoshte këtë xhaxhait, ai do i përgjigjej se i gjithë populli ishte i tillë, aq më tepër ai, që do të përgatitej për të komanduar ushtarët. Kurrherë si atë natë, nuk kishin folur aq mirë për të, Adrianin. Dëgjonte për veten cilësi të tilla, të cilat nuk dinte se i mbartte. ”I zgjuar, trim, e ardhmja e atdheut, i dalluar... etj... etj. . ”. , tamam si fund-dëftesat e tetëvjeçares. Madje edhe kur ndërroheshin mësuesit kujdestarë, ato fjalë përsëriteshin njëlloj, a thua se ato ia linin amanet përshtypjet njëri-tjetrit.
Iu duk sikur i kishte ardhur fundi i jetës. Nuk donin t’a përcillnin me fjalë funeralesh. Ishte i ri. Donte të shkonte në mbrëmje vallëzimi, ta pëlqenin gocat, por pa rroba ushtarake. Vitin e parë bëri si bëri, duroi. Të dytin, vendosi të mbetej në klasë dhe në tri lëndë: matematikë, fizikë dhe gjuhë.
Përsëri u mblodhën të afërmit. Përmbledhjen e hidhur, që zakonisht thuhej në fund, xhaxhai e kishte thënë që në fillim.
“Ata kishin pritur, që të mblidheshin për atë Adrianin, me gëzim, pas shtatë vjetësh. ”Prapë kishin ndërmend t’ia fusnin. Shyqyr që ajo shkollë kishte vazhdim të stërgjatë dhe atëherë do t’a zgjasnin tavolinën me ato dy kanatet e vogla të drunjta, që paloseshin nën të.
Por “ata nuk e kishin pasë ditur që biri dhe nipi i tyre, kishte pasë qenë i tillë e i këtillë... ” dhe këtu renditeshin një sërë cilësish, që ai vetë nuk e dinte që i kishte mbajtur të fshehura. Ishte me një fat të papërcaktuar.
Që të ndihmonte në ekonominë e familjes, u regjistrua në gjimnaz natën dhe ditën filloi punë në uzinën mekanike. Familja nuk do shqetësohej për arsimimin e fëmijëve. Tanimë ndihmonte edhe me të ardhura. Cilësimet fisnore për të u zbutën, duke qëndruar në një mesatare konstante, deri para dy vjetësh, kur 1997-ta, e detyroi të merrte rrugën e Greqisë...

Ardo! -i foli Bujari, lëre trapanin dhe eja më ndihmo të shkarkojmë tubat nga kamioni.
Ishin ditët e para të majit dhe në mesditë dielli digjte. Muajve të dimrit, ndillnin verën të vinte sa më shpejt dhe verës uronin mbarimin e saj një orë e më parë. Pranvera dhe vjeshta ishin bërë pothuaj të pakapshme. Njerëzit e sidomos femrat, ankoheshin se nuk arrinin të provonin garderobën e këtyre dy stinëve, pasi, dy të tjerat me egërsi, nuk linin vend për to.
Sollën një rumun dje, tha Bujari.
Si duket, punon?
S’kuptohet ende! Një pjesë e tyre nuk e durojnë gjatë punën e rëndë dhe largohen.
Ne s’largohemi!
Po! Ne! I mbusha nëntë vjetë!. . Ti?
Dy!
Je i ri akoma. Stazhier pothuaj, qeshi tjetri.
Kur ke ndërmend të kthehesh, pyeti Adriani.
Kur të qetësohen gjërat në vend e të kemi punë edhe atje! Dua... por akoma kam frikë.
Edhe këtu nuk rrihet, -i tha tjetri.
Këtu nuk rrihet, atje nuk vihet, tha Bujari me të tillë maraz, sikur të kishte thënë”Medet”!
Flaku një paqetë të boshatisur.
Ke cigare, pyeti të riun.
Po! Merr, i zgjati Adriani me kënaqësi nga të tiat.
Ç’bëre me tët nip?-tha pas thithjes së fortë që i bëri cigares.
Javën tjetër e sjellin në spital. Operimi i kancerit kërkon para. Gjashtë milionë dhrami më kërkon mjeku. Dy i kam grumbulluar me punë e me borxhe poshtë e lartë. Pesëqindmijë, më tha mjeku, do të më m’i zbresë nga pagesa. Më duhet të plotësojë të tjerat.
E di i vogli, që i ka humbur prindërit në aksident?
Jo! Kush guxon, psherëtiu thellë Adriani.
Iu kujtua dita, kur i vëllai bashkë me të shoqen ishin nisur në një ditë me diell, si kjo, në qytetin e lindjes së saj, në jug të vendit. Gjithë natën kishte bërë ftohtë e rënë shi. Të nesërmen në mëngjes, një diell i ngrohtë kishte përkëdhelur plagët e lëbyrta të natyrës, si për të mos i lënduar. Në mesditë ishte ashpërsuar dhe kish filluar të digjte.
“Është tamam për të udhëtuar”, kishte thënë e kunata.
“Eshtë pranverë, . madje verë”, kishte nxitur ajo të shoqin
Ishin nisur! Nuk ishin kthyer!
“Ishte edhe kohë e mirë”, kishte thënë dikush më vonë, në një nga dhomat e ngushëllimit. ”Verë fare!”
Prapë ajo “vera”! Si sirenat e antikitetit i kishte ndjellur drejt fatkeqësisë. Rrugës ia kishte zënë fytyrën atij plakushi diell dhe kishte derdhur përrenj shirash. Përveç mungesës së kurrëmbushur, i kishin lënë amanetin e pa fjalë, të birin.
Gjëma ishte shtuar kur u mësua se në trupin e vogëlushit, një topth helmi, endej midis veshkës dhe tëmthit, pa i prekur ende ato. Duhej shpëtuar sa më parë.
Do t’a shëroj unë, u kishte premtuar ai prindërve.
Ç’bën bir? e kishte pyetur ajo para disa ditëve në telefon.
“Amanetin bir”, e kishte kuptuar ai.
Kërkonte të punonte mbasditeve sa të mundëte. Ndodhte për javë të tëra të mos punonte mbasditeve dhe për një kohë të gjatë të cfilitej deri vonë, duke ndjerë mall për vetëzgjimin.
E çuditshme, po i thoshte një punëtor Bujarit. Dje pashë në televizor, se si një mi qëndronte mbi shpinë të një mace. U bënë miq hasmit. Bota shkon drejt tolerancës.
Para një jave erdhi kryeministri shqiptar dhe këtë e mësuam vetëm nga lajmet shqip. Media televizive greke nuk foli fare. Një xhirafë të ngordhi në Afrikë, e japin menjëherë... Tolerancë... m...!


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Prostitutë pa dashje IV (19-06-2007)
Prostitutë pa dashje V (18-06-2007)
Prostitutë pa dashje VI (17-06-2007)
Prostitutë pa dashje VII (16-06-2007)
Prostitutë pa dashje VIII (15-06-2007)
Prostitutë pa dashje IX (14-06-2007)
Prostitutë pa dashje X (13-06-2007)
Prostitutë pa dashje XI (12-06-2007)
Prostitutë pa dashje XII (11-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]