Letërsia Shqiptare
Dergoni krijimet tuaja - Email: admin@zemrashqiptare.net
E diel, 07-09-2008, 05:03am (GMT) Letersia FAQ RSS Lidhje Harta Kontakt
 
 
::| Fjalekyc:       [Kerkim i Avancuar]  
 
Kategorite  
Ekskluzive
Kritika - Analiza
Libri
Informacione
Intervista
Gjuha Shqipe
Poetët e Zemrës
Autorët A
Autorët B
Autorët Ç
Autorët D DH
Autorët E
Autorët F
Autorët G-GJ
Autorët H
Autorët I
Autorët J
Autorët K
Autorët L-LL
Autorët M
Autorët N
Autorët O
Autorët P
Autorët Q
Autorët R
Autorët S-SH
Autorët T-TH
Autorët V
 » Vinçens Prenushi
 » Valbona Bozgo
 » Vath Koreshi
 » Vin Zefiri
 » Vorea Ujko
 » Visar Zhiti
 » Vjollcë Berisha
 » Vasil Premçi
 » Violeta Allmuça
 » Valentina Madani
 » Vladimir Marku
 » Valdete Berisha
Autorët XH
Autorët Y
Autorët Z
English
Letërsia Botërore
Zemra Shqiptare
Forumi
Njohje
Galeria
Direktoria
Lojra
Chat
::| Email Lajmerues
Emri:
Email:
 
 
 
Autorët V » Valbona Bozgo
 
Prostitutë pa dashje VI
E diel, 17-06-2007, 10:40pm (GMT)

Në stacionin e autobusit, të quajtur ”E shtrenjta Parashqevi”, emër i marrë nga kisha që ndodhej pranë tij, Ardiani, iu bashkua pritësve të tjerë. Ky stacion ishte fillimi dhe fundi i internarit që përshkonte ky urban me numër 421, prandaj lehtësia që sillte boshatisja e tij nga pasagjerët, duke mundësuar pritësit për të zënë vendet, vështirësohej nga i njëjti fakt, sepse, duke qenë stacioni i parë, grumbullonte tepër njerëz, pëlqimi i të cilëve për të udhëtuar të ulur, ishte më se llogjik. Sapo autobusi shfaqej në kthesën që do t’a sillte pranë stacionit, njerëzit mundoheshin të llogarisnin venqëndrimin e tij, për t’iu sulur derës si një vërshim i fortë uji.
Ardiani arriti të zërë një karrige, ndërsa shtyhej pas. Në krah të tij u ul nxitimthi një grua e moshuar dhe në ndenjëset përballë, një zezak dhe një vajzë e re me kufjet e kasetofonit në vesh, e cila, tundte lehtë kokën sipas ritmit të muzikës që dëgjonte, e shkëputur mendërisht nga ambienti.
Plaka në krah të Adrianit, duke e marrë këtë të fundit për grek, filloi t’i ankohej për të huajt që kishin ndotur Greqinë, për prapësitë dhe krimet e të ligjve shqiptarë dhe për të zinjtë, që vërtiteshin si morra rrugëve. Që Ardiani ishte apo nuk ishte shqiptar, aty askush nuk e dinte. Por, zezaku bënte “bam” dhe plaka, sikur ai të ishte tuaf, shurdh, apo pa pikë njohurie në gjuhën greke, ia përplaste ato fjalë në fytyrë, pa u munduar të fshihte aspak indinjatën, për të gjithë të huajt në vendin e saj. Mbase zezaku nuk kuptonte hiç greqisht, por me tonin që fliste tjetra, duhej t’a kishte kapur keqëdashjen e saj. Në fytyrën e tij, ku efektet emocionale nuk ndikonin fare në ndryshimin e ngjyrës së lëkurës, nuk lëvizi asgjë. Rrebeshi i fjalëve të së moshuarës, përplasej në trupin e tij të gjatë, si një shi i imët, pa rrezikuar gërryerjen më të vogël.
Ardiani iu shmang bisedimit me plakën. Ajo shpresoi se do të gjente dëgjues tek vajza dhe iu drejtua duke komentuar ato që kishte thënë më parë. E reja hoqi kufjet dhe me një shprehje gati naive, siç e kanë rëndom njerëzit kur gjenden në një mjedis të pa ambjentuar, priti me shqetësim të mësonte ç’ndodhte.
Çfarë, pyeti gati e indinjuar plakën, që po e shkëpuste nga bota e saj, për hiç gjë. I “dyllosi”veshët përsëri me kufjet e , për t’u larguar më shumë nga vendi ku ndodhej, vështroi jashtë xhamave, ku ritmi i muzikës i përkonte me parakalimin e objekteve gjatë rrugës.
Autobusi ndaloi. Një murmurimë e lehtë u dëgjua diku, për të porsahipurit. Kontrolli! Dy mesoburra me çanta lëkure, pasi bllokuan aparatin e shenjëzimit te biletave, iu drejtuan udhëtarëve:
Biletat!
Adriani nxorri të tijën. Edhe plaka. Vajza vazhdonte të sajën. Ai i tundi biletën para syve dhe ajo si pacienti tek okulisti, ndoqi lëvizjen e saj. Kuptoi. Rrëmoi në çantën midis kasetofonit dhe lapsave e çikërrimave të tualetit dhe nxori biletën. Zezaku nuk lëvizi, mendoi t’ia tundte edhe atij, por ngurtësia e tij e stepi. Plaka qeshi tinzarisht Së shpejti mendonte, atë do ta zbisnin. Befas, shurdhi, tuafi apo mosditësi i greqishtes, ia rrëmbe biletën dhe e... . hëngri, si agjentët e fshehtë, të përgatitur me të tilla veprime. Pas kësaj, përsëri u shurdhua, apo u budallalleps. Nxorri nga xhepi i xhaketës biletën e tij. Dy kontrolluesit mbërritën.
M’a hëngri zezaku, thërriste ajo.
Të çuditur dhe mosbesues burrat panë nga zezaku, i cili... . shurdh, dru!
Ardiani dhe vajza ngritën supet.
E morën të vjetrën për të çmendur ose gënjështare. Për hir të moshës nuk e dënuan më gjobë, por e zbritën në stacionin më të afërt
Ardiani qeshte! Për herë të parë qeshi edhe zezaku.
Zbriti. Shtëpia ku do të lyente kangjellat ndodhej tri rrugica më tutje. Me pak vështirësi arriti t’a gjente. Rrugët e Athinës janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Mënyra pothuajse e njëjtë e ndërtimit të banesave dhe bardhësia e tyre e rrisin mundësinë e ngatërresave.
Të zotërit e shtëpisë, ishin një çift rreth të pesëdhjetave. E përshëndetën me mirësjellje e i ofruan kafe e ç’të donte. ”Qofshin kaq të mirë edhe në pagesë”, uroi ai.
Është mirë t’a fillosh punën në pjesën perëndimore të ballkonit, i tha i zoti i shtëpisë, Andrea. - Në anën e kundërt të tij bie dielli dhe do të lodhesh shpejt.
E drejtë, pohoi Ardiani.
Andrea e udhëhoqi në anën tjetër të tij dhe djali vuri re madhësinë e konsiderueshme të ballkonit. ”Sa më shumë punë, aq më shumë para”, mendoi. Pas një ore punë, e shoqja nuk vonoi t’i sillte mbi një tabaka kafenë dhe disa biskota. Tek punonte, ndjeu pas shpine çuçuritjen e çiftit. Siç duket do të donin t’a pyesnin për çmimin. Me mos caktimin e çmimit që në fillim mund të dilje i humbur ose i fituar, si shprehja: ”I fundit ose qesh, ose qan”! Në qoftë se do kishte siguri, se çiftin do t’i kishte klientë të përhershëm, mund t’u kërkonte pak. Në të kundërt, më mirë t’i zinte dora ca para. I duheshin para për operimin e të nipit.
Më fal, i tha gruaja pak e drojtur. -Desha të të pyes për diçka.
Po, i tha Ardiani.
A ka mashurka në Shqipëri?
Kaq kureshti shprehën sytë e saj, a thua se Shqipëria ndodhej katër vjet dritë larg Greqisë.
Çfarë, nxorri sytë ai.
Mashurka, përsëriti ajo dhe pa pritur përgjigjen e tij shpejtoi në kuthinë, për të marrë një bishtajë, për tia treguar si kampion. -I njeh?
Si nuk i njoh?! Si nuk ka?!, - ia ktheu përgjigjen tjetri po aq i çuditur për një pyetje të tillë.
Paska! – i tha gruaja të shoqit, që diç bënte në njërën nga dhomat.
Po bamje, guxoi të pyesë përsëri.
Edhe bamje!
Edhe bamje, ia përcolli të shoqit.
Të gjitha bimët që rriten tek ne, gjenden edhe tek ju?
Të gjitha!
Të gjitha... .!
Nuk e kishte pritur kurrë, që zarzavatet të luanin aq rol në afrimin e dy vendeve fqinjë.
“I riu nuk do t’i bëjë naze gatimit të mashurkave”, mendoi zonja.
Kur dielli dërgoi rrezet e para në pjesën perëndimore të ballkonit, gruaja lajmëroi për drekën.
Në murin e sallonit, tek një fotografi e varur në të, pa një djalë të ri, me një llojë cilindri në kokë dhe uniformë, me sa dukej shkollore. Në të djathtë e në të majtë e rrethonin një sërë njerëzish, që nga afërsia së i rrinin, kush t’i shtrëngonte dorën a t’i hidhnin krahun supit, duhej të ishin të afërmit. Një të tillë fotografi, ku të njëjtët pjesëmarrës kishin ndryshuar veç vendin e pa edhe në kuzhinë, ndërsa tregonin.
Është djali, pyeti çiftin.
Jo, u përgjigjën njëherësh ata.
Është nipi im, tha ajo pa e fshehur kënaqësinë. -Kemi dalë ditën e mbarimit të universitetit të tij në Angli.
Mbaroi shkëlqyeshëm, shtoi i shoqi.
Siç dukej, djali duhej të ishte krenaria e fisit.
A ka bamje në Angli, iu tek të pyeste kot Ardiani.
Si nuk ka, u përgjigjën ata pak të çuditur.
Edhe domate besoj!
Edhe domate!
Izolimi i socializmit shqiptar, i paska futur në dyshime edhe fqinjët për ekzistencën e një klime mesdhetare të Shqipërisë!

Të nesërmen Elsa nuk erdhi. As të pasnesërmen. Ditën e tretë të mungesës saj, mësuesit, gjatë apelit, kthenin kokën të shihnin Elonën. Ajo përgjigjej me ngritja supesh.
Në mbarim të mësimit shkoi në shtëpinë e saj. I doli e ëma e shoqes.
Iku! - i tha me një shprehje në fytyrë, ku përziheshin dhimbshëm dhimbja, dëshpërimi dhe akuza ndaj botës së tërë për atë ikje.
Kaq shpejt? i kishte thënë Elona, por ajo kishte përsëritur të njëjtat fjalë, që nuk pranonin asnjë shpjegim, s i të mbartni dertin më të madh të globit.
Iku, -dhe kishte vështruar larg, në drejtim të detit, atje ku putheshin dy pikat kaltëroshe, të tij dhe ajo qiellore.
Elona përshëndeti me disa fjalë, që në çast i harroi se ç’ishin dhe zbriti shkallëve.
Murit përgjatë tyre u mungoni tullat. ”Një ditë do të zbresim me litar”, i kishte thënë Elona!
Atje ku do kishte mbërritur, nuk do t’i mungonin më të tilla gjëra. Fillimisht do t’i mungonin të afërmit, shoqet e shokët dhe mbi të tëra, ajo, Elona. Me kalimin e viteve ato do të davariteshin dhe shumë prej tyre do mbeteshin ca “thelbe”, të cilat mund t’i shërbenin si publicitet, për të krahasuar jetën e këtueshme me atë të atjeshme.
Nuk e duroi dot mendimin se mund të zëvendësohej me ndonjë tjetër shoqe!

Elona! - dëgjoi t’i thërrasin.
Ishte Andi! Sa mirë! Gjeti dikë me të cilin mund t’a zëvendësonte boshllëkun. Madje ai ishte më i përshtatëshmi për t’a ngushëlluar sado pak.
Ç’ke kështu? Apo është herët për të blerë bukë?
Jo! Elsa iku! Bashkë me alarmi u ndje edhe një lloj shpjegimi për atë që ndodhi, të cilën ajo po ia kërkonte atij, as vetë nuk e dinte pse!
Ku? - pyeti ai.
Në Itali!
Paska shpëtuar, u mundua t’a qetësonte ai. Nuk e qetësoi. E pa trembshëm. Ai nuk kishte dashur t’a trembte.
Elsa shkoi për më mirë. Mund të mbaroi studimet atje dhe të ecë para. Jashtë ka më shumë hapësirë.
Ai i përkëdheli ëmbël supin. Pastaj, si padashur, gishtat ia kaloi rreth qafës. Ajo tundi kokën, si për t’ia shkundur ato. Tundja s’ishte e egër. Madje me shfaqjen e asaj qafe të gjatë, si mjelmë, sikur e nxitën djalin të luante akoma. Ia largoi flokët pas shpinës, pa ia prekur qafën. E pa ngultas.
Ti mendon për të ardhmen, e pyeti ngadalë.
Sigurisht, i qeshi ajo.
Ku? Këtu?, qesëndisi ai.
Pse atje? u tremb ajo.
Andi e njohu atë frikë, që shkaktohej jo vetëm nga e panjohura, por nga gricja e një dëshire të fshehtë, që e ka dikush brenda, pa e patur të qartë dhe kur befas ajo i bëhet e kapshme.
Gishtin tregues, ajo e kishte drejtuar nga perëndimi, drejt detit, atje ku kishte vështruar edhe e ëma e Elsës.
Jo!Atje! ia drejtoi Andi krahun drejt juglindjes.
Po, unë jam e vogël! - gati sa nuk thirri ajo.
Tjetri, për pak dalldisi. E vetmja përgjigje që nuk e kishte pritur, ishte kjo.
Kur mendon të rritesh, pyeti mes përpjekjes për të mbajtur të qeshurat.
Pas katër vjetësh, iu përgjigj ajo seriozisht.
Qeshi! Qeshi fort!
Pas katër vjetësh, katër muajsh e katër ditësh, foli me zë teatral. - E pse pikërisht pas katër vjetësh?
Prindërit thonë se atëherë ”dal në jetë”! Atëherë duhet të mendoj edhe për gjëra serioze, siç janë... . martesa. .!
Tani s’mendon për to?
Mendoj, por jo për t’i realizuar tani. Andi i ishte afruar tepër pranë dhe ajo ndjeu frymëmarrjen e tij në pjesën e zbuluar të qafës. Një ndjenjë e ëmbël midis gudulisjes dhe gjumit ia rrënqethi trupin. Ai i shtypi majën e mjekrës me tolerancën e mashkullit, që nuk imponohet pa e bindur të dashurën. Atë çast ndjeu dëshirën që të përfshihej në gjoksin e tij, e të gudulisej kudo nga ajo frymëmarrje, deri në zalli, pa menduar hiç për katër vitet.
Ika, -i tha ai.
“Përsëri ikja”, përsëriti. Pas disa ditësh edhe ai do të ikte, ”atje”, ku i kishte drejtuar krahun. Do mendonte për të, për disa kohë dhe natyrshëm do t’a zëvendësonte me dikë tjetër.
Ajo nuk donte të zëvendësohej nga askush! As nuk donte t’a zëvendësonte me dikë. ”Elsa shpëtoi”, mendoi.


Lexo/Shkruaj Komente (0)        Printo        Dergoje        Top


Other Articles:
Prostitutë pa dashje VII (16-06-2007)
Prostitutë pa dashje VIII (15-06-2007)
Prostitutë pa dashje IX (14-06-2007)
Prostitutë pa dashje X (13-06-2007)
Prostitutë pa dashje XI (12-06-2007)
Prostitutë pa dashje XII (11-06-2007)



 
::| Krijimet e Fundit

 
SOSO NEWS EXPRESS
[Krye]