Kishte ikur! Me Andin! Sa më shumë afrohej fundi i qëndrimit të tij në Tiranë, aq më tepër shtohej padurimi i saj për humbjen e tij. Kur atij i kishin mbetur veç katër ditë nga nisja, një mendim i çmendur i kishte trazuar kokën. Nuk donte të vuante më nga numri katër. Katër vite shkollë, katër në fizikë... ! Elsa kishte ikur. Andi do të ikte. Ajo do mbetej!
Do isha shumë i lumtur të të kisha pranë, -i kishte thënë njëherë, duke i përkëdhelur shqisat. -Megjithatë, nuk të nxisë.
Sa i pëlqente urtësia e tij! I vinte t’ia mbështeste kokën në gjoks e ai t’ia rrethonte e t’a pushtonte të tërën. Mendoi se të gjtha vajzave të dashuruara, u pëlqente një pushtim i tillë.
Unë do të t’a nxjerr vizën, në qoftë se vendos për të ardhur, -i kishte thënë disa ditë para nisjes.
Tri ditët e fundit, shqisat e Elonës reagonin me vonesë. E ëma e qortonte shpesh. Në matematikë kishte marrë një tjetër katër. Mësuesja nuk i kishte ndarë në rrokje fjalët e notës “disfatë”. Përkundrazi, kishte shprehur keqëardhjen për rënien nga mësimet të saj. I ishte forcuar mendimi për të ikur.
Ikja! Kur dëgjonte fjalët “rrëmbim”nga mosaprovimi i martesës së çiftit nga njëra palë, gjithnjë merrte si të pranishme përdorimin e forcës. Kjo mund të mos ishte thjesht një ballafaqim fizik i dy palëve që qëndronin në të dy anët e rrëmbimit. Rëndom kishte të bënte me fshehtësinë, befasinë e veprimit. Aq sa ai nënkuptonte përdorimin e dhunës, aq përmbante edhe nuancat romantike. Madje, asaj i dukej, se gjithmonë mbizotëronin këto të fundit. Dhe duhej të ndodhnin natën. Djali që do rrëmbente vajzën (ajo duhej të banonte mundësisht në katin e dytë), i hidhte që poshtë një litar. Në mungesë të tij mund të përdoreshin çarçafët. Mund të lidheshin bashkë çarçafi i sipërm me atë të poshtmin, në qoftë se largësia ishte e konsiderueshme. Por edhe me një, nuk ishte keq. Ishte bukur, kur vajza, nga shkurtësia e tij, ishte e detyruar të hidhej dhe i dashuri t’a priste në krah.
Po ajo?! Rrëmbimi i saj nuk mund të kryhej as me litar, as me çarçaf. Banonte në katin e pestë. Veç kësaj, askush nuk do t’a ruante për të mos ikur! Nuk mund të kishte rrëmbim pa ruajtje. Kishte qenë thjesht ikje. Mëngjesi i largimit, kishte qenë sa i zakonshëm, (mamaja kishte dhënë porositë e mëngjesit, i ati kishte ikur shumë herët dhe i vëllai e kishte porositur t’i gjente shkumësa me ngjyra), aq edhe i pazakonshëm, pikërisht se po braktiste gjërat e zakonshme.
Dhe ja tani, ku gjendej pranë doganës greke e ulur në ndenjësen pranë Andit. Nëpunësit grekë, po i vononin vulosjet e dokumentave. Kishin gati tri orë, që prisnin urdhërin për rifillimin e punës.
Elona ishte e lodhur. Gjithë natën nuk kishte fjetur nga ankthi. Mbështeti kokën me flokët e grurta në supin e tij.
Pse vonojnë, - pyeti me sy të mbyllyra.
Thonë se janë prishur komjuterat, - i tha ai.
Ç’do të thotë kjo?
Që s’duan të punojnë!
Asaj iu duk se ata nuk donin të punonin, që të mos kalonte ajo. Një polic i ri grek, i erdhi rreth e qark autobusit duke vështruar me nge dritaret. Sikur kërkonte atë! E kishin lënë automjetin të priste me orë të tëra jashtë, në atë fundmaji të nxehtë, siç kishin lënë dikur grekërit, kalin e dunjtë, jashtë mureve të Trojës. I vinin rrotull për t’u siguruar për mosdëmshmërinë e tij. Asnjë nuk lëvizi. Nga fundi u dëgjua një zë i mekur:
Pusho Mëhill!
Ajo e dëgjoi: ”Pusho Menela”!
“Menelau”, domethënë Mëhilli, pushoi. E kapi frika se mos kërkonin atë, Elonën, ”Helenën”! Veçse kjo i ngjante me negativin e një filmi, sepse në kalin-autobus nuk ishin fshehur grekërit për t’u futur në Trojë, por ata, trojanët shqiptarë, për t’u futur në Greqi! Ndërsa atë, Helenën, nuk vendosnin t’a pranonin për tradhëtinë e saj.
Sapo polici u largua, një fëmijë tek dy vjeçët, ia shkrepi të qarit. Dikush tha, se po të zbriste gruaja me fëmijën, ”greku”, do të zbutej dhe do t’a ngrinte “traun”!
Greku është “grek”, nuk zbutet –stereotipizoi një burrë i plakur kohe.
Akoma nuk u rregulluan komjuterat? -pyeti dikush ironizues, pa iu drejtuar askujt, dhe po vetë u përgjigj pa parë askënd.
Nuk e di pse thonë, që ndjenjat njerëzore dhe arti bien ndesh me elektronikën. Komjuterat grekë janë shumë të ndjeshëm, sidomos ndaj dokumenteve shqiptare, andaj prishen lehtë.
Dikush lajmëroi për rifillimin e punës. Fatkeqësisht nëpunësi në sportelin e dytë, u grind me një pasagjer shqiptar. Ky i fundit kishte guxuar t’i përgjigjej fyerjes së tjetrit dhe... . komjuteri u prish!
Pasagjerët u trigrupuan. Të parët, që kishin vulosur pashaportat u ulën në ndenjëse e para të autobusit dhe megjithë orët e gjata të pritjes, ishin lehtësuar nga lejimi për të udhëtuar jashtë vendit. Grupi i dytë, mbante radhën pranë derës. U dukej se çdo largesë prej saj, do t’u çonte dëm orët e pritjes. I treti, i ishte fshehur diellit në fund të autobusit, atje ku kishin vendet. Ata ishin më të stresuarit dhe të pikëlluarit.
Të parët, pas dy, pesë, ose dhjetë orësh, do të niseshin. Të tjerët, megjithë orët e torturës që po kalonin së bashku, mund të ktheheshin.
Burri rreth të pesëdhjetave, për të pushuar fëmijën që qante, ia bënte ”ta, ta, taaaa”, rreth kokës së të jëmës, duke shqyer gojë e sy, sa herë që nxirrte “ta-të”!
Elona u përpoq të shtrinte perden, e cila ishte më e shkurtër se sa gjatësia e dritares, për të pritur heshtat e diellit. Po imbushej mendja, se shkaku i vonesës ishte ajo. Sepse, atë ditë, asaj i dukej vetja si një qenie e pazakonshme.
Pas një ore sportelet u hapën. Greku, protagonist në zënien me shqiptarin, sa herë vuloste dokumentat, godiste aq fort me vulë mbi to, si të çante arra gunga.
Rradha i erdhi Elonës. Po i merrej fryma. Gjaku i pulsonte shumë shpejt. I takoi të shkonte tek greku tjetër, më i arsyeshëm. Ai ia mbajti gjatë pashaportën në duar. E futi në komjuter. E nxorri përsëri. E pa. Ia futi me vulë.
Në vend që të qetësohej, ajo u drodh më tepër, ashtu, siç shpërthen në vaj lehtësues dikush, pasi mëson shpëtimin e të afërmit pas një fatkeqësie serioze.
Ndërkohë, në sportelin tjetër, greku inatçi, po rikatërfuste dhe rikatërnxirrte pashaportën e Andit.
Një çifti para tij, sa nuk i kishte rënë pika, kur ai nuk kishte dalluar qartë datën e dhënies së vizave. Ata me një mirësjellje, që s’kishte si të bëhej më e përvuajtur dhe përgjëruese, me një greqishte çatra-patra, përpiqeshin t’ia mbushnin mendjen doganierit, që thartonte surratin, tek i kthente pashaportat nga të tëra anët, si të sigurohej për përmasat normale të tyre, se vizat ishin të sakta. Madje, gruaja kishte kujtuar edhe ditën e marrjes së tyre, që sipas saj, përkiste me nje festë në Greqi. Si një fëmijë i llastuar e kapriçoz, greku i dha karar t’i godiste edhe ato dy pashaporta, me të tillë forcë, si t’ia ngjeshte turinjve çiftit qaraman.
Burri, që kishte folur për lidhjen e elektronikës me artin, diç kishte pëshpëritur tutje, në pritje të radhës.
Më pas vulosën edhe atë të Andit, ku pas një shqyrtimi të stërgjatë, nuk kishin folur.
Autobusi ishte nisur për në “parajsën”greke! Ecte ngadalë, rëndë, si të mos ngjallte dyshime për diçka që mund t’a rikthente. ”Kalin” e kishin pranuar! ”Helenën”, nuk e kishin njohur!
Të gjithë ishin çliruar nga ankthi. Tri grupet ishin njëgrupuar. ”Halli”, që sapo kishin kaluar i kishte familjarizuar, aq më tepër, që atë nuk e ndanin dot me dikë tjetër jashtë autobuzit. Hyrja në kufirin e vendit fqinj, sa të afërt, aq edhe të largët, e shtonte më tepër familjaritetin.
Burri, që i bënte “ta... ” fëmijës, e kishte marrë në prehër dhe luanin me gishtat e njëri-tjetrit.
Dikush, në fund të autobuzit, që deri atëherë nuk e kishte hapur gojën fare, se me kë kishte dalë i njohur dhe ia kishte krisur bisedës me zë të lartë, pa u shqetësuar, që një pjesë e tyre dëgjohej nga të tërë.
Jam i lodhur, më flihet, -i tha Andi Elonës.
Fli, -i tha ajo dhe i afroi supin, për t’ia mbështetur kokën në të.
Kur të zgjohem, më thuaj përshtypjet e udhëtimit, -i tha ai me zë gati të shuar dhe sy gjysmë të mbyllura.
Mirë, i tha ajo pranë veshit dhe fryma e ngrohtë që i doli nga goja, pati efektin magjik, për t’a vënë tjetrin menjëherë në gjumë.
Ishte e para herë që udhëtonte jashtë vendit të saj. Gjelbërimi, ndërtesat e bardha përgjatë rrugëve, e entuziazmuan. Në të ngrysur, rruga u anashmbush me drita. Së largu, qyteti ku afroheshin, i ngjau me një kuadër dritash, që i përkiste ndonjë pajisjeje elektronike. Çdo njëra prej tyre kishte historinë e saj, ashtu sië do t’a kishte edhe ajo me Andin. Dhe nuk do të fikej, sepse këtu nuk fikeshin dritat.
Andi lëvizi. Mbi faqen e mbështetur në supin e vajzës, i dallohej një si brazdë, e bërë nga kushedi se ç’tegel prej bluzws së Elonës. Ajo i qeshi ëmbël. Sa herë kishte për t’a parë kështu duke fjetur, para se të zgjohej mëngjeseve e të ikte në punë!
Autobusi ndaloi.
Ku jemi? - pyeti Andi duke parë rreth e rrotull si për herë të parë.
E pa Elonën, me të tillë vështrim, a thua se e vetmja lidhje midis tyre të ishin biletat pranë njëri-tjetrit.
Nuk e di, - i tha ajo. Në Greqi!-u përpoq të bënte humor.
Ah, - erdhi ai në vete, duke buzëqeshur me hutimin e pakmëparshëm.
Ç’të bëri më shumë përshtypje? dhe e takoi majën e hundës së tij me të sajën, sipas një riti të njohur indian.
Të gjitha , -i tha ajo duke e fërkuar hundën tek e tija.
Të gjitha, të gjitha...
Po! Edhe ti! Sa më shumë i përshtypshëm je, aq më shumë të dua.
Kur të mbaroi së qenuri i tillë, nuk do të më duash më?
Sigurisht që do të të dua, - kundërshtoi ajo me forcë. -Të lutem mos më fol për teorira konsumimesh e ku t’a di unë. Di vetëm që të dua shumë, sa nuk prita katër vitet për të qenë pranë teje.
Ishin në të hyrë të Athinës. Në të majtë, në dritën që sapo kishte nisur të fekste, në një kat të një ndërtese të lartë, Elona pa të ekspozuar një dhomë gjumi. ”Shumë e bukur”! Çarçafët që pa mbulonin pa simetri ato, sipas modës së fundit, ia mbajtën frymën. Ishin një kombinim i mrekullueshëm ngjyrash me mobiljet përkatëse.
Andi, shih, -i tha ajo, duke nderë dorën nga ndërtesa.
Ehë, -tha ai thatë.
Befas, i freskuar, u kthye dhe i tha:
Po të punosh mirë e shumë, një ditë edhe ti mund të kesh një mobilim të tillë.
Asaj nuk i pëlqeu mënyra se si e tha atë “të punosh”. Tamam, si mësuesi që shqiptonte katrën. Do me thënë, po s’punoi mirë e shumë, nuk mund t’i blinde dot mobiljet, ”nuk mund të shkonte në shkollë të lartë”!
I ktheu pak krahët, aq sa mund t’a lejonin vendet paralele ku ishin ulur. Priti që ai t’i ledhatonte supin, duke e përdorur përkëdheljen për falje. Hiç! Donte të dinte se ç’bënte ai. Por... nuk donte të kthehej. Për disa minuta mbeti e ngujuar në atë pozicion, deri kur shoferi grek, një burrë tepër i shëndoshë, lëvizi pasqyrën e vendosur në krye të automjetit, në tavan, për t’i parë të gjithë pasagjerët. Elona pa veten. Pa edhe Andin. Ky, tymoste cigare. Shoferi i foli i greqisht. Ai shtypi gjithë inat kokën e saj, mbi një taketuke të instaluar në anën e mbrapme të sediljes pararendëse, duke sharë diçka nëpër dhëmbë.
Je mirë?- nuk iu durua asaj dhe u kthye nga ai. Ai ia afroi supet tek të tiat. Jo në formë faljekërkuese apo shfajsimi. Thjesht, sikur të bënte një veprim rutinë, ashtu siç mund të përqafohen dy bashkëshortë të lumtur, pas njëzetë e kusur vjetësh martesë. Për herë të parë gjatë qëndrimit me të, Elona ndjeu një akullnajë në shpirt. Për të lehtësuar veten, ia vuri fajin rrugës, lodhjes, shqetësimit për të ardhmen.
Pas pak arritën. Secili nga udhëtarët mori rrugën e tij, duke lënë në stacion autobusin e rraskapitur e të pluhurosur, barkbosh e të braktisur. ”Trojanët”, kishin hyrë në Greqi dhe për aq kohë sa kishin vizat nuk do të përpiqeshin të fshiheshin në “barqe kuajsh”.
Për Elonën, e vetmja gjë që tani e lidhte me Atdheun e saj, ishte, ai, Andi!
E zuri malli për të afërmit! Për vendin !
Andi nuk i kishte folur kurrë për dy kushurirat, që banonin në apartament me të.
“Për të ndarë qeranë”, i ishte kishte thënë, ndërsa iu përgjigj pyetjes së një femre, që u dëgjua në mikrofonin pranë portës së jashtme. Elona e kishte kokën të rëndë nga udhëtimi i gjatë dhe i lodhshëm, nuk kishte fuqi as të pyeste, as të çuditej për kushurirat e papritura. Kishte plot kohë përpara.
Ato e panë me kureshtje, ndërsa u ngritën të përgjumura, gjysmë ndenjur në krevatet e tyre. Nga një kanat, i hapur, i një dollapi të madh e të bardhë, të futur në mur, karakteristike greke, pa të hedhura poshtë, pa kujdes, disa rroba mjaft të bukura. Midis tyre dalloi një palë mbathje e sytjena blu me dantellë. ”Duhet të kenë kohë që punojnë, pa arritën të blejnë të tillë mall”, mendoi. Priti që Andi ta çonte për të fjetur në një nga dhomat e tjera të apartamentit, atje ku do të flinin bashkë, por ai i tregoi një krevat portativ, në një cep të dhomës dhe i tha “shplodhu”!
Siç duket, ishte i papërgatitur për të tillë “rrëmbim”, andaj kërkonte kohë të vinte gjërat në vend.
Unë po dal pak, sa të mbaroi një punë. Për çdo problem, do të të përgjigjen kushurirat, -i tha dhe iku.
Njëra prej tyre, siç iu prezantua, ishte Mira. Mira nga Shkodra. Tjetra, me një emër të padëgjuar më parë, Valerja, diç foli greqisht me Mirën duke shikuar nga Elona. Vajzës nuk i pëlqeu që Valerja iu shmang bisedës dhe duke e fyer foli me Mirën për të. Ose, vepronte si disa snobër, që “harresën” e gjuhës amtare e lidhnin me “qytetërimin” e vendit ku kishin emigruar!
E zuri gjumi shpejt. Zgjimi nuk përkoi njëherësh me hapjen e syve. Ishte një nga ato zgjimet e mundimshme, ku nga njëra anë i flihej, nga tjetra, një ngacmim i jashtëm nuk të lë. Diçkaja ngacmuese ishte e folura dhe e qeshura e dy kushurirave. Zërin e Andit nuk e dëgjoi gjëkundi. Madje, ky duhet të kishte qenë ngacnuesi kryesor për zgjimin e shpejtë, mungesa e zërit të tij. Përtueshëm hapi sytë.
Kushërirat seç i tregonin njëra tjetrës dhe përpiqeshin të mbulonin gojen me pëllëmbat e duarve, për të mos zgjuar Elonën. Kishin vënë rregull në dollap dhe kishin rregulluar krevatet e tyre. E para që vuri re se e porsa ardhura u zgjua, ishte Valerja. Ia bëri me shenjë Mirës, e cila e pyeti:
U shlodhe?
Ç’ka! Ku është Andi?
Nuk besoj të vonohet.
Ç’po thonit me Valerien?
Më tregoi diçka për të qeshur.
Mund të qesh edhe unë?
Pse jo! Mbrëmë kur u nis për në punë, e kërkoi një klient i paparë më parë. Burrë i vjetër. Valerja kishte vënë paruken me flokë të zezë e të gjatë. Në krevat, kur i moshuari deshi ta përqafojë, i kishte ngelur parukja në dorë. Kaq shumë ishte trembur, sa iku pa bërë dot gjë! -dhe kukurisi përsëri bashkë me tjetrën. -Nuk është për të qeshur? pyeti ajo tjetrën.
Elona ngriu. Ç’punë bënte kushërira Valerë dhe mbase bashkë me të dhe Mira?
Ku punon? e pyeti ajo tjetrën gati me panik dhe mëshirëkërkuese njëkohësisht, që tjetra të mos e trembte me ato që do t’i thoshte.
Si Valerja! u përgjigj thjesht ajo... . Në rrugë!
Elona u zbardh e tëra! Mira, si një motër e madhe, së cilës i kishte rënë fati i keq apo i mirë, për t’u kujdesur për më të voglën, si pas një fatkeqësie familjare, i fërkoi duart me dhembshuri, si për t’i thënë, që këto ishin vështirësitë e para. Tjetra ia tërhoqi me rrëmbim. Lejimi i një ngushëllimi të tillë do të ishte kapitullim. Ajo nuk do të shdërrohej kurrë si ato!
Ku është Andi? - pyeti gati me kërcënim?
Mira pa orën e dorës.
Tani duhet të jetë duke ardhur!
Ku është? - gati sa nuk iu hakërrye Valerjes.
Ç’thotë? - pyeti tjetra Mirën.
E ka harruar shqipen rrugëve të natës? - qesëndisi Elona duke iu kthyer Mirës.
Nuk di shqip, është rumune!
Vajza iu shemb krevatit. Ishte krejt e mpirë. Pas pak një ngjyrë rozë ia ledhatoi faqet. Ajo iu shtua dhe iu kthye në një të kuqe të fortë, sulmuese.
Ku është Andi? - ulëriu. Dukej sikur i kishte ardhur një fuqi e papritur, ashtu siç përmirësohen papritur të sëmurët në prag të vdekjes.
Madje edhe Mira, ashtu e vështroi, pa u bërë aspak merak për gjendje e saj. Çfarëdo që t’i thushte së resë tanimë, ishte e kotë. Koha, ose më mirë Andi, kishin për ta rregulluar këtë!
Erdhi, - i tha Mira me të tillë ton, si t’i tregonte që më kot ishte shqetësuar për vonesën e tij.
Si kaluat vajza? U njohët? - pyeti ai me një dyshim enkas të ëmbël, si mësuesi që kujdeset të krijojë njedis të ngrohtë për nxënësen e re.
Por fytyra e “nxënëses” iu kërcënua. Ai e njihte atë lloj kuqëlimi në të. Si të zotëronte një pedagogji të suksesshme prej kohësh, i foli me sigurinë e atij, që e di se gjërat do të marrin vetëvetiu rrugën e tyre.
Çdo punë, në qoftë se nuk vjedh e nuk vret, është e ndershme. Ne nuk vjedhim dhe as vrasim. Thjesht, punojmë me “kontratë”, duke iu përshtatur ekonomisë së tregut. Me vajzat bashkëpunoj vetëm pesë vjetë, duke ndarë përqindjen e fitimit. Pas mbarimit të afatit ato janë të lira t’a vazhdojnë jetën e tyre si të duan.
Gjarpër, - iu skërmit Elona.
Tjetri qeshi me ironi me këtë frazë filmash të dalë jashtë mode.
Ndodhemi në Greqi, -vazhdoi, duke bërë sikur nuk e dëgjoi sharjen e saj. -Në antikitetin e lashtë e të mençur, ekzistonin një grup vajzash, që quheshin ”ierodhuli”! Paratë e mbledhua nga puna e tyre aspak e turpshme, shkonin në tempullin pagan të dymbëdhjetë perëndive. Pra, vetë perënditë e kishin bekuar qejflimin e tyre. Shkëlqimi i pashuar i antikiteti, flet se sa punë ishin të nderuara në atë kohë!
Papritur, teksa u mundua të ulej butë në cepin e krevatit, ku ishte ulur edhe Elona, hëngri një shuplakë të fortë nga ajo, sa shenjat e gishtave të saj, i ngelën në faqe si tatuazhi i një lëkure tigri.
I tërbuar pas durimit të gjatë që kishte bërë me të, ia shkërmoqi gishtat në të tijat.
Elona bërtiti nga dhimbja.
Ai e la të lirë duke e shtyrë dhe i hodhi një vështrim të akullt e të prerë, më të frikshëm se një kërcënimi të hapur.
Kam parë femra, -i tha - që janë goditur aq fort, sa i janë thërmuar dhëmbët si kokrra misri, ose iu janë nxirë mishrat, si të vuanin nga leuçemia. Ka edhe më keq akoma. Unë nuk godas kështu, -dhe pa nga dy të tjerat për të marrë miratimin. Ato ia dhanë, duke tundur kokat.
Unë dua atë të keqen e fundit, para turpit dhe mashtrmit, vdekjen!- iu përgjigj ajo.
Hë, -më shumë se sa buzëqeshi, u ngërdhesh ai. -Ke qenë e mirë në hartime!
Ia kapi dorën para se ajo ta godiste në faqen tjetër.
Fli, -i tha me lëshimin që i bën një i rritur, një fëmije. - Së shpejti do fillosh punë. Sa për atë të keqen e fundit, është vështirë të ta dhuroi dikush aq lehtë. E vetmja vdekje e lehtë, është ajo që vjen vetë. Në rastin tënd, ajo do të vijë me aq muundim, sa ti do të heqësh vetë dorë nga ajo... . Fli!
Andi u largua, duke e përfshirë në rastet e vështira këtë femër.