Gjëja e parë që vuri re Elona, me t’u ngritur, ishte letra mbi tavolinë. E lexoi çuditshëm. “.... Sikur ka rënë borë...”! Aq më shumë u çudit kur pa se jashtë dritares binte një shi i imët. Ç’marrosje do t’a kishte zënë atë mëngjes Ardianin! Nxitimthi lexoi fjalët e mëpasme. Atë “p”-në me një sërë pikash, që mbaronte me “j”, nuk e kuptoi. Dukej se letra ishte shkruar në një çast ngazëllimi. Ç’fjalë mund të zinin ato dy bashtingëllore në mes tyre? Shkruar me të tillë entuziazëm mund të ishte “të përqafoj”! Por, po të kujtonte qëllimin e ardhjes këtu, ajo mund të ndryshonte trajtat, për shembull ”të përvëloj, të përcëlloj”. Kërcënimi mund të lidhej për t’i kujtuar vajzës, se abuzimi më i vogël nga mirëtrajtimi i tjetrit, të çonte në një përfundim të tillë. Ose mund të kishte dashur të thoshte “të prangoi”! As kjo nuk vlente. E pranguar ishte! Tjetër fjalë”të pëlqej”! Pak absurde. Për një çast e drodh. Sikur të kishte dashur të thoshte “të përdhunoi”! E përse sot, kur atij i is!
hte duku aq i bukur ai mëngjes, aq sa kishte parë ëndërra me sy hapur, sikur do të borëronte? Bukuria e zbut njeriun. As kjo nuk qëndronte, aq më tepër se po të donte ai mund t’a kishte bërë me kohë një gjë të tillë.
Pushoi së parashtruari rastet e mundshme të ç’kishdashthënies së Ardianit. Mbështeti hundën në xham, si në fëmijëri dhe pa se si i hidhte era gjethet e pemëve, si kombajna grurin pas të korrave.
Njerëzit rrugëve i bashkonte ndjesia e çudisë së ndërrim klimës së papritur.
Shiu akoma nuk kishte pushuar, kur Ardiani u kthye në shtëpi. Qielli kishte marrë një ngjyrë midis grisë dhe bardhësisë , i cili me pavendosmërinë e tij, për t’a pushuar shiun apo t’a derdhte atë bujshëm poshtë, të krijonte një gjendje trazuese. Hëngri shpejt ç’kishte gatuar Elona, me shpresën se kur të niseshin për në spital, ai do të pushonte. Vajza e kishte harruar “fjalëkryqin”e mëngjesit.
Vishu!- i tha pas drekimit dhe pa jashtë me frikën e një vërshimi të fuqishëm të ujrave qiellorë.
Ajo e vështroi pyetshëm.
Të thashë, që sot do të shkojmë bashkë në spital?
Po, por, nuk kam xhaketë! Kur më mori nga Shqipëria, ai, më tha të mos ndarkohem me shumë “rraqe”, se do të më blinte të reja dhe shumë të bukura. Fatkeqësisht, më bleu disa të tilla, por xhaketë, jo. Nuk ishte klima për të tillë veshje. Jashtë bën freskët.
Pse thua fatkeqësisht, nuk të pëlqejnë veshjet e bukura? - e pyeti ai me sigurinë se përgjigjja e kundërt do të ishte në mos një gënjeshtër, një llastim i zakonshëm femëror.
Po, por jo në atë mënyrë, i tha ajo, e hidhëruar siç duket nga kujtime jo të këndshme.
Më fal, Elona, tha ai, ajo “mënyra”, ka të bëjë me sforcim pune, do me thënë me orare të zgjatura dhe klientë shtazarakë?
Ajo e pa çuditshëm, plagueshëm, zhgënjyeshëm, lutshëm dhe dhimbshëm deri në ulërimë. kurrë nuk kishte parë vështrim ku të kapërtheheshin kaq shumë ndjesi bashkë. Mosderdhja e marazit për kaq kohë, që ndodhej në këtë vend të huaj për të prostituar, kishte arritur limitin.
Por, unë, nuk jam prostitutë! -dhe shpërtheu në vaj. - Ai, më gënjeu, duke më bërë t’a besoja. Vërtetë e desha. Nuk kam frikë t’i thuash se sa shumë e urrej. As nuk ty nuk dua të të mbush mendjen se nuk jam ajo që mendon! Nuk kam xhaketë! Nuk të shoqëroi dot për në spital!
Ardiani kishte shtangur, duke parë lotët e trashë të rrëshqisnin nën bluzen e hapur dhe të njomnin pjesën e saj të ngritura nga krahërori. Ajo nuk kujdesej t’i fshinte.
Të besoj, i tha ai dhe e përqafoi lehtë.
Një tjetër ngashërim, tanimë falenderues u çlirua nga goja dhe sytë e saj. Ai e shtrëngoi më fort dhe për të shmangur çdo keqkuptim i pëshpëriti: Do qullesh e tëra! Ai po e ngrohte. Jashtë binte borë.
E uli butë në divan, si të ishte vazo kristali. Rrëzoi disa rroba nga dollapi dhe gjeti atë që kërkonte. Një xhaketë, që vishej nga të dy anët. Dikush ia kishte dhuruar. Ai nuk kishte kujt t’ia dhuronte. I tha Elonës ta vishte. Ajo e veshi nga ana me lëkurë. Ai mendoi se edhe ana e kadifejtë do t’a tregonte njësoi të bukur.
Dolën. Megjithëse Ardiani mbante çadrën, ajo me shkathtësi zgjidhte rrugën, për t’iu shmangur pellgjeve me ujë. Ai nuk e ndoqi më. Dashje pa dashje, meqenëse çadra ndodhej në duart e tij, ajo i shkoi pas. Shiu u rrallua dhe ata e mbyllën çadrën për të ecur nën kurorat e pemëve. Ardiani i shkundi një degë peme mbi kokë dhe ajo bëri sikur u nxeh. Piklat e rëna mbi flokë për pak kohë i qëndruan si rruaza. U hakmor duke tundur një degë mbi tjetrin. Ai s’lëvizi dhe ky qëmdrim prej mumje i tij, e gajasi kaq shumë, sa ai deshi të vazhdonte ai gurgullim i panjohur gazi. Për të vazhduar shijimin e tij vazhdoi të luaj rolin e një karagjozi. Në kohën që ajo gatitej ta ”qëllonte” përsëri me “breshëri shiu”, zbërtheu këmishën dhe hapi gojën, duke pritur ”heroikisht” fatin. U mbështet pas kangjellave të një muri njëmetrosh në anë të trotuarit. U ngrit rëndë dhe si Anteu i “karikuar”me fuqi të re eci në drejtim të saj. Në duar mbante gjethe të qullura të këputura nga pema mbi kokat e tyre.!
Ajo qeshte herë shtruar e herë me gulçe, për t’iu veshur me frikën lodruese që shkarkohet në çastin e “sulmit”. Vrapoi dhe duke dihatur u dorëzua në trungun e një peme. Ai e arriti, duke soditur gjithë kënaqësi “kapitullimin”e saj. E fërkoi me gjethet e lagura në të dy faqet dhe ajo i lutej mes përpjekjeve të kota të mos ia fuste ato në qafë, duke u munduar t’a fshihte atë nën jakën e xhaketës. I ishte afruar shumë. Pa dhe ndjeu frymën e ngrohtë që dilte nga goja e saj rrethuar prej buzëve të kuqe. Edhe mollëzat i ishin skuqur. Edhe maja e hundës. Preku atë me të tijën, sipas zakonit të disa fiseve indiane. Ajo qeshi përmbajtshëm. E dinte se në zakonin e indianëve, ky ishte më shumë se përqafim, ishte puthje?! Në se e dinte duhej t’a kishte kapur simbolikën e kuptimit.
I erdhi ta flakte “simbolikën”. E puthi në buzë. Pas shkëputjes së parë, ajo, me gishtin tregues, i preku buzët, hundën, vetullat, sytë, si të sigurohej për diçka që nuk ishte konkrete. Ai e materializoi përsëri puthjen.
Ti, prit këtu, i tha ai Elonës në njërën prej karrigeve plastike në korridorin e spitalit “Sofia e Shenjtë”.
Në ç’dhomë ndodhet yt nip?-pyeti ajo.
Në fund të korridorit.
Nuk të pyeta sa vjeç është?
Nëntë, u përgjigj ai me buzët e mbledhura , si të shprehte pabesinë e sëmundjes ndaj kësaj moshe.
Sa im vëlla, mendoi ajo me keqëardhje.
Kaloi një fëmijë i pranguar me serume në të krahët, i shoqëruar nga një infermiere dhe një civil, që dukej se ishte i ati. Me fytyrën e pafajshme si të shprehte çudinë për ato që hiqte, ngjante si një krisht i kryqëzuar. Ata kaluan përmes Ardianit dhe Elonës, kur ky po i thoshte diçka asaj, që nuk u dëgjua nga zhurma e karrocëa dhe hapat e shoqëruesve. Si shurdhëmemecët, që arrijnë t’a kuptojnë bashkëbiseduesin nga hapja e gojës, edhe ajo arriti turbull të kuptojë ato fjalë të shkërmoqura: ”Ti prit këtu”!
Dikush tjetër në një kohë tepër të largët, njëqind vjet më parë, i kishte folur kështu me një kërcënim të lehtë ”ka-tër”! Mësuesi i fizikës a i matematikës, nuk i kujtohej. Me atë “katrën” ngelje në klasë. Me këtë “pritjen këtu”, mbetej te Ardiani..., Andi! Pas disa ditësh ai do t’a nxirrte në rrugë, sado i mirë që të ishte.
Pa siluetën e tij, tek u fut në dhomën ku e prisnin dy sy pa qerpikë dhe pa flokë.
Nuk duhej të priste aty. Do shfrytëzonte minutat e përshëndetjeve të tij me të ëmën dhe të nipin për t’i ikur. Muzgu kishte rënë dhe nata do t’a ndihmonte.
Doli. Një yll nga një cep reje i shqepur, ia bëri me sy. Iu duk ogur i mirë. Vrapoi. Shpëtimi i vetëm qëndronte në të. U mundua të kujtonte rrugën dhe të përfytyronte planimetrinë e zonës nga ku kalonte treni elektrik. Do të mbërrinte në Pirea, dhe prej andej me ndonjë traget të rastit, do kërkonte ndihmë për të arritur në vendlindje. Mirë do të ishte të mos përzihej policia. Ngjarja do të rrëmbehej nga gazetarët për t’u shfaqur në ekranet e tv-ve, gjë që nuk i pëlqente, para një largimi pa zhurmë. Grrap-grrup, bënin këpucët në pellgjet e ujrave të fshehura nga errësira. Mundohej të ecte anëve të trotuareve sa më larg dritave. E veshi xhaketën nga e kundërta. Në një kryqëzim të madh, një djalë i ri me vështirësi i tregoi , se për të arritur në Pirea, duhej të kalonte kryqëzimin e madh, një rrugë pas së cilës ndodhej stacioni i trenit. Ndaloi pranë semaforit. Autostrada e gjerë, e pajisur me katër korsi, ndërpritej në mes nga një mur gjysmëmetrosh, tek i cili kishin vendosur!
një tjetër semafor. Dirta e blertë që u ndez në të , e hodhi pranë murit. Prisnin ndezjen e saj në semaforin në breg të trotuarit. Përgjatë shtyllave anës rrugëve reklamohej një këngëtare me kitaren hedhur krahëqafë. Tabela që gjendej pranë Elonës, ishte shtrembëruar dhe ajo ngjante sikur e kishin linçuar. Semafori përballë e ndezi dritën e blertë. Njerëzit, nga të dy anët e rrugëve, u sulën drejt njëri-tjetrit me të tillë harbutëri, si dy grupe vandalësh që kërkonin të lanin llogaritë midis tyre.
Një makinë, që u bllokua nga drita e kuqe, pa arritur të kaloi ndalesën, kafshoi nervozshëm asfaltin dhe u sul para. Një fëmijë rreth të dhjetave u hodh në anë të rrugës, i goditur nga turiri i saj. U dëgjuan të bërtitura dhe frenime të dhjetra makinave të tjera. Midis tyre një piskamë rrënqethëse dhe lëvizje të çoroditura të një gruaje të re pranë trupit të vogëlushit.
Elona ishte mbërthyer në mesin e autostradës së gjerë, sikur rreth e rrotull saj të ishin ndezur ngado drita të kuqe. Ishte “linçuar”së bashku me këngëtaren e afisheve. I vogli! Kishte shtatin e të vëllait. Sa e kishte marrë malli! Shpirti i motrës. Xhani i vogël! Do mund të shpëtonin djalin e goditur? Sikur e ëma të mos kishte para?
Ç’ishte ky hall mor bir, i tha e ëma Ardianit.
Që kur kishin vdekur prindërit e të voglit, fjala “hall”ishte bërë pjesë e përditëshme e fjalorit të saj, pa u rrezikuar të kthehej në rutinë. Në shqiptimin e “a-së”që si gropë kishte gëlltitur gëzimet më të mëdha të jetës së saj, Ardiani shihte serialet e viteve, ku haretë ishin prerë nga mortja, duke u dyllosur në fund me atë “ll”-në e shurdhët, të pajetë.
Do rregullohen të gjitha mama, i tha i biri, pa qenë vetë i sigurtë për këtë.
I nipi iu lut t’a merrte të paktën vetëm një natë në shtëpinë e tij.
Nuk lejojnë mjekët, u mundua t’a merrte me të mirë ai. Sapo të shërohesh, do të shkojmë bashkë ku të duash ti.
Do më blesh shumë lodra?
Shumë.
Do të më lejosh të vij të punoj e ty?
Të shohim.
Gjërat e premtuara nuk e qetësuan vogëlushin. Ia ndezën më tepër dëshirën për t’i patur ato dhe në pamundësi të saj, turfulloi dhe doli jashtë, për të bërë një nga shëtitjet e zakonshme që bënte gjatë ditë qëndrimeve në spital. Pas pak u kthye duke rrufitur një Amitë.
Ku e gjete, e pytën në të njëjtën kohë nënë e xhaxha.
M’a dha një tetë në fund të korridorit, u tha ai duke tërhequr me pipë një segment lëngu.
Ardianit i ndriçuan sytë. Elona paska rrëmbyer pa thënë, një kuti amite nga ushqimet për të voglin. Do t’a ftonte të futej në dhomë. Të ëmës do t’i thoshte se e kishte shoqe, fqinjë, a mendonte ç’të donte. E kërkoi me sy mbi kokat e njerëzve, që lëvrinin lart e poshtë. Nuk e pa! Vrapoi tek banjot nxitimthi bashkë me ndjenjën e ankthit që i rritej. As atje!
Kush t’a dha, pyeti gati me të bërtitur të nipin.
I vogli tregoi me gisht një mesogrua, që ishte mbështetur tek parvazi i një dritareje dhe sodiste jashtë.
U tërbua. I kishte ikur. U sul si dem i tërbuar jashtë. Shi dhe natë. Ku mund t’a gjente?Retë ishin çkrafanjitur dhe disa yje, si të shihnin vjedhurazi se ç’bëhej poshtë, e ndiqni si fqinjë thashethemexhinjshë. Shiu që sapo kishte pushuar, sikur i kishte sjellë në vete kalimtarët. Mundoheshin t’u shmangeshin vendeve të ngopura me ujë. Në lëvizjet e tyre kishte diçka nxituese, riparuese, si një vend që rindërtohet pas luftës.
“Budalla, injorant dhe matuf i pandreqshëm”, e shau veten. Çfarë do t’i thoshte Andit?Ado të vlente më akti shpëtues që i kishte bërë në vogëli?”Kurva”, shau ndotë. E kishte bërë që t’a besonte. Më shumë akoma, kishte filluar të ndjente për të. E kishte puthur. Dhe ajo, pas kësaj i kishte bërë”naftën”!
U sorollat më kot stacioneve të autobuseve dhe dyqaneve me shpresën për t[ parë diku siluetën e saj. Sapo shihte vajzë që i përngjante sadopak ngazëllehej. I dukej se ngjashmëria e saj me to, i mbante gjallë shpresën se mund t’a shihte. U rraskapit. U kujtua se mund të rezikohej nga policia, në qoftë se ajo mund të ishte drejtuar atje. Edhe Andi gjithashtu!Duhej t’a njoftonte.
Ç’kemi, iu përgjegj ai celularit të Ardianit.
Iku, shfryu ky i dërrmuar.
Kush, femra që të dhashë?
Po!
Kopuk ke qenë dhe mbete!Ku ndodhesh, iu hakërrua tjetri. Mori koordinatat dhe mbylli harbutshëm telefonin.
Ishte i mbaruar me gjithçka. Me të nipin po!E ëma i kishte thënë, se të motrat po përpiqeshin me anë të një shoqërie bamirëse, të ndihmonin me të ardhura në operimin e të voglit. Në qoftë se nuk do arrinin gjë, një zot e dinte se si do të dilte nda ky ferr. Sikur të mpleksej edhe policia në këtë mes, do t’i shtoheshin hesapet ne Andin dhe kolegët e tij, që fare lehtë mund t’a hiqnin qafe. U mbështe në parvazin e një muri rrethues të një ndërtese shtetërore. Ishte qullur i tëri. Jashtë e brenda, si një amfib i përjargur, i rrëshqitshëm dhe i neveritshëm.
Pas pak mbërriti Andi. Si një dedektiv i kujdesshëm, pa rreth e rrotull para se të përplaste forcërisht derën e makinës. Dëgjoi shpjegimet e pajetë të tjetrit për veshjen e atë ditëshme të Elonës dhe rrugët që njhte ajo. Pak minuta më vonë, dera u përplas sërish me forcë, sikur të godiste dikë me shuplakë dhe humbi duke lënë pas rrotave shkulma uji. Ardiani u mundua të kuptoi ato që i tha Andi, tek e la aty si kufomë të pakallur. Instiktivisht kishte ndjekur hapje-mbyllje gojën e tij , që kishte lëshuar përmes një vështrimi përçmues, si “zoti qoftë me tya”! Ishte i vdekur.
Do kthehej në shtëpi me këmbë. Nuk donte të merrte taksi. Për të dënuar veten ndoshta. Diku në lindje, iu duk se agimi dha një sinjal të vogël me një feksje drite që mezi dallohej. Qielli ishte i hapur krejt dhe yjet shihnin kureshtshëmëm atë që ishte bërë poshtë, në mungesë të tyre.
Dëshironte vetëm një gjë, të shtrihej e të flinte gjatë. Ndoshta edhe pa u zgjuar kurrë.
Shtypi butoni e ashensorit, i cili vonoi të zbriste. Prej tij doli zonja Panajotë e cila pas interesimit mbi shëndetin e të voglit, shpjegoi zgjimin e saj të hershëm, të cilën Ardiani e harroi, sapo ajo mbaroi së foluri.
Ç’kyçi derën, por nuk e kyçi prapë. Asgjë nuk do të kyçte më. U shtri në divanin ku kishte fjetur ajo, mashtruesja, Elona. U mbulua me një batanije të ndodhur rastësisht në anë të tij, dhe humbi në gjumë të thellë.
Që gërhiste tek-tuk gjatë natës e dinte. Por edhe në të zgjuar, të ndiente frymëmarrjen e thellë të vetes, për herë të parë po e kuptonte. U ngrit ndenjur dhe para se të vendoste të shkonte në banjo, përsëri iu bë sikur dëgjoi diçka. Iu afrua krevatit të tij me frikën e befasisë që shkakton e panjohura. E pabesueshme!Elona!Elona flinte në krevatin e tij. E zverdhur dhe e hequr frymëmerrte rëndë, si të lëshonte duma ankthi dhe marazi. Mbi komodinën pranë pa një shuk kartëmonedhash. Po çmendej. Iu duk se vende-vende ato ishin të gjakosura. Dalloi mustaqet dhe vështrimin vëngërosh të Kolokotronit, nën buzën e të cilit varej një pikë e kuqe gjaku, sikur sapo të ishte ngritur nga një tryezë orgjie. Një tjetër kartëmonedhë, i ngjau, në mos i bëfshin sytë, që i vërdalloseshin së bashku me kokën, me Skënderbeun. Klienti”patriot”në mungesë të dhramive, apo nga mosdashja e harxhimit të tyre, paskësh paguar me monedhën e vendit të tij. Ardiani mendoi se po të rrëmonte poshtë kartëmoned!
have, mund t’i shfaqej ndonjë tjetër hero, e zëmë Napoleon Bonaparti. Heronjtë e monedhave, e kishin rrethar trupin e Elonës në çastin e pagesave, jo për t’a sulmuar, por për të dorëzuar armët, si pengje të luftës së mishtë, që ishin kapërthyer mbi trupin e virgjër të saj. Së shpejti, ata do të zëvendësoheshin me monedhën e përbashkët evropiane, shenjë e tolerancës dhe mirëkuptimit evropian. Tolerancë djalli!
I uli lehtë jorganin. Tjetra nuk u zgjua. I pa mishin e bardhë nën gushë dhe e puthi lehtë. tanimë, do të fillonte dënimi i vdekjes nga e kundërta. Idioti, nuk kishte besuar Elonën, por atë maskarain, Andin. Mirë do kishte qenë të mos e kishte shpëtuar fare në fëmijëri. Ndërsa ajo , i ishte dorëzuar vetë prostitucionit, për të ndihmuar të nipin e tij.
E zbuloi në mes, pastaj të gjithën, si për të detyruar veten, shkakun e viktimës, të vuante, tek e shihte të pafuqishme si një drenushë të plagosur. E puthi lehtë nën gushë. Vajza ndjeu të ftohtë dhe u mblodh kruspull. E mbuloi shpejt dhe butë. I hodhi edhe kuvertën me të cilën ishte mbuluar ai vetë. E vështroi gjatë, i ngujuar pranë shtratit ku ajo flinte, si pranë një të sëmuri rëndë, i gatshëm për t’i shërbyer.
Ajo lëvizi. Donte të kthehej në krahun tjetër, por një dhimbje ia hidhëroi fytyrën. Qerpikët i’u përpëlitën, si për t’i dhënë sinjalin e lidhjes me realitetin. Ndjeu edhe Ardiani një regëtim të lehtë në krahëror. Me ç’sy do t’a shihte ajo?Të akuzueses për gjendjen ku ndodhej, apo të falëkërkueses për largimin e beftë?Shprehja e parë ishte ajo e çudisë, kur pa sytë e tij të ngulura mbi të.
Ç’është?-e pyeti.
Ç’qe kjo që bëre?-pyeti edhe ai.
Cila?
Ai vështroi kartëmonedhat.
Atë që dëshiroje ti, i tha me zë të ulët.
Daljen në rrugë?
Oh, ofshau ajo, me bezdinë për të gjetur shpjegimin dhe pak nga një dhimbje therëse në fund të barkut, që nxitoi t’a shtypte me dorë, si për t’a ngujuar forcërisht. -Shpëtimin e tët nipi!
Ai deshi t’a pyesë seç e lidhte atë me nipin e tij. Nuk e pyeti!
Vishu!, i tha prerë, por ëmbël.
As ajo pyeti përse. Ai nuk e pa të vishej. Me sy jashtë dritares dhe kurriz të kthyer nga ajo, i ndjeu lëvizjet e ngadalta dhe të plogëta.
Bëj rrobat gati, i tha përsëri.
Ajo pyeti heshturazi me sy.
Do të të kthej në Shqipëri, i pëshpëriti ai.
Lotët i rrëshqitën mollëzave, duke njomur buzët e plasaritura nga një nxehtësi e brendshme, si një tokë e tharë, që nuk kishte njohur bimësi.
Valixhja nuk iu mbush plot. Disa prej tyre nuk i mori. Nuk harroi xhaketën. Ardiani i dha kartëmonedhat.
Nuk i fitova për vete, i tha ajo.
Në këtë shtëpi nuk ka vend për heronj, ia ktheu ai, do ndjehem më mirë me ty!
Ajo iu hodh në qafë dhe megjithë dhimbjet që ndjente përgjatë të gjithë trupit, donte që edhe ai t’a shtrëngonte fort, si për të shkërmoqur e tretur të parat. Sapo matej të gjente fjalë falenderuese, heshtëte dhe shtrëngohej më shumë pas tij.
Ikim, e largoi ai kujdesshëm. Mund të n’a kërkojnë.
U zgjua aty pak pas mesit të natës. Ndjeu që larg zërin e këndesit, sa mezor dëgjohej. Dëgjimi i dobët mund të ishte një lehtësim për të rifjetur përsëri. Mbuloi me jastëk veshët. Sa më shumë përpiqej të shmangte kokorritjet e mistrecit, aq më këmbëngulshëm depërtonte ai në boshllëk-pambukun e jastëkut të saj. Madje, tanimë më me forcë, si për t’u rebeluar ndaj mospërfilljes së botës njerëzore, kundrejtë tingujve natyralë, që çdo ditë e më tepër zëvendësoheshin nga ato mekanikë e elektronikë. U ngrit, duke e respektuar padashje patriarkun kapedai. Ndjehej e ngopur me gjumë, pas gjithë atyre ditëve që qëndronte në shtëpi. Babai kishte biseduar me një të njohur ne drejtorinë arsimore, që të jepte provimet për javët e fundit të munguara në shkollë. Provimet e maturës mund t’i shtynte për në vjeshtë.
Shumë pak vizitorë kishin ardhur për t’a takuar. E ëma rrinte si “karakoll”në bashkëbisedimin e tyre me Elonën, duke çensuruar ç’do fjalë të tyre. E kishte lejuar të bisedonte kokë më kokë vetëm me mamanë e Elsës, e cila priste nga dita në ditë t’i kthehej e bija nga Italia.
Oh, sa mirë, kishte klithur Elona dhe i kishte shtrënguar duart, në shenjë falenderimi për lajmin e mirë.
Mëson për kozmetikë dhe punon ku mundet. Do të të zbukurojë edhe ty, nuse do të të bëjë.
Tjetra buzëqeshi lëndueshëm.
Mos u mërzit hiç, nuk u dorëzua gruaja. Ç’do gjë e kalon njeriu kur gabon. E keqja e bërë enkas nuk kalon lehtë, përveçëse me prova shumë të forta. miku yt e kaloi atë.
Ajo e kishte quajtur mik Ardianin. Befas ndjeu mall për të. Në mos mall, një kureshtje për të ditur se ç’bënte.
Kishte aguar. Rrugët uturinin nga makinat e njerëzit, që nuk e dini se para tyre ishte përpjeku për t’ia thyer qetësinë natës një gjel i vetmuar. Ishte vetëm në shtëpi. Prindëri e kishin porositur, si të ishte një fëmijë i vogël, të mos e kaptetelefonin pa u ndodhur edhe ata. Nuk e dinte sa do vazhdonte kujdesi i tepruar i tyre.
Tringëlliu telefoni. Nuk e kishin porositur për ngritjen ose jo të tij. Do t’a kapte. U mërzit e vetme kaq ditë.
Alo, iu përgjigj telefonuesit.
Elona je, pyeti tjetri.
Po, u tremb ajo.
Jam Ardiani!
Oh, iu mor zëri asaj.
Si je?
Mirë!
Ç’po bën?
Hiç!
Pasi shkëmbyen disa fjalë një e dy rrokëshe, kaluan në përdorimin e gjatë të tyre.
Si u bë nipi yt, e pyeti ajo.
Mjekët thonë që është jashtë rrezikut. E ulën pagesën. Megjithatë ndihmoi edhe një organizatë bamirëse që siguruan motrat e mia.
Unë po përgatitem të jap provimet dhe ...
A vjen të shohim një film së bashku? Ndodhem në Tiranë. Luan ajo aktorja që të pëlqen ty! Në filmin “Gruaja e bukur”!
Bën shaka?
Kur fillove t’i marrësh të vërteta si shaka ?
Që kur të vërtetat fshihen pas shakave.
Unë nuk të fsheh asgjë!
E di!
Athinë 2003-2004.