-tregim-
Kur mbërritëm në lagunë e ndjemë menjherë pushtetin jetëdhënës të freskisë që na solli në vete, ndaj dhe pohuam me kënaqësi se, kishim shpëtuar nga pasojat e zhegut të asaj dite gushti.
Fuoristrada jonë brambulliti një copë herë si një i sëmurë me kollë të thatë, pastaj u fik përpara një bar-restoranti vezullues, ambientet e të cilit të premtonin prehje dhe qetësi. Shenjat e rrotave mbi barin e parkingut dhe mbeturinat ushqimore e të pijeve përreth, dëshmonin se aty kalonin në çdo orë të ditës pushues e udhëtarë të ndryshëm.
Nuk vonoi të na shfaqej një djalosh i hijshëm, me flokët e prera shkurt si një furçë rroje, që na uroi mirëseardhjen duke na vështruar drejt e në sy.
-Në të vërtetë,- nisa të flasë si i zënë në faj,- kërkojmë një shok të vjetër fëmijërie, Kalosh Vençën.
-Vetëm dje mësuam se ai ka dy vite që banon në këtë lagunë!-sqaroi miku im, gjenerali.
Djaloshit iu hapën spangot e buzëve të holla në përpjekjen për të na buzëqeshur. Picërroi një farë kohe sytë si për të kaluar në kujtesë emrin e tij apo për të bashkuar, si i thonë, zërin me figurën, dhe u përgjegj me një shprehje sigurie në fytyrë:
-Po, Kalosh Vençën e njohin të gjithë këtej rreth e rrotull. Shtëpia e tij është gjysmë ore larg prej këtej, por çatia e saj duket edhe nga taraca e hotelit. Dhe na udhëhoqi drejt saj.
-Ja, -tregoi ai një çatizë të zhytur në gjelbërim fare pranë detit, -shtëpia që ju kërkoni është ajo atje!
Meqenëse ajo ishte një ndërtesë të vetmuar dhe çdo sqarim tjetër ishte i panevojshëm, shtoi:
-Ju këshilloj që, atë copë rrugë të mallkuar nëpër lagunë, me pellgje, barishte e zhuka, ta bëni me këmbë… Makinën e kini të sigurt këtu!
Nuk kishim asnjë arsye të mos ndiqnim këshillën e djaloshit, ndaj morëm rrugën që na tregoi ai. Gjenerali dilte në pika dominuese dhe pasi hetonte me vëmendje përpara, zgjidhte rrugën më të përshtatshme dhe sërish vihej në krye të marshimit. Ndonjëherë, duke luajtur rolin e zbuluesit, ai paralajmëronte më një zë të fortë sikur të komandonte vartësit:
-Drejtimi djathtas! Pas zhukave që kini përpara!
Piktori Pilo Meteliku, gjeti rastin të vlerësonte dobinë e profesionit të ushtarakut, ndoshta për herë të parë në jetën e tij.
-Ia paskam mbytur kot që kam përbuzur karrierën ushtarake. Qenka profesion përsëmbari!
Meqenë se fjalët u thanë me ton të zakonshëm e solemn, nuk u kuptua, nëse kuptimi i tyre ishte ironik, por kur ia nisi sqarimeve, u duk se ai ra nga shiu në breshër:
-Me një fjalë, profesioni i ushtarakut ngjason me bariun ose kallauzin, apo jo gjeneral?!
Në të vërtetë gjeneralit nuk i erdhi në vesh pyetja që u rrëmbye nga fllad i freskët i erës që vinte nga bregu i detit, ndaj m’u drejtua mua:
-Lexove gjë ti në fjalët e atij punonjësit të barit? Thuaj po deshe se legjendat për eremitin tonë nuk janë të vërteta! -dhe fshiu i menduar nga qafa dhe balli çurkën e djersës me një shami të bardhë, me vija të ndritshme, e cila ndoshta tani nuk vlente më, sepse u zhubravit dhe u lëros si një letër higjenike.
Pilo Meteliku vjen hollak nga trupi, por edhe në fytyrë, ai nuk ka mish në faqe. Ajo çfarë bie më shumë në sy dhe që mbahet mend nga ai, padyshim, është karakteri i tij. Ai është aq këmbëngulës në ato çfarë thotë sa, u shkakton një lloj besdie bashkëbiseduesve, ndonëse po ta shohësh punën hollë-hollë, mendimet e tij janë pak të çuditshme, të ngarkuara me një farë trishtimi dhe të veshura me një petk artistik.
Papritur, ai ndaloi hapat, ndalesë që i ra në sy edhe gjeneralit që printe para nesh dhe më preku lehtë në bërryl njësoj sikur të më paralajmëronte për rreziqet nga pellgjet e shumtë dhe duke më ngulur vështrimin e syve të mprehtë, vijoi:
-Jeta, nuk është gjë tjetër miku im, veçse një akt i mrekullueshëm, por dhe i pakuptimtë i natyrës.
-Nxitoni, më shpejt, këtej, këtej! - i grishte pareshtur zëri i gjeneralit.
-Nuk më thua, përse të jetë kaq e shkurtër? Nuk e di si nuk çmendem, kur mendoj se një ditë, heret apo vonë, do të vijë një çast, kur unë nuk do të jem më në këtë botë, sikur të mos kisha jetuar kurrë! -vazhdonte të fliste Pilo Meteliku. -Po, si qenka kjo punë kështu; vijmë e ikim si kovat në pus?! Eja mos luaj nga mendja po deshe!
Dielli nisi të djegë pa mëshirë. Ajri i nxehtë dridhet mbi lagunë sa mezi shohim përpara edhe vetë siluetën e gjeneralit që duket sikur nuk do t’ia dijë as për shiun dhe as për diellin. Përpara nesh, kudo sa të ha syri, ndriçon pëlhura e tejdukshme e avujve vezullues. Gjenerali kishte mbajtur hapat dhe po na priste pranë një shtrati të thatë përroi.
Befas, nga vëndi ku kishim mbërritur, na u shfaq përpara syve, si një ballë i bukur vajze, fshehur pas balukeve që trazon era, çatia e kuqe e një shtëpie të vetmuar.
-Nuk më thua,-ndolli hundët dhe pastaj nisi të kollitej me delikatesë Pilua,- përse të ndodhë kështu, ëë?!
-Ec, luaj këmbët! Në ushtri, kur zbaton urdhërat, është njësoj si të jesh falur në kishë; ke shpëtuar nga të gjitha mëkatet! -hyri në bisedë gjenerali duke e rrokur me hamendje kuptimin e bisedës midis nesh.
Nën llapashitjet pambarim të valëve që vinin deri në veshët tona, të pickimeve përvëluese të majave të xunktheve, nuk e kuptova se si më mbytën kujtimet e viteve të largët e pakthim të fëmijërisë…
* * *
Kalosh Vënça kishte qenë shoku ynë i klasës. Cili dinte më mirë se ai t’i afrohej vjedhurazi, me një hap dhelpre vreshtës së fermës që varej mbi kodrinë, të mbushte një çantë bezeje plot me rrushë dhe pastaj, të na ftonte për të ngrënë me atë fisnikërinë e tij të pashoqe?
Edhe në auditorët e fakultetit, por edhe tani me një barrë thinja në kokë, s’më janë hequr nga sytë veshulët kokërrmëdhenj e plot leng ngjyrë qelibari. Pasi dendeshim mirë e mirë, dhe çfarë mbetej prej tyre, Kaloshi i varte në degën më të lartë të rrapit pranë burimit. Në kthim, pas disa orësh bredhje nëpër ujërat e lumit, të lodhur e të nxirë dhe me një uri prej ujku në bark, na dukeshin si një dhuratë qiellore ata veshulë rrushi të ëmbël mjaltë. Me një fjalë, në gjirin tonë, nuk kishte djalë si Kaloshi…
Pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare, secili prej nesh i hipi kalit të fatit të vet në atë udhëtimin pa kthim. Mua m’u desh të trokas dyerve të fakultetit, Piloja për artet e bukura për pikturë, ndërsa gjenerali në shkollën e oficerëve.
Po shoku ynë i katërt, Kalosh Vënça?
Pas mbarimit të shkollës së mesme, dënohet me njëzet vjet burg për pikëpamjet e tij politike që synonin, sipas vendimit të gjykatës, të përmbysnin me dhunë sistemin në fuqi. Por, ylli i fatit nuk i ndihu as edhe një herë të vetme, sepse ai i kishte kryer vitet e dënimit të plota dhe kokërr më kokërr.
Lirimi nga burgu ndodhi në kohën e ndryshimit të sistemit shoqëror. Nga shitja e një sasie toke të lënë trashëgim prej prindërve apo ndonjë burimi tjetër, shfaqet në sytë e njerëzve si zotëruesi i një shumë të madhe parash. Njerëzit që e njihnin u shtangën përballë vendimit të Kalosh Vënçës, për të mos jetuar në kryeqytet dhe në ndonjë qytet tjetër të madh të vendit, por diku larg syve të tyre.
Ç’ishte kështu kjo jeta e tij si ujërat e një burimi që humbasin në shkretëtirë?!
* * *
Ndërsa çapiteshim thellë e më thellë në lagunë, vështrimet tona flatronin me shpejtësinë e refleskit të një pasqyre, herë mbi kodrat që zbrisnin mbi lagunë, të veshura me ullinj, me vreshta e fiq, dhe herë në ujërat e fjetura përreth, që dremisnin në një heshtje të mistershme. Të udhëtosh nëpër lagunë do të thotë të përballesh me dhjetra kurthe që të ngre orë e çast natyra me ujërat e thella kutërbonjëse si gjire, gropa të mëdha e të vogla, por që nuk ua sheh dot fundin, shkurre dhe driza që të fshikullojnë sikur hakmerren për pushtimin si dhe me zvarranikë të gjelbërt në të verdhë e gjarprinj të frikshëm dhe helmonjës. Kur na u duk se kishim gjetur shtegun e përshtatshëm që do të na nxirrte përpara shtëpisë së Kalosh Vënçës, nga i cili po i shihnim prej këtej shkallët e shtruara me tapet të gjelbërt, verandën, ku hijezonte një çadër dielli plot ngjyra, një tryezë dhe disa karrike prej kashte rreth saj, u ndjemë si të mashtruar, sepse ai shteg ishte pa krye, i mbyllur e qorr, prandaj, na u desh të ktheheshim prapa, të përshkonim një lakore me shpresën se ajo do të ishte ndoshta pengesa e fundit që na ndante nga shtëpia e vetmuar atje tej.
Një puhizë e freskët që vinte nga deti zhurmëmadh, nuk i ndahej faqes së ujit dhe, sa herë që kalonte mbi morinë e xunkthave siç kalon një krehër mbi flokët e lëmuara të një vajze, linte pas ca valëzime të ëmbla dhe një muzikë fëshfëritëse.
Qetësia e mistershme mbi ujërat e lagunës krijon një gjendje ankthi të frikshme dhe i shëmbëllen një kornize që nxjerr më mirë në pah bukuritë e një pikture. Në këtë lloj qetësie, dëgjoheshin qartë, zërat e dhjetëra gjallesave që pllaquriteshin në ujëra në qejfin e vet, por që syri ynë nuk i shihte, dhe fërshëllimat e lehta të krahëve që ngriheshin dhe uleshin pa mbarim me klithma e britma ngjethëse.
Ja, ku u shfaq dhe mbreti i lagunës, një lloj lejleku i bardhë, këmbëgjatë dhe me fundet e krahëve të zi. Shumë syresh nga ata çapiteshin me një elegancë të përsosur, duke çukitur herë pas here midis këmbëve sipërfaqen e ujit. Të tjerë, ngriheshin fluturimthi drejt çerdheve, ku i prisnin sqephapur të vegjëlit e tyre. Kur dolëm nga shkurret e xunkthet, shtëpia e vetmuar na u shfaq e plotë me pemë e hije si dhe me tufëza lejlekësh që fluturonin pa drojtje rreth e qark. Nga veranda, dikush që na kishte kundruar me pëllëmbën e dorës si një strehëz mbi sy, për t’u mbrojtur nga rrezet e forta të diellit, bëri për nga shkallët. Ky veprim, na nxiti të shpejtonim hapat. Bëmë ç’ishte e mundur, për të dalluar kujt i përkiste silueta e njeriut që po na priste tek shkallët e shtëpisë, por vetëm kur iu afruam shumë pranë e njohëm atë: Kalosh Vënça po na priste me një buzëqeshje të hijshme, por të lodhur në fytyrë. U lëshuam në krahët e njëri tjetrit duke nxjerrë britma e klithma gëzimi, si dikur fëmijë. Edhe gjenerali për një çast e mënjanoi jerarkinë ushtarake dhe iu dorëzua kujtimeve të fëmijërisë. Pa fjalë dhe në heshtje, nisëm të vështronim fytyrat e njëri tjetrit si për të dalluar më mirë gjurmët që kishin mbetur nga njëzet vitet e shkuara!
Kaloshi i kishte flokët të bollshme dhe ende të zinj dhe, ndërsa përqafohej me gjeneralin, duke parë flokët e tij të zbardhur, të shkonte mëndja se, ishte vetë gjenerali ai që kishte qenë në burg plot njëzet vjet dhe jo ai tjetri, flokëziu. Vetëm një cullufe në kreshtën e ballit, si një rrebele e lodhur nga jeta, e kishte tradhëtuar Kalosh Vençën, sepse ishte thinjur, por edhe ajo, më tepër të krijonte përshtypjen se ishte frut i prekjes nga pupula e një shpendi të lyer me miell. Kaloshi kishte një trup mesatar, por të lidhur. Një ecje të ngadaltë, por të sigurt. Në fytyrën e tij dukej sikur bashkëjetonin të gjalla gjurmët e të gjitha viteve bashkë. Ballin ia mihnin në katrorë të vegjël tri rrudha të mëdha dhe të thella. Ninëzat e syve i ruanin çuditërisht një bukuri e shkëlqim befasues.
-Ju njoha nga larg,-nisi të flasë ai me një zë të shtruar dhe i mallëngjyer, duke na ftuar me dorë drejt verandës. E ndoqëm nga pas me hap të drojtur, si të shkelnim mbi vezë, pa ia ndarë vështrimet kureshtare pamjeve ku jetonte prej disa vitesh i vetngujuari ynë.
Nuk kishim zënë vend mirë, kur ai thërriti me zë të lartë një emër jo të zakonshëm për veshët tanë:
-Fatmaxhihan, Fatmaxhihan, ejani pak këtu!
Në derën e verandës u dha një vajzë e bukur e zeshkët, shtatëgjatë dhe me tiparet e fytyrës të spikatuar që, edhe pas ndarjes, nuk e di përse na mbetën në kujtesë për një kohë të gjatë.
-Këta janë tre shokë të fëmijërisë sime, - iu drejtua Kaloshi asaj, - në fillim, dua të na freskosh me ato limonatat e tua çudibërëse dhe, duke u kthyer nga ne, vijoi: - Kur t’i provoni, do të më jepni të drejtë.
Fatmaxhihani, e drojtur dhe e heshtur si një pagodë kineze, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, na uroi mirëseardhjen duke na zgjatur dorën e zbukuruar nga dy unaza me gurë kornioli dhe smeraldi që theksonin edhe më shumë pamjen e saj femërore. Edhe në gushë, ajo mbante një numër gurësh të tillë. Kundruam nga afër fytyrën e saj rinore, me një ballë që pjerrej në drejtim të flokëve korb të zinj dhe dy sy si ullinj të stërpikur në degë nga vesa e mëngjesit. Midis vetullave si krah dallëndysheje kishte vizatuar me kalem një rreth të vockël ngjyrë blu, në madhësinë e një kokrre orizi, që për racën e saj, simbolizon fat në dashuri dhe jetë të lumtur. Jo vetëm nga zëri dhe mënyra si fliste, nga vështrimi i qetë dhe i sigurt, por edhe nga largimi me një hap mbretëreshe, për të zbatuar porosinë, kuptuam se ajo, ishte këtu një zonjë e vërtetë shtëpie. Duke ndjekur vështrimet tona që nuk ia ndamë gruas që hynte dhe dilte në dhomë si një flutur, Kaloshi e ndjeu të nevojshme të na sqaronte:
-Në fillim, më kanë habitur ndoshta më shumë se sa ju, ata gurët e vegjël e të rrallë, që ajo mban në dorë dhe në gushë, trashëgim nga e ëma. Jam mahnitur nga besimi i Fatmaxhihanit për vetitë dhe forcën magjike të atyre gurëve.
Fatmaxhihani beson se unaza me gur kornioli, që ka ngjyrë të kuqe ose portokalli, është gjysmë i çmuar dhe mban ndezur ndjenjat e dashurisë. (Nuk u kuptua përse atë çast Kaloshit iu prushua fytyra). Sipas gojëdhanëve, ky gur mbron çdo gjë të gjallë nga vdekja, sëmundja dhe u dhuron mbajtësve lumturi e qetësi.
Në pak sekonda, si një amvisë e mirë, Fatmaxhihani na hodhi nëpër ca gota qelqi që të merrnin sytë nga vezullimet, disa lloj pijesh aromatike dhe dehës, ndër thesaret e pakta që ende ruan natyra në gjirin e saj.
Ndërsa shijonim lëngjet e shijshme, ramë në ekstazën e saj. Ajo kishte shtrydhur në gotat që pinim, frytet dhe lulet e të gjitha stinëve bashkë. Dhe Kaloshi, nuk mungoi të na hidhte një vështrim krenar. Hodhi këmbën përmbi këmbë i kënaqur pa masë që rronte në mes të asaj mirësie, dhe pastaj iu drejtua sërish vajzës që ia kishte mbërthyer sytë.
-Do të shkosh në skelë dhe do të takosh Nezirin, atë peshkatarin thinjosh që iu mbyt djali vjet në gjirin e Karaburunit me gomone, të kujtohet? Pyete për shëndetin dhe në se ka nevojë për mua. Pyete nga unë si iu bë këmba e sëmurë. Pastaj i thuaj se Kaloshit i kanë ardhur tre shokë fëmijërie dhe dëshiron t’ju shtrojë një drekë me ngjala. Pasi i hodhi një sy orës, shtoi:
-Në orën dymbëdhjetë e gjysmë, besoj se do të na kesh shtruar drekën në verandë.
Pa thënë fjalë tjetër, u ngrit dhe na priu përmes lehëve të luleve dhe hijeve të pemëve rreth shtëpisë. Gjenerali nuk harroi të merrte nga varësja kapelen dhe ta ngjeshte në kokë.
Aq shumë vapë bënte, sa edhe në hije na dukej sikur ajri kishte ngrirë. Në pëmet e shumta me kurora të mëdha, nuk këndonte asnjë zog. Vetëm ca lejlekë të vetmuar e guximtarë fluturonin në pellgjet pranë, zhysnin kokën dhe pastaj plot gjallëri ia nisnin çukitjeve në dherat e punuara, në kërkim të krimbave dhe të vemjeve. Kohë më kohë, ngrinin qafat dhe na hidhnin vështrime të trembura.. Kaloshi mbajti hapat në një hije gështenje.
-Miqtë e mi, -ia nisi ai ligjëratës, -me siguri duhet të keni dëgjuar të flitet për mua në qytet. Ndoshta kjo kërshëri është dhe shkaku i ardhjes suaj këtu. Tani tiparet e fytyrës dukeshin të palëvizura dhe vështrimi, sikur i vinte prej shumë larg.
-Kur dola nga burgu, një peshë si një gur më shtypte zemrën. Më shumë se atje brenda, kuptova se më kishte humbur diçka e pakthyeshme. Ndoshta, ajo sëmundja shpirtërore që robëron njeriun e mbyllur në burg si një amok i mallkuar, më thau dashurinë për vajzën që desha dhe nuk ma ktheu më kurrë gëzimin e parë…E di se, po të ndodhej pranë meje tani një nga ata bashkëvuajtësit, do të ngrysej si një qiell i sterrosur nga retë e zeza për fjalët e mia. Eh, burgu, or, vëllezër, është një kupë e hidhur që unë pata fatin e zi ta pija me fund. Po, sa të vërteta të hidhura mësuan atje, sa besoj se nuk do t’i mësoja dot edhe sikur të lexoja librat e gjithë botës. Mbaj mend se një shoku ynë, që ne e mbanim për torollak, më thoshte për politikën: “Kalosh, ajo nuk është gjë tjetër veçse një bajgë që e ka ndarë qerrja në dysh; njerëzit e njërës anë, grinden dhe shajnë ata të anës tjetër. Mos e kishte keq vallë? Nejse, unë dua të flas për veten time…Provoni të rrini më shumë se një ditë me një ish të dënuar. Në të vërtetë, ata qëndrojnë përpara jush si në gjemba, sikur nuk e kanë orën e mendjes njësoj me ju. Ju duket sikur në sjelljen dhe fjalët tuaja ka vetëm dhelpëri e mashtrim. Sa vese kemi ne, miqtë e mi; veç jemi të sinqertë si fëmijët, pra, ca fëmijë-pleq, që nuk u pëlqen asgjë në këtë botë. Kur të duash, me ne të ndez belaja; i dhe ujë të ftohtë gomarit, keq. I dhe ujë të nxehtë, prapë keq. Por, edhe sikur t’i kesh dhënë ujë të vakët, është më keq akoma. Duket, nuk ka ilaç për shpirtin tonë… Ndaj nuk dimë si t’i ngrysim ditët tona, i thënçin, tani në liri… Jetojmë në ankthin që na është shndërruar si vetja jonë e dytë, sepse, në burg, jetonim me përrallën e shpresës së lirisë, njësoj si ata fëmijët që mëkohen me shprehjen: Eh, kur të rritemi…Ndërsa tani që jemi të lirë, na ndjek nga pas hija e hekurave të burgut. Por, kur të mungojnë edhe mjetet më të domosdoshme të jetesës, pija lëngun lirisë së fituar. Vetvetiu, rrethi ku nisi kjo jetë e qelbur mbyllet; triumfon ideja se, të paktën, atje në burg, mendonte dikush tjetër për kotheren e bukës. Me vdekjen e nënës sime të mirë, asnjëri nga vëllezërit, nuk erdhi të më shihte gjatë dhjetë viteve të burgut. Gjatë atyre viteve, unë nuk kam parë as edhe një fytyrë të dashur për zemrën time. Si? Ju duket normale? Po, provoni të lini të vetmuar, pa diell dhe dritë një bimë çfarëdo! Çdo të ndodhë me atë?
Për një çast, Kaloshi uli poshtë vështrimin i pikëlluar. Duket, kishte mjaft copëza jete të shkuara, për të cilat do të kishte dashur më mirë t’i groposte përgjithmonë në errësirën e kujtesës, se sa t’i ngacmonte. Nisi të ecë sërish, pak nervoz dhe me një farë lodhje në trup, sikur i kishin ngarkuar mbi shpinë një peshë të rëndë.
-Ajo vetmi e gjatë me dhëmbët lubi, ma shqeu zemrën. Dalngadalë tek unë nisi të shuhet dashuria njerëzore, kandilit tim të dashurisë, iu mbarua vaji. Fatmaxhihani, kjo femër që shihni këtu, është gruaja ime. Jo vetëm që, nuk druhem ta shpall këtë, por ndjehem krenar që ajo është cigane! Një vit pasi ndërtova shtëpinë në lagunë, ajo u duk këtej të shiste shporta e kanistra. A nuk ju ka qëlluar të shihni me dashuri, bukurinë e një ciganeje që troket në derën e shtëpisë suaj dhe ju pyet, nëse doni të blini diçka nga ato që tregton ajo?
Atë çast, pra, kur pashë bukurinë e saj, që tashmë e kini parë edhe ju, i thashë vetes se, fati ende nuk më kishte braktisur një herë e përgjithmonë. Nuk e pata fare të vështirë t’i kërkoja dorën. Pra, m’u deshën pesë minuta ta kërkoja për grua dhe ndoshta asaj i mjaftuan vetëm tre minuta për të pranuar të bëhej gruaja ime, pa ojna dhe naze. Sigurisht, e pranoj se në jetën e përditshme dhe në shoqërinë,ku jetoni ju, kjo është një gjë e rrallë dhe jo normale, apo jo?!
Ndërkaq, lejlekët nisën të frushëllojnë mbi çerdhet e pemëve dhe çatizën e kuqe të shtëpisë. Ndonjë syresh, kthehej nga larg, ulej drejt e mbi folenë e vet, ku e prisnin të vegjëlit, që cijasnin në pritje të ushqimit. Kudo, dëgjoheshin trokitkjet e paprera të sqepëve të gjatë e ngjyrë rozë.
-Mbase do t’ju duket një marrëzi e vërtetë martesa ime me një cigane të përbuzur që, gjatë jetës së saj s’ka bërë asgjë tjetër, veçse ka shitur shporta dhe kosha xunkthi. Për më keq, mund t’ju duket një marrëzi edhe më e madhe jeta ime midis këtyre lejlekëve sqepgjatë. Sigurisht, mund të jetë edhe kështu, përderisa nuk dini një të fshehtë që e dinë vetëm bashkëvuajtësit e mi. Miqtë e mi, ndonjëherë më vjen të ulërij me zë prej ujku; si mund të jetojë njeriu pa dashuri? Vitet e fundit, atje në burg, thashë se u çmenda dhe jeta më kishte shkuar kot…Më lanë forcat, sepse më pllakosi një molisje në trup dhe në shpirt sa, nuk nuk mund t’ua tregoj dot me fjalë. Kështu, u dergja plot tre muaj. Dha e mori me mua doktori i brendshëm i burgut, një i dënuar si unë dhe shpirt njeriu. Ne kishim edhe një doktor të komandës, pra të shtetit dhe që merrte rrogën për punën që duhej të bënte, por ai njeri ishte shpirt xhahil dhe duket se paguhej jo për t’u kujdesur për shëndetin tone. Betimin e mjekut, të Hipokratit, ai e shkelte me të dy këmbët në çdo rast që merrte urdhër nga komanda. Ky mjeku bashkëvuajtës si unë, më vizitoi anë e kënd, por, dhe i tha komandantit të burgut duke tundur i dëshpëruar kokën dhe supengritur se, nuk isha për atë, por, për një doktor tjetër. Sipas tij, vuaja nga një sëmundje psiqike e shpirtërore, një formë e rëndë e ankthit, e cila mund të më dërgonte shpejt në botën tjetër. Mbase, nuk e kishte gabim: tek unë, siç u thashë, ishte tharë lëngu i jetës, dashuria që rrit e mëkon të gjitha qëniet e kësaj bote. Por, nëqoftëse shpirti fishket nga mungesa e dashurisë, edhe trupi thahet nga mungesa e ushqimit. Prandaj dhe shëndeti im në burg, shkoi poshtë e më poshtë dhe ndoshta sot, nuk do të kuvendoja me ju, o miq të dashur, por do të isha kthyer në pluhur në ndonjë skaj të humbur varrezash, sikur…
Të pushtuar nga ankthi i tregimit të Kaloshit, papritur, vumë re se kishim mbërritur pranë një peme me degë të lëshuara gjer përtokë, ku shquhej nga poshtë, një çerdhe lejleku. Lart, mbi çerdhe, vigjëlonte një lejlek,aq i bardhë sa dukej sikur ishte i ndërtuar me flokëza dëbore. Ai ngriti kokën për të dalluar më mirë njeriun që fliste midis nesh.
Kaloshi e ndërpreu bisedën, hodhi sytë nga foleja dhe me një zë, me tone po aq të ëmbla sa dhe kur iu drejtua të shoqes në verandë, i thirri:
-Lirosh, o miku im; pa eja pak këtu, të takohesh me miqtë e mi të fëmijërisë!
Dhe, duke u kthyer nga ne në pritje të reagimit të lejlekut, pyeti:
-A nuk është i bukur emri Lirosh? Domethënë, sjellës i lirisë, ja përse mua më duket se është kaq i bukur!
Lart në fole, lejleku i vetmuar, u shtriq një copë herë, kruajti majtas e djathtas trupin, pastaj na vështroi me dyshim. Por, nuk kaluan pak çaste, kur ai rrahu krahët, bëri një gjysmë rrethi mbi folenë e tij dhe pastaj u ul me frushullimë drejt e mbi krahët e shtrirë të Kaloshit.
-Po, o miku im, -iu dejtua Kaloshi shpendit, sikur t’i fliste një miku të vjetër dhe besnik, -pa dashurinë tënde, ja ku po e them botërisht, sot, nuk do të isha i gjallë!
Dhe, duke u kthyer nga ne, vijoi:
-A nuk është e vërtetë, se njeriu vdes i brejtur nga brënda, ashtu si mund të vdesë fare kollaj i qëlluar nga plumbi? Kur lëngoja në shtrat dhe shokët më mbanin nga krahët deri jashtë në oborrin e vockël të burgut me një copë qiell të kaltër mbi krye, ku ne dilnim për t’u përshëndetur, ndoshta për herë të fundit me rrezet e diellit, miku im Liroshi, jo vetëm na lumturonte të gjithëve duke e zbukuruar atë copëz qielli, lart mbi kryet tona me fluturimin e tij, që ne e quanim Vallja e lirisë, por një ditë, ai na hodhi dhe një goxha peshk. Nuk e di përse këtë punë nisi ta bëjë me shumë zell, gati çdo ditë, nga ora njëmbëdhjetë-dymbëdhjetë. Më vonë, për këtë kam pyetur edhe zeologë të ndryshëm. Ata më shpjeguan se, gjatë asaj kohe, ai stërviste të vegjëlit e tij, për të zënë peshq në det. Është vëzhguar se, edhe arushat, -më shpjeguan ata, i detyrojnë të vegjëlit e tyre të ngjiten në pemë për të marrrë ushqimin, deri duke përdorur ndaj tyre dhunën. Për këtë nuk di çfarë të them, por një gjë e tillë, shkoi shumë shpejt në veshët e komandantit të burgut. Oh, sa pyetje të çuditshme më ka bërë ai! Jo po cilin polic kini korruptuar, me çfarë e kini korruptuar e deri në përgjim të veçantë. Vetë komandanti i burgut, duke ushtruar me ashpërsi rregulloren e burgut më dënoi 15 ditë në birucë. Ndoshta ju nuk e dini se çfarë është një dënim mbi dënim. Domethënë, një fund që ka edhe nëj fund tjetër. Ju kujtoj se biruca është një dhomë dy me dy, me një shtrat dërrase. I dënuar mund të mbajë vetëm tri batanie dhe nuk ka të drejtë të dalë për ajrim. “Dua, fakte, -pa ia ndreq mirë samarin unë atij!” -u hakërrehej komandanti i burgut policëve. Dhe urdhëroi të përgjohesha. Ment u çmendën nga e vërteta, kur panë të binte peshk nga qielli në orën njëmbëdhjetë! Policët e gjorë ia nisën britmave: Komandant, e kapëm fajtorin e peshkut, e kapëm! Por, më kot:, Liroshi ynë fluturonte si një zot sovran, si vetë liria atje lart në qiellin e kaltër. Policët edhe shkrehën armët ndaj tij, por nuk mundën ta qëllonin.
Ndoshta mua më ndihmoi edhe një legjendë që i trembi të gjithë policët dhe komandantin e burgut. Mos vallë ai lejlek ishte vetë i dërguari i Zotit?! Dhe, kudo nëpër qeli nisi të pëshpëritej, vërtetë pushtetarët dhe qeveria na kanë harruar dhe na duan të vdekur, por s’na ka harruar vetë Zoti! Zoti na do! Kjo e vërtetë-legjendë që u përhap anë e kënd burgut, luajti një rol të jashtëzakonshëm për fatin dhe jetën tonë, sepse po vdiq shpresa miqtë e mi, ka mbaruar gjithçka për njeriun!
Atëherë, brenda atyre mureve plot lagështirë, u betova si një Edmond Dantes, se do t’u isha mirënjohës përjetë shokëve të mi, ndërsa Liroshin, këtë engjëll perëndie, -ai ndërkaq nisi ta përkëdhelë në kokë atë, do ta gjeja me çdo kusht, edhe sikur të më duhej të kërkoja gjithë jetën që më kishte mbetur, në të gjitha brigjet e detrave të botës. Jam shumë i lumtur që e gjeta këtu, në lagunën tonë, pranë bregut të vjetër. Dyshoni, nëse është ai dhe jo ndonjë tjetër? Jo, vetëm unë, por, të gjithë të burgosurit e njohin Liroshin tonë, edhe kur fluturon atje lart në qiell dhe duket sa një flutur. Unë ia njoh atij të gjitha lëvizjet dhe mënyrën si i rreh krahët, kur ngjitet në lartësi, kur merr kthesën apo kur kërkon të ndalojë. Unë ia njoh atij trokitjet e sqepit midis dhjetëra të tjerëve dhe e di se kujt ia dërgon ato mesazhe… Tani, miqtë e mi, shqisat dhe logjika ime janë mprehur dhe unë njoh më mirë, sepse jam ndodhur kaq shpesh pranë kufijve të vdekjes….
Por, edhe ai më njeh mua, a nuk e vutë re, me të dëgjuar zërin tim, erdhi në krahët e mi? Ky lloj lejleku rron njëzet vjet. Femra e ka trupin më të vogël dhe sqepin më të shkurtër. Tani, siç e shihni, jetoj me dy engjëjt e mi të çuditshëm për ju: Fatmaxhihanin dhe Liroshin.
-Tani kanë kaluar disa vjet, -iu drejtua gjenerali i rënë në mendime, -mund t’iu pyes, -deri më sot kemi njohur terrorin e kuq dhe viktimat e tij, ç’mendim kini për terrorin e bardhë, pra, atë acarin e dimrit tuaj të famshëm që po jep shenjat se do të pllakosë së shpejti?
-Po, ndoshta edhe midis nesh ka ekstremistë, gjeneral. Por ne që vuajtëm aq shumë nga terrori i kuq, kemi një përgjegjësi më të lartë për mbrojtjen e demokracisë së përbashkët. Duhet të presim qysh në hapin e parë çdo dorë diktatori, pavarëshisht nga ngjyra e flamurit, përderisa, si terrori i kuq, ashtu edhe terrori i bardhë, presin koka njerëzish ta pafajshme vetëm pse bartin ide të kundërta me diktatorët e kohës.
-Më falni që po ju ndërpres, kërkoi të dinte piktori që kishte dëgjuar gjithçka i heshtur si një memec, -do t’iu lutesha të më tregoni të vërtetën. Në çfarë mase vuani nga ndjenja e hakmarrjes ndaj… si të them…e keqbërësve tuaj? Dhe, në pritje të përgjigjes, kryqëzoi krahët në gjoks… Kaloshi u duk sikur u zu ngushtë dhe kruajti kokën i vënë në siklet. Si u mendua një copë herë, nisi të flasë:
-Po përgjigjem me opinionin e mikut tim, priftit të nderuar, at Lazrit, i cili, përgjigjen e ka përqasur me përmasat e teorisë së relativitetit të Ajnshtajnit. Falja, sipas at Lazrit, është e urdhëruar nga vetë Zoti. Sepse vetë ai, a nuk fali birin e vetëm Jezusin, për të shpëtuar njerëzimin nga mëkatet? Ky kuptim, grafikisht do të paraqitej si një drejtëz vertikale, pra, që hiqet nga lart dhe është absolute për njerëzit. Ndërsa, mëshirën, at Lazri e vlerëson si një problem tokësor, pra, që u përket vetë njerëzve se në çfarë mase duhet ta kryejnë atë. Ky kuptim, grafikisht, do të paraqitej si një vijë horizontale, pra, që hiqet nga shoqëria njerëzore dhe varet nga ajo. Dhe meqenëse doni edhe nga unë një përgjigje, po ju them se, unë nuk mund të urrej asnjë njeri. Ndoshta, sepse i njëjti lëng dashurie brenda meje, ushqen si dashurinë, ashtu edhe urrejtjen. Dhe, nëqoftë se është kështu, atë pak lëng që më ka mbetur, e dua për Fatmaxhihanin dhe Liroshin tim!
Ndoshta ishte ai rasti kur fati, pasi kishte përplasur mbi kryet e Kaloshit fatkeqësi e mënxyra, pasi sheh qëndresën e tij, kthen dhe rrotën e vet dhe nis e shpërblen viktimën.
Ndërkaq Kaloshi kishte rënë në mendime. Dhimbjet e mëdha e dërrmojnë njeriun, por, kur ai është i ri dhe gjaku i vlon ndër damarë, i hedh me lehtësi pas të këqijat e jetës dhe buzagas, pret me shpresë ditë me të mira…
Në sytë e tre shokëve ai dukej shembulli i rebelit të kësaj jete si xhungël, ku i ishte dashur të vetëdigjej nga padrejtësitë shoqërore dhe pataj, porsi zogu i feniksit, i mbuluar nga flakët asgjësuese, pas thirrjeve të zërave jetësorë, po ngrihej përsëri prej hirit.
Fytyra e Kaloshit ishte bërë njësh me trupin e Liroshit. Ai fshiu me njërën dorë sytë e mbushur plot dhe si të zgjohej befas nga një gjumë i trazuar, tha:
-Duket, më ka lënë fare mendja; po a nuk e ndjeni miqtë e mi, erën e ngjalave të skuqura? Tani me siguri, Fatmaxhihani e ka shtruar tryezën në verandë dhe po na prêt. Çfarë presim tjetër?
Pastaj, me qetësinë e magjishme që ka gjthçka që jeton shumë pranë natyrës, retë qiellore, ujërat e qeta të liqeneve, pyjet e mëdhenj e të fjetur, kafshët e shpezët, ai përqafoi fort mikun e tij të vjetër, Liroshin, dhe e hodhi lehtë në ajër duke e shoqëruar nga pas me një britmë gëzimi të pafund:
-Fluturo, o miku im, lejlek, fluturo!
Nga horizonti përballë vinte zhaurima monotone dhe e mbytur e detit. Shpesa dhe njeriu, ngazëllonin nga një lumturi e patreguar si vetë dashuria për jetën.
* * *
Jeta është gjithmonë e padrejtë ndaj fatkëqinjve dhe të mundurve, ndoshta kjo është dhe arsyeja përse letërsia me lëndën e jetës së tyre prej gjaku e loti, ngre monumente të rrallë njerëzorë.
Në qytetin tim u fol edhe për një kohë për figurën enigmatike të Kalosh Vënçës e cila, pas atij takimi, u mbulua nga një mister edhe më i thellë. Por unë, as sot nuk mund ta besoj aftësinë e atij lejleku çudibërës. Mos ishte vallë ajo ngajrje vetëm një fantazi e sëmurë, pasojë e kushteve të rënda të burgut dhe ne vetëm sa kemi pare një ëndërr, ashtu siç është në thelb edhe vetë jeta njerëzore?!
Nuk e di.
Megjithta është e mrekullueshme të besosh dhe të jetosh në çfardo skëterre me një engjëll mbrojtës edhe kur ai nuk egziston.