| Letërsia Shqiptare | ||||
|
Rruget e ferrit - Fragment XXXV E shtune, 23-06-2007, 02:51pm (GMT) Unë e di se letërsia që po bëjmë këtu ka si vlerë të parë aktin e të krijuarit në burg, një mrekulli e rrezikshme, sfiduese që mbart mbi supe (ndërsa duart janë të lidhura) gjithë historinë martire të librit. Unë gjithashtu e di që kjo nuk është vlerë e mirëfilltë letrare, por gjithsesi ky akt i duhet letërsisë. Do ta ushqejë atë si një lumë i nëndheshëm, i turbullt dhe i përgjakur. Ne do të mund të sjellim atë që mungon e jo përmbytjen e asaj që është. Ne jemi të egër, sepse mbartim egërsinë e rrethanave të atyre që i krijuan ato. Dhe faji s’ka si të jetë i yni. Të paktën jo i tëri. Ne s’do të kemi turp nga veprat tona siç do të keni ju për shumë e shumë vepra, për të cilat merrni shpërblim e medalje. Ne - plagët si medalje. Veprat tona të gjymtuara kanë vetëm një çmim: dënimin e madh. Ato janë kafkat e realitetit, asgjë nuk thonë dot, por të paktën paralajmërimit “Rrezik vdekje” i ngjajnë. Nëse nuk mundin të tregojnë jetën, vdekjen e tregojnë, qoftë dhe me shenjëz, me fare pak, me një copëz tel me gjemba. Në hieroglifin e tyre mund të lexosh se nga vjen dhuna, ku shkon e ç’kërkon. Ne s’ditëm të jetojmë, nuk na latë ju, por ne dimë të mbijetojmë, qoftë edhe të vdekur. Vdekja është një çast, por mbasvdekja është e pavdekshme. Për një shkrimtar a nuk është më e rëndësishme pavdekësia e veprës? Leximi i saj ndryshe. Ne krijuam dhe lexuesin tonë të përvuajtur, i dënueshëm pse na lexon, pra mbrojtësi ynë dhe martiri. Afrohu, vëlla, të vdesim së bashku. Ku po shkojmë? |
||||
| Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1 Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved. |
||||