Si thua ti, jemi ne një popull që lexon? Ç’të të them, vijmë nga një popull analfabet që zhduku analfabetizmin vetëm për të lexuar veç një lloj libri. Gjendje të frikshme të dyja. Dhe gjendja e tretë, një popull në burg, që lexon. Ndërkohë leximi nuk është bërë ende kënaqësi, por pakëz detyrë dhe më shumë vetëmbrojtje. Kemi një gjuhë librash dhe një gjuhë tjetër që prodhon veç urrejtje, sterilizohet. Kurse elita jonë, jo vetëm që është e politizuar, por dhe e inkriminuar. S’ka unitet më të fortë se ai i kriminelëve komunistë. Me ata dhe gjuha bëhet gjuhë e minimizuar, gjuhë vrasësish, s’kanë nevojë për fjalë, por për fshehje fjalësh. Aranit Çela, psh, ka firmosur rreth 800 dënime me pushkatim. Ka mbushur 800 gojë me dheun e vdekjes. Jo më kot këta një prifti patriot, më kanë thënë se pasi e torturuan, ja nxorën gjuhën, ja zgjatën mbi tryezën e hetuesisë dhe ngulën thikën mbi të. S’doje të flisje për ne? Tani kurrë s’ke për të folur! Pse ky inat i shfrenuar, kriminal mbi gjuhën e njeriut? E, si e spjegon ti? Mirë neni 55 që ndalon të folurit ndryshe, se jemi në diktaturë, por masakrimi i organit të të folurit?! Pse? Dënohet folësi dhe goja e tij, fjala dhe ara e fjalës, libri, të cilin nuk e lënë as si varrezë të fjalës, por e riciklojnë në letër dhe ashtu le të mbetet për këta, shkretëtirë. I gjymtojnë veprat, i shëmbin, i shkurtojnë, u hedhin ngjyrë tjetër apo prangat, i ndalojnë, i rrahin, i çojnë në gjyq, i bombardojnë, i fusin në fondin e zi si në varr, i djegin, i zhbëjnë. Nëse autorët i shpëtojnë pushkatimit ose burgut, dënohen sërish veprat. Si asgjëkundi. Me mosbërjen. Ne nuk kemi të shkruar strategjinë tonë kombëtare. Ndoshta jemi i vetmi popull sot në Europë pa strategji kombëtare. Kurse rilindasit tanë ishin të qartë dhe me vizion dhe bënim programe kombëtare. Nga vinim dhe ku donim të shkonim? Tani s’dijmë ç’duam e ç’bëjmë? Ndërtojmë Shqipërinë e re me shqiptarë robër, të burgosur. A ka Shqipëri të lirë, të begatshme pa shqiptarë të lirë, të begatshëm? Ku ka të ardhme, kur vritet e tashmja? Këta po abortojnë të ardhmen. Ç’kërkojmë nga vetja dhe nga të tjerët, nga kampi socialist dhe bota, ç’duam t’u japim atyre? Por të veçuar. Dhunshëm. Dhe me një braktisje të përdhunshme prej të gjithëve. Të veçantë dhe të çuditshëm! Kisha dëgjuar nga im atë, kur isha fëmijë, që atij i kishte rrëfyer Abaz Ermenji, kur kishte shoqëruar dikur nja dy francezë nëpër Shqipëri, njëri prej tyre kishte thënë: vend i varfër dhe i paditur. I përshtatshëm për komunizëm. Këtu mund të bëhen revolucione leninisto-staliniste. Po, po, ashtu është, thoshte një tjetër mik i tim eti, Haki Ballshi. Të jesh nacionalist do të thotë të duash nënën tënde. Hamdi Gani ofshante kundër gjyqeve politike, kurse Panajot Papingji, i bardhë si Priami, më bënte krahasime të përkthimit me origjinalin e “Odiseut”, pjesë të të cilit i dinte përmendësh. Dhe i kishte thënë tim eti, nisemi ta takojmë djalin në Spaç. Prandaj kam ardhur. Normalisti tjetër, Naim Babameto, e kisha dëgjuar të tregonte se kishte lexuar në frëngjisht një përshkrim udhëtimi nga Shatobrian nëpër fshatrat shqiptare në Greqi. Qe mrekulluar nga bukuria e grave shqiptare dhe sjellja e tyre fisnike. Ah, psherëtija unë, në shkollë bënim veç rusisht e nuk gjeja asnjë mundësi për frëngjishten, kurse në burg, puna në minierë, llahtarisht e rëndë dhe rraskapitëse, policia – vrasëse e detyronin kohën të ikte si ujë i zi skëterror e unë sipër tij – kufomë e gjallë!
Pse e donin atdheun më shumë dikur? Apo nga që po e bënin vetë. Atdheu është njeriu. Sa pak fare çmohet!...