Rruget e ferrit - Fragment XXX
E shtune, 23-06-2007, 02:54pm (GMT)
TE (PA)BURGOSUR TE TJERE LARG (kthim mbapa ose gjeratore ne Purgator)
-Cfarë e ke ti Avni Zhitin? Kam dashur të të pyes dhe më parë - u ktheva nga i burgosuri pranë meje. Kishte një fytyrë të mirë prej familjari me deformime të tilla që e bënin t’i ngjante një martiri çfarëdo. -Eshtë kushëriri i tim eti, s’e di i sati. -Nuk e ke xhaxha? – i erdhi keq bashkëfolësit. -Jo, por im atë e kujtonte, e ndjenim të afërt. -Duhet të jesh krenar për të. Dhe mos e moho nëse e ke xhaxha. -Jo, jo, pse? Unë e kam një xhaxha të vrarë nga regjimi. Ishte mësues. Prej tij kemi në shtëpi “Lahutën e Malsisë” të Fishtës me autograf. Xhaxhai tjetër ka luftuar me armë me partizanët për lirinë e vendit. Nuk është komunist. -Unë e kam njohur Avni Zhitin – më ndërpreu i burgosuri që kishte vendosur të më rrëfehej dhe mua po më vinte zor ta pyesja për emrin, kush je? – Ai ishte karakter, i fuqishëm, i panënshtrueshëm. Mua m’i la një pjesë të librave, kur u lirua njëherë. Se e dënuan prapë e shumë herë të tjera. Kishte mbaruar akademi ushtarake në Itali e Austri. Antikomunist i pandreqshëm. I shpallur. E di që kishte marrë pjesë në rrethimin e Stalingradit? -Po. E kisha dëgjuar kur erdhi në shtëpinë time. Do të ketë qenë lirimi i parë. Unë isha nxënës e ai tregonte për një bombë që ra te këmbët e tij në front e për fat, nuk plasi. -Ku? -Në Stalingrad. Megjithëse tha se më mirë do të kishte qenë të kishte plasur ajo bombë e të mos binte në burgjet e komunistëve. -Ka patur të drejtë. -Dhe më kujtohet kur tregonte për një arratisje, donin të kalonin një lumë të tallazitur, dimër e noti s’të bënte punë. Të gjithë u kapën pas bishtave të qeve a buajve për të dalë në bregun tjetër. -Ka vuajtur shumë. Ishte trim i çartur. Thuaj e kam xhaxha kur të të pyesin.
|