Po diktatura shqiptare ja u kaloi të gjithëve. Sepse brenda dënimit të madh zbatoheshin prapë dënime të tjera dhe prapë dënime brenda dënimeve, të befta mizore, shfarosëse. Dënon librin, autorin, fisin e tij në disa breza, lexuesin, shitësin, librarinë, rrugën, të vdekurin, varret, skeletet, të palindurit.
Enver Hoxha ishte i pakënaqur nga imituesit e tij të lashtë, nga diktatorë e perandorë, edhe pse domenet e tyre zinin gjysmën e botës, prapëseprapë ishin vogëlanë të metë. Të gjithë ata të paktën sillnin libra në vendin e tyre si pre lufte. Enver Hoxha i nxirrte jashtë dhe e boshatiste Atdheun me vullnetin e vet.
Shteti komunist i urrente bibliotekat, sidomos ato të vjetrat. Jam i bindur, kam prova. Edhe pse shtiret për të kundërtën. Që gjatë luftës partizanët merrnin urdhëra të digjnin libra e njëkohësisht kishin burgje. Kupton ti apo jo? Burgje dhe në zonat e paçliruara. Burgje shëtitës. Një karrocë të mbyllur që e ruante një fshatar me pushkë apo njerëz zë pranguar që i merrnin zvarrë me vete dhe në shtëpitë ku bujtnin, ndërsa në një odë ja shtronin me të ngrëna, tjetrën e shtronin në qeli burgu. Aty flaknin robin të lidhur kokë e këmbë. Po ç’ka bërë i ziu? T’i çojmë për të ngrënë, për të pirë? Të ngordhë si qen. Eshtë nacionalist. Dhe ka florinj të fshehur, e dimë. Po vetëm libra i gjetëm gjatë bastisjes. E po zgjidheni atëherë, lutej i zoti i shtëpisë.
Në Tiranë ishte libraria e bukur “Lumo Skëndo” e Mit’hat Frashërit, birit të Abdylit, nipi i Naimit dhe Samiut. E tëra evropiane, me frona ku mund të uleshe e të lexoje ose të kundroje raftet plot. Gjeje çdo gjë të rëndësishme të shkruar mbi Shqipërinë në botë, me të gjitha alfabetet. Atdheu lind nga pak te çdo libër e kudo tjetër vdes nga pak, thuhej në atë mjedis. Sa, sa libra ka zoti Mit’hat, 40.000? E pabesueshme. I ka lexuar të gjitha? Jo, jo, rëndësi ka t’i lexojmë ne. Tek ti, dhe po nuk e bleve dot librin, e merr, e lexon dhe e kthen prapë. Ç’fisnik! Naimjan vërtet! Eshtë luftëtar dhe e urren pushkën. Mos ju përgjigjni me armë komunistëve, porosiste. Jo, luftë vëllavrasëse. Mit’hat bej, kur ne na kapin ata, na pushkatojnë si ballistë, e kur i zemë ne, ju dërgoni shkresa për t’i lënë të lirë. Ta dish, po të zunë, zotrote, do të ta thyejnë penën dhe dorën që shkruan. Edhe gjuhën ta shkulin ata. Qaje librarinë.
-Hekuran, ç’të bëjmë? – e pyeste tim atë Mit’hat Frashëri.
-Do bëjmë tonën. Fajtorët kryesorë janë larg. Ky këtu është populli.
-Me ç’shoh, do ta humbim betejën, por jo luftën. Ajo do të jetë e gjatë dhe e rëndë.
-Filloje që këtu, Mit’hat bej, në librari, ke komunistë që punojnë. Ja, ai çuni...
-S’ka gjë. Aq më mirë. Janë vëllezërit tanë. Le të mendojë si të dojë, mjafton të dojë mëmëdheun, të punojë për të. Shikoji librat, të ndryshëm janë kundërshtarë në ato që thonë ndonjëherë, me ide të ndryshme, por bashkë rrinë, të urtë. Me librin nisin të gjitha.