Burrë i ditur në Burrel, thonë, është Pjetër Arbnori. Prift është ky? Jo, ka qenë mësues. Shkruan romane. Po ta pëlqeu shkrimin Pjetri, ta dish, je autor me vlerë. Kush do të bëjë poezinë më të bukur për dritën e hënës, do t’i jap 1 kg duhan që më ka ardhur nga shtëpia, u thotë Pjetri shokëve të dhomës së vet. Vërtet ç’ujvarë drite, një tuberkuloz floriri poetësh, derdhej në frëngji. Kurse hëna s’dukej, jo se e kishin zënë retë, por muret qikllopike. Drita e hënës sikur gurgullonte nga nata e universit të vogël përtej. E meritonte këtë konkurs. U zgjodh juria. Dhe si poezi më të bukurën votoi atë të kolonjarit Luan Burimi. Ngjan pak me Alfred De Myse-në. Jo, jo është origjinale. Ka frymëzimin popullor të krahinës së vet. Eshtë stili i tij kështu. Urime, Luan! E mrekullueshme ideja jote, Pjetër, për këtë konkurs në burg! Asnjë gazetë nuk do të shkruajë për të, s’do të flasin radiot, televizioni. Poetët jashtë, ata të realizmit socialist, marrin çmime të mëdha, me poema për diktatorin, për komunizmin, Partinë, u japin dekorata atyre, para, studio, udhëtime jashtë shtetit. E ata asgjë nuk thonë, jo protestë, jo, por një mërmërimë. Të paktën këtë konkurs poetik në burg, dhe s’është i pari, për një hënë që s’kursen ta derdhë dritën dhe për ne, të dënuarit, kujtoheni.