-Njoha Kasëm Trebeshinën në kaushë, kur dola nga spitali. E ke dëgjuar këtë shkrimtar?
-Po, po. E kam dëgjuar nga Bashkim Shehu, djali i Kryeministrit, kishte lidhje farefisnore, kështu thoshte, kushëri nga e ëma. Ka qenë partizan, pastaj në Bashkimin Sovjetik për studime, më duket se kushte luftuar dhe në Spanjë. Dhe ai kishte guxuar të kërkonte leje ta linin të ikte nga Shqipëria për mungesë lirie. Eshtë i çuditshëm. Dhe e futën në burg. Shkruante tregime që patën bërë përshytpje.
-Edhe shkruan – u entuziazmua profesori. –Kasem Trebeshina është shumë interesant. Të tijat janë përkthimet e dramave të Lorkës, botuar pa emër përkthyesi. I ka bërë dhe një letër-akuzë Enver Hoxhës, kështu më tha. A nuk i nderon kjo gjithë njerëzit e vërtetë të letrave? Bravo! Duhet të jemi krenarë me trimërinë e tij! Po sa bukur tregonte! Kishte dalë kundër realizmit socialist qysh në Moskë, student. Dhe e përjashtuan, më tregoi vetë. Kishte shkruar një dramë për Qezarin. Qe ngritur nga varri për të bërë Luftën e Tretë Botërore si strateg i madh. Dhe ndërsa ecte nëpër shekullin tonë, pyeste shoqëruesit se ç’është kjo gjë, po ajo, për ç’shihte e ç’dëgjonte. Kaq e shëmtuar ju duk kjo botë, pa nder dhe burrëri, gjithçka e bjerrur fare, sa u tërhoq duke thënë: bëjeni vetë luftën tuaj, unë po iki. Dhe Qezari shkoi prapë në varr.
-E fortë - thashë. – A do ta sillnin Kasëm Trebeshinën në Spaç?
-S’besoj – tha profesori. – S’është për punë në galeri. Kishte dhe një shok tjetër, Mehmet Myftiu, i burgosur si ai, shkrimtar desident si ai.