Kish nga ata, sidomos shkodranët, që i shkruanin familjes e i tregonin si qe vrarë i shtrenjti i tyre, ku, ç’kishte thënë, i kujt ishte faji, patjetër i minierës së shkatërruar, por më shumë i shtetit. I ushtarit që qëlloi, por më shumë i Partisë. Këtë të burgosur thirreshin lart për të dhënë llogari për letrën. Pse e bëtë? Për familjen e të vrarit. Po akuzat? Për të vërtetën. Po ne këtë letër nuk e nisim kurrë dhe e fusim në dosje t’u rëndojë tërë jetën, juve dhe atyre që do të vijnë pas jush! Dhe ne prandaj e bëmë, të jetë dëshmi për ju dhe për ne. Ju dosjet i siguroni mirë dhe i çmoni më shumë se njerëzit. Përjashta, armiq. Vëruni hekurat. Në birucë çojini shpejt! 1 vit ju është ndalur korrespondenca dhe takimi. Kemi 10 vjet që nuk i takojmë, nuk u japin leje nga internimi. Përse je dënuar ti? Për shpërndarje traktesh në qytet. Dhe je ridënuar në burg? Po, me 10 vjet të tjera. Përktheva Dostojevskin. Je Nazim Ibrahimi ti? Kam qenë.