TESPIHE DHE ZINXHIRET E TERRIT
Xhafë Jatës, një lumian i bëshëm si shkëmb, po t’i jepje një cigare nuk ta merrte. Por kur flakje fundin e cigares për tokë, ai e rrëmbente dhe e thëthinte me afsh, 4-5 herë, deri sa i digjnin gishtat. Dhe gjithmonë priste pranë atyre që kishin fatin të hanin fruta me bërthama të mëdha si pjeshkë dhe kumbulla. Për rrushin dhe mollët nuk shfaqte pikën e interesit. Natyrisht, po t’i ofroje një dorë kumbulla, apo një pjeshkë, të shikonte me përçmim dhe ndjehej i trishtuar thellë. Sepse ai po priste aty veç bërthamat, asgjë tjetër, e, me t’i hedhur ato, t’i mblidhte e t’i fuste në qesen e tij të pistë prej plastmasi. S’kish pse të keqkuptohej. Kur bëheshin aq bërthama sa donte ai, i përvishej punës. I fërkonte një për një te shkallët, i lëmonte e i lëmonte, kokulur, pa e ndërprerë punën, pa çarë kokë se ç’bëhej rrotull tij, siku edhe topat të binin apo dhe nëse shfaqej aty, pranë qeses me bërthama, e zezë dhe e pakuptueshme, maja brutale e çizmes ushtarake.
Kur çizmja qorre lëvizi dhe kërkoi të shkelte dorën e bëshme si putër, që vazhdonte mospërfillëse të lëmonte ato bërthamëza të çuditëshme, Xhafa ngriti sytë lart, të mbuluara me vetullat e trasha si kashtë e i uli prapë për të vijuar punën.
-I dënuar, ç’po bën?
-Kurgja, zotni zot – u përgjigj i ngjirur. Xhafa kështu e kishte zërin gjithmonë, të pagdhëndur si kërcu vatre.
-Ç’janë ato? – pyeti shteti.
-Kocëj?
-Çfarë?
-Qe, shifi! – dhe i tragoi grumbullin e padëmshëm të bërthamave.
-Pse i fërkon?
-Me kalue kohën – tha njeriu.
-Sa vjet je dënuar ti? – pyeti oficeri.
-7.
-Sa ke bërë?
-12.
-Dhe sa ke?
-25. Sa t’jesi Partia.
Ushtaraku u ndje i pafjalë dhe i tepërt para këtij pagani shpellash, i cili dënimet dhe ridënimet i kalonte duke fërkuar bërthama mbi shkallët e burgut, ndërsa i tundej e gjithë shpatulla e gjerë sa një gur mulliri. Mbasi i jepte bërthamës formën që donte, me marifetet dhe durimin e tij të trashë, e shponte tej e tej, për së gjati a së gjeri. Me ndonjë gozhdë të fshehur, ai e dinte se ku. Bërthamat i fuste në një fill dhe i bënte tespihe. Të cilat i shiste për një paketë cigaresh “Partizani” (Ah, parti!...zanët...). Me paketat pastaj, me valutën e burgut, mund të siguronte sheqer a ca djathë.
Xhafën e Lumës e trajtonin si të marrë. Ai nuk i fliste njeriu. Veç me vete dhe me zë të lartë. Shpesh përsëriste ndonjë frazë lajmi, të orës 20, të dëgjuar në televizor. E mërmëriste, ja mëshonte me zë të lartë, me buçima, gjithë ditën, kudo, qeshte. Gju me gju me popullin. Paarëja, ha-ha-ha-a-a-a! Apo kaq kile mish për frymë në fshat. Na i morën frymën dhe mishin! Dhe gjurin.
Kur i thashë se unë “jam kan msus” në Lumë, bash në fshatin e tij, u përsuall si një ari, gjithë mosbesim. Po kur i fola për Livadhet e M’dhaja, për Lakun e Erës, për lagjet Mzhush e Barruq, për varrezat e braktisura apo për pleq të dëgjuar në të gjithë krahinën apo për kulakun e Vilës, të shpallur nga që duhej dhe u gjet një kokëkrisur, i cili u fut me gjithë kalë në një klub, në qytetin e Kukësit, e kur i thashë se unë kam punuar e vëllanë e tij, ja u njoh cullt, u mallëngjye, shqeu sytë dhe gojën, i shkëlqyen gjithë dhëmbët e bardhë, më besoi dhe shau komunizmin që ja ka marrë pulat fshatit shqiptar.
-S’ankohet burri për pula, or ti shoq! – thashë dhe i vura dorën mbi sup.
-E di, e di, edhe gjratë i kanë ba koprativ, por der ktu ka mbrri puna, or msus! Der te mshjellja e pulave. Lihet katundi pa to? S’asht ma katund, masandej. – Heshti. –M’thuj, t’vërtetën, Shaba em, a të dul dëshmimtar?
-Jo-gënjeva.
-Tu rritët ndera! – u gajas. – Jam vetëm – ofshau. – Dhe bahesh budallë, or ti shoq!
-Dëgjo, Xhafë, - i thashë seriozisht – tre veta bisedojnë. Dy – kuvendojnë. Një i vetëm – filozofon.
Dhe ai më tha po aq serioz, po më me dëshpërim:
-Nji shpirt nuk asht nji shpirt. Dy shpirtna janë nji gjysm shpirti. Tre shpirtna janë një shpirt.
Më mahniti përgjigja e marrokut nga Luma. Si ta kuptoja, si brengë për familjen, mall mbi përmbajtjen e jetës?
-N’dashç me t’i la rrobat, mos kij marre, m’i jep mue. S’due paketë prej teje. Veç sapunin, se s’muj...
-Jo,jo. Më thuaj, me se mund të të ndihmoj?
-Ti ke ba libër?
-S’më lanë.
-Gjynah! Dikush duhet me i dëshmu k’to, me i shkrue! Dhe ngriti putrën mbi burgun.
Edhe kur unë s’isha më aty, ai vazhdonte të rrinte ashtu i shtangur, shkëmb i gërryer, i shkulur.