(...ditët e para të çlirimit. Partizanët në rrjesht. Komandanti entuziast thërret trimat:
-Ej, ti! Tre hapa para, dil! Je caktuar drejtor i postave. Ke qenë i guximshëm në aksionet kundra shtyllave telefonike për të ndëprerë ndërlidhjen e armikut.
U-u-u-r-r-r-r-a-a-a-a-a! – bërtiste ushtria.
-Tjetri! Eja këtu! Ministër i minierave. Në fshatin tënd ka shumë shpella.
-U-u-u-u-r-r-r-r-a-a-a-a! – jehonin shtigjet.
-...gjeneral ti. Ha-ha, e ke kapur rob një gjeneral!
-Të dalë nga rrjeshti infermieri i brigadës! Je caktuar drejtor i përgjithshëm i spitaleve!
-U-u-u-u-r-r-r-r-a-a-a-a! – të plagosurit ngritën lart krahët e fashuar, patericat.
U thirr të dilte para partizanëve korieri i brigadës, i cili bënte bejte në mal.
-Je caktuar të bëhesh shkrimtar!
-Shoku komandant, ça pune është kjo? s’di...
-Do shkruash për Partinë, për heroizmat e partizanëve, për Komandantin e përgjithshëm, për komunizmin. Do ju specializojmë në Moskë.
-Ndonjë vjershë dashurie a ta kërrej, se nuk përmbyset bota?
-Vetëm me urdhër!
-Me shkrimtarë të tillë është plot realizmi socialist – shqyhet gazit shkrimtari i burgut dhe ne që e dëgjojmë.
-Kurse njerëz të talnetuar, të lauruar në Perëndim, të burgosur në salla kafkiane, u përkthejnë veprat atyre, së pari ato të shkout Enver, në frëngjisht, anglisht, italisht, rusisht, arabisht, kinezçe, etj. Ambasadat tona, kudo në botë, bëjnë shpërndarjen e tyre, me zor sikur të shpërndanin trakte apo të vinin mina nëpër stacione trenash apo aeroporteve...)