Ndërsa në kuzhinën private suedezi po tregonte me qetësi nordike, por me zërin pakëz të ngjirur, se kur po shiteshin në Stokholm për herë të parë citatet e Mao Ce Dunit, njerëzit, kuriozë, me t’i marrë, i hapnin në rrugë, lexonin diçka e, çudi, shumica e hishte librin në koshin më të parë të mbeturinave në rrugë. Kurse në Shqipëri më shumë e blenë fshatarët. Mbështjellësja e kuqe plastike e tyre bënte për portofol. Edhe sot i kanë, me reliefin e profilit të Maos, si vulë e thatë.
Dy të burgosur, po e dëgjonin suedezin e nuk qeshnin dot nga një inat i papërballueshëm. Njëri nga ata qe dënuar, sepse e kishte sharë Mao Ce Dunin. Tjetri qe dënuar po aq, sepse e kishte lavdëruar. Njëri nga të dy duhet të lirohet dhe Partia duhet të kërkojë falje, skërmiteshin të nxehur. Sharësi i Maos, qe dënuar kur miqësia shqiptaro-kineze ishte në kulm, plot me tollombace verdhane dhe të kuqerremta, që arrinin ylberët, të cilët bashkonin me një të kaptuar lumenjtë tanë, Drinin dhe Jan Ce-në. Dhe ky ylber i lëbyrshëm, shkruanin poetët nëpër libra, janë duart e bashkuara të Enverit me të Maos. Kurse tjetri qe dënuar, sepse e kishte lavdëruar Maon, kur Kina tradhtoi e hapi dyert Presidentit amerikan, Niksonit, imperializmit, ndërsa Enveri ynë shkruante librin, trashmërisht të pabesë “Shënime për Kinës”. Si zakonisht me sharje dhe kritika për Kinën, kur populli ndërsehej të brohoriste për të. Po Enveri pse të mos dënohet për njërin nga dy rastet? A të dy? Si shumë është vonuar pa u sjellë në burg një agjent kinez, sepse agjentë jugosllavë kemi, rusë, rumunë, bullgarë, agjentë amerikanë, anglezë, gjermanë, francezë, italianë, grekë, biles dhe të shteteve që nuk ekzistojnë. Armiq, sa shumë armiq, një botë e tërë. Nëse ata na kishin në grykë të pushkës, ne i kemi ata në grykë të topit, ka thënë shoku Enver. Cilët ata? Armiqtë dhe dentistët. Dentistë? Pse? Na e tha komisari në mbledhjen e fundit. Burgu do të plotesohet me një dentist. Kur ne u ankuam për dhëmbët, na dhëmbin, na janë prishur, na janë thyer në hetuesi, në punë, na i ka nxirë karbiti, po ju kemi thënë: mos i ndizni cigaret në flakën e kandilëve, por na lagen shkrepset në galeri e s’ndezin, etj. Etj., komisari na dha lajmin, se pas shumë kërkesash në Ministrinë e Punëve të Brendshme që në kamp, krahas kaq e kaq marteleve, vagonave, kazmave, barominave, koka barominash, uniforma me vija për të burgosurit, vepra më të fundit të shokut Enver, karroca dore, çizmë, etj.etj. duhet dhe një dentist, kemi mbetur pa të, kur dihet se s’është vështirë të gjendet, në çdo qytet të paktën një dentist, i cili mund të dënohet për agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit (shumë të burgosur nuk e dinin ç’ndryshim kishte shteti nga Partia), sepse dentisti hap gojët e të tjerëve, por me siguri do ta ketë hapur dhe gojën e vet njëherë për të folur kundra, pra Ministria na e aprovoi kërkesën, ju betohem “për ideal”, i siguroi të burgosurit komisari. Së shpejti do të kemi dentist, është në proçes, ai do të vijë. Operativët kudo do kenë dorzuar denoncimet e provokatorve për dentistët. Ata do kenë shkuar nëpër klinika, janë shtirur se u dhëmb një dhëmballë dhe, ndërkohë do kenë pyetur se ç’mendon ai, mjeku, për grupin e fundit të armiqve sabotatorë në shëndetësi a në arsim-kulturë. Mund të jetë pyetur kolegu në takimin e fshehtë me operativin për kolegun me bluzë të bardhë. Dosjet janë çuar në Ministri, atje bëhet zgjedhja, catohet zona, personi, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme merr urdhërin sekret, ai shkon dhe njfton Sekretarin e Parë të Partisë, i merr firmën atij. Në mbledhjen e rradhës caktohet si do të bëhet arrestimi, natën në shtëpi, me ato të trokiturat e frikshme në derë, apo në mes të ditës, në klinikë, kur atij, me bluzë të bardhë, as që i shkon ndër mend se jashtë te shkallët frenoi “Gazi i Degës”, me aq shpejtësi si i shkalluar eerdhi për të dhe ata dy civilë në çantë kanë pranga për duart e tia e të gjitha kthesat e rrugëve kanë spiunë, që operacioni të mabrojë me sukses të plotë.
Me autoburgun më të fundit (ata vijnë shumë shpesh 2-3 herë në muaj si një urban i rregullt fshati), do të shkarkohet dhe një dentist i hutuar. Po shkrimtar a solli? Mirë do ishte ndonjë i shquar se rrëfejnë bukur. Të tjerët e ardhur nga ajo farë lirie s’janë më intersantë. S’ka ç’të reja të na sjellin, veç delire dhe frikën e tyre. Më thashetheme kanë të burgosurit që i kalojnë nga njëri kamp në tjetrin. Po ike nga Ballshi, i shpëton urisë së tmerrshme, nga Spaçi, punës e vdekjeve, sidomos në galeri. Ata të shfarosjes në Burrel çoku sjellin ndonjë libër që s’gjendet, fjalor, ah, sikur ndonjë enciklopedi të vogël! Sepse vetëm andej, gjithmonë andej gjenden mundësira për t’i shpëtuar. Librat janë më të mirëpritur nga njerëzit e tyre, më me padurim, desha të thosha. Ah!