V. e kishte mbushur kapotën me xhepa pafund jashtë dhe brënda saj. Çudi si i mbante, aq e vjetër, ashtu të qepur keq me spango, si thasë, pa pikën e kujdesjes për ngjyrat e copave që të ishin të përafërta me atë të kapotës. Ngjante si një arlekin i burgosur, i rënduar ashtu me libra në çdo xhep. S’i ndante as në gjumë, me frikën se ja merrnin, shumica fjalorë, të kopjuar nga ai vetë, të cilët, sipas porosive, edhe i shiste, me atë valutën e këtushme, me “Partizani”-n, ja, ja ku u katandis lufta çlirimtare, metamorfoza e heoizmit, cigare, cigare në burg.
Në njërin xhep gjendej “Mozheja 1”, “2-shi” më sipër, “Heronjtë e mendimit” në tjetrin, skedat e një guide gjermanisht anash, “Metoda e gjuhës italiane pa mësues” brenda, si më e shtrenjtë, një roman pa titull, më poshtë “Dhëmbi i bardhë” i Xhek Londonit (Libri më i mirë në botë! Ashtu? Po a ke lexuar tjetër? Jo, se s’dua të më pëlqejë libër tjetër më shumë se ai), “Isenshëlli”, të treja pjesët në një xhep të madh, (E 4-ta s’gjendej në asnjë librari në Shqipëri, sepse lavdërohen qytetet në Perëndim, veç te blloku i udhëheqësve mund ta gjesh, për fëmijët e tyre. Enver Hoxha di anglisht? Jo. Mehmet Shehu po. E po kryeministri duhet të dijë më shumë.), kurse “Plaku dhe deti” i Heminguejt, në origjinal, qe kopjuar bukur, shumë i dashur në burg, ndoshta se lexohej lehtë, s’ishte voluminoz. Jo, jo, për mesazhin e madh që mbart, të përjetshëm, deti është burgu, a themi ne se burgu është si deti, i nxjerr ç’ka brenda, plaku jemi ne, aq të vjetër sa humbjet brenda së cilës fitojmë krenarë, e i binte xhepit të vet me mburrje, pikërisht atje ku e kishte vënë. Eshtë gjigand Hemingueji, thoshte me tonin sikur t’i përkiste vetëm atij. E ka shkruar, më duket, pas vdekjes këtë libër, për të cilin ju dha çmimi “Nobel”. Pas vdekjes?! Ç’thua, i dashur? Mos do të thoshe se i është botuar pas vdekjes?. Pyeta unë. Mos i ngatërro gjërat. Jo, jo, e ka shkruar pas vdekjes. Ai është amerikan. Si i tillë bën dhe të pabesueshmen për ty dhe për mua. Seriozisht e kishte?