Ndala prapë te emrat si në dy të cara toke nga ku shihej humnera e ferrit. Dy njerëz të letrave, e pabesueshme! Dhe aspak të rëndësishëm. Po ku e gjejnë tërë atë fuqi të rrokullisin një fat, të vrasin një jetë? Po të ktheja fletën pas, mund të gjeja të shënuar sa e kishin caktuar dënimin tim, sa burg duhej të bëja dhe ku a fare pushkatim. Si ishte e mundur të shkruanin kështu, pa mëshirë, dhe para se të më arrestonin, me kaq ashk dhe me ç’të drejtë, e them prapë, e vendosnin ata që unë isha patjetër armik? Po gjyqi ç’do të bënte? Ç’është kjo aktë-ekspertizë kështu, kjo qenka shkaku, denoncimi im, përndjekja, arrestimi? Po më merrej fryma dhe mu errën sytë. Ndjeva firmat e tyre si merimanga helmatitëse në qepalla dhe menjëherë m’u mufatën e po më digjnin. Do më ishin skuqur. Firmën e të parit e njihja, e kisha parë në përgjigjet që më vinin prej tij gjithmonë e më të këqia. Sa të qajë nëna ime, më kishte thënë për herë të fundit, kur i vajta për të biseduar në Shtëpinë Botuese, le të qajë nëna jote. Shtanga. Po përse, a nuk mjaftojnë lotët e poetëve? Kurse të të dytit nuk po e njihja dhe po më grryente keqas. Pse e shtoi emrin e vet këtu? Kur unë i thosha hetuesit se nuk shihja ndonjë gjë tragjike nëpër këto fletë, ngulja këmbë se kështu mendonte një dikush, e për letërsinë kjo s’do të thotë gjë fare, ai, mbas ca kohësh, ma solli ekspertizën me ca shtesa dhe me një emër tjetër të shtuar. Mos do të thuash tani se kështu mendojnë dy vetë, më tha, por janë specialistë të afirmuar, të njohur. Ç’mëkat! Si ishte e mundur, pse nuk e shmangën? Të kenë qënë në një rrezik dhe me anë të rrezikut tim, shpëtonin të tyren? Në qoftë se s’do të pranonin të bënin këtë akt-ekspertizë, ç’do të ndodhte me ta e a do të shkruhej po kështu me dy të tjerë, të tjerë e të tjerë? Mos ishin emra që duheshin djegur si dy ura zjarri? Me poezitë e mia paskësham qënë i aftë të godisja ku duhej, por i pazoti për ta fshehur goditjen. S’mund të vazhdoja të mendoja dot më. Po sikur ata të mendonin ashtu vërtet dhe atë akuzë ta kenë shkruar me dëshirë? Kështu duket. Nëse do të takoheshim ndonjëherë, kush nuk do ta kishte kuraojn ta shohë tjetrin në sy? Ç’do t’i themi njëri-tjetrit? Mos do të jem prapë unë i fajshmi, sepse me mua do t’u kujtohet faji?
Hetuesi s’ma la gjatë dosjen. E mbante ai në duar si një arkivol të vogël ku kishte brenda hi nga bëmat e mia. Ti e di, është ajo që kemi punuar bashkë. Ti dhe unë. Po dridhesha i tëri. Dosja qe lidhur mirë. Ishte e plotë dhe më e rëndë se hetuesia. Kapa një tjetër emër. Isa Halili, hetues në Ministrinë e ..., Tiranë, i cili vendosi fillimin e çështjes penale ndaj...c’ishte ky kukudh u kuq, ç’kish patur me mua? Dhe stafetën e së keqes si një granatë e kishte marrë në Kukës Nexhat Selimi, shef i hetuesisë...
Tragjedia përsëri kishte ardhur nga shkrimet, kishte dalë nga librat. Ne...anëtarë të Lidhjes së (Sh)krimtarëve ...që lidh shkrimtarët...ç’emra të tjerë mund të nguleshin aty si gozhë? Emri i par, i dyt e të tjerë të mbuluar me gjak. Çekani rrihte apo zemra ime?
Më mbështolli një tym i zi e po përpëlitesha mes tij. S’kish turrë drush poshtë meje, por po digjeshin eshtrat e mia.
Rruget e ferrit - Fragment VI
S-PAÇ (MOS PAÇ!)
DHE LIBRA TE BURGOSUR
Prangat u bënë male. Tani isha rrethuar me male nga të gjitha anët, aq të zhveshur dhe të pjerrët sa vetë rreziku, ngjyrë hiri të errët, metal me gërryerje humnerore, ku një diell i pazakontë, dielli i dytë, ngrihet si një shpend i egër me flatra zjarri të ftohtë, kapton qiellin, për pak orë, i cili pastaj mbetet bosh e i pashpresë, i pakët, dhe retë e veta nuk i nxe dot.
Kurrë nuk i kisha ndjerë malet kaq kundër njeriut, edhe pse nëpër librat tanë shkollorë vërehen si aleatë të historisë së kombit ashtu si dimri rus për rusët. Male përpara, pas, anash, në anën tjetër, lart. Dhe pas maleve, male të tjerë, dallgë të gurta pafund.
Edhe pse burgu dergjej në fund të maleve, prapë kishte fund tjetër, të anuar keqas, shkumbëzi: përroi që mblidhte rrëkerat e grykave të galerive të minierës së Spaçit si jargë të zeza nga gojët e kuçedrës shumëkokëshe. Kurrë s’mund të gjenden ujra kaq kobëndjellës e të xhindosur, që gjarpëronin shkëmbinjve vazhdimisht duke tradhtuar. Pak më sipër, si përqeshjet e tyre, dredhonte rruga, e tëra armiqësore, nga ku veç iknin kamionët me mineral e vazhdimisht vinte autoburgu i madh e shkarkonte të burgosur. Tej se si m’u dukën turmat e mëkatarëve politikë, ashtu të veshur njëlloj si me lëkura të rrjepura mali, ngjyrë dheu apo të ndara me vija si vraga të zeza të rrahjeve të shkopit të gomës, ku herë hijëzohej përroi infernal e herë rruga diktatoriale. Gjithë ai pikëllim i shpërndarë njëlloj nëpër ato qenie prej resh, padurueshmërisht prej resh. Po unë, kur të më flakin mes tyre, a do t’i njoh ndonjëherë nga pas këta njerëz që veç treten, treten te njëri-tjetri në këtë oborr absurd, ku s’ka asnjë fije bari, as një gur, por shkretim të shkelur nga këmbët e njësimit me absolut.
A do ta gjej dot ndonjëherë ç’emra kanë këta kurrize me gunga enigmash, do të aftësohem vallë të dalloj shpinën e njërit nga shpina e muzgut, atë të fatalitetit nga ajo e zhgënjimit të përhershëm, të çmendurisë nga e mizorisë, shpinën e frikës nga ajo e hallit, shpinën e mikut nga ajo e hijes time? Turma është e frikshme, është dhe s’është më njeriu brenda saj.
O Zot! Të mërmërisësh dhe atje ku Zoti është i ndaluar. Tërë këta të burgosur, tmerrësisht të vërtetë, prej vitesh e vitesh, prej shekujsh dëshpërimisht të vërtetë e të tharë, a qeshin ndonjëherë?
Rruget e ferrit - Fragment VII
Ra një çangë. U ndërpre gjithçka sikur t’u kishte rënë përsipër shkopi çudibërës i përrallave, i krahasueshëm veç me shkopin e diktaturave. Më erdhi keq për ata që po losnin shah, të përqendruar mbi lojën e më të dëgjuar çangën, s’guxuan të bëjnë as dhe një lëvizje më tepër (një minator i moshuar, që s’dihej pse kishte aq ftohtë nga duart dhe i mbante të futura në çorape, dukej sikur loste shah me putra). Te berberania ndodhi komedia: ra çanga, berberët flakën brisqet dhe ata që i zuri duke u rruar, dolën gjysmë të parruar e me shkumë. Ku? Ku shkohet kështu mbas pune, në ç’punë?
-Në lexim – më tha Bajo.
-Ashtu?!
-Papunësia këtej nga menca! – u dëgjua një thirrje. (Janë gjithë të paaftët për në minierë, të moshuarit dhe ata që s’kanë moshën e duhur më tha Bajo) – të tjerët te sheshi lart!
Brigadat e burgosura të punës mbushën vendin, u dha komanda dhe u ulën përdhe, gjuri i njërit rëndonte te kurrizi i tjetrit, hoqën kapelet, të pista dhe të rrjepura, në shumicë të bëra me copa çarçafësh. Fushëtirë kokash të qethura dhe gjymtyrë të mbledhura si rrënjë. Një i burgosur doli në krye, te vendi më i ngritur dhe hapi një vepër të kuqe të Enver Hoxhës, pikërisht atje ku e kishte lënë një ditë më parë dhe me zë monoton, serioz, nisi të lexonte sharjet prej hetuesi që diktatori shqiptar u bënte imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik si dhe shërbëtorëve të tyre Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, etj. Sharja kërkonte kontinente të tjerë, shkoi në Izrael, në Kinë e deri në Australi (gjithë marrëdhënia a lidhja me botën e diplomacisë së Shqipërisë së re kjo ishte, sharja) dhe pastaj u kthye te të vetët, shau e shau tradhtarë e agjentë, i shkuli nga historia e Byroja e tij politike, ashtu siç ishin, të masakruar, me kafkat plot me vrima plumbash. Ndëkohë 3-4 kujdestarë të burgosur endeshin vigjilentë për të parë se mos dikush mes nesh, robërve, guxonte dhe dremiste. Sa do i lodhur të ishe, sytë, gjithsesi, nuk duhej t’i mbyllje kur lexohej Enver Hoxha. Qetësi e keqe që prishej nga kolla e të burgosurve dhe nga britmat e përtej telave me gjemba: “Ndal!...Kush kalon?”, aq sa mua, të porsa ardhurit e hutuar dhe të tromaksur, më dukej sikur thërriste vetë Enveri nga brënda librit të tij. Dikë e shkundën fort nga supet pranë meje:
-Ej, dëgjo leximin! Apo s’ke nevojë të riedukohesh ti? – shpotitën.
-Kam nevojë për gjumë.
Ra çanga e mbarimit e çuditërisht ai që lexonte nuk e mbaroi fjalinë, por mbylli librin si automat dhe gjithë të ulurit më këmbë duke u çmpirë dhe shkundur, duke kollitur e pështyrë, vazhduan bisedat ku i kishin ndërprerë dhe me zhurmë nisi shpërndarja. Vura re prapë se një pjesë ishin me rrobat klasike të të burgosurit, vija-vija si turmë zebrash dhe të tjerë me rrobat kafe sikur të kishin dalë nga poshtë dheut.
-Pse ky ndryshim në veshje? – pyeta Bajon.
-Ato me vija na i jep komanda këtu, kafet i jep miniera. Jemi të lirë të veshim kë të duam nga dy kostumet tona. Edhe në vdekje. Ngjarje tjetër s’ka.
Rruget e ferrit - Fragment VIII
-Pagëzova vendet me emra. Sheshin e madh e quajta “Uitman”, çezmat poshtë “Shatërvanët e Eseninit”, depoja e ushqimeve “Balzak”, shkallët e mëdha “Kadare”, magazinën e veshjeve “Xhek London”, plepi “Naim Frashëri”, infermierja “Frojd”, zyra teknike “Franc Kafka”, kuzhinën private “Zjarret e Prometeut të burgosur”, taraca e apelit “Internacional”,
-Haajdee, AaappppeEeeliiiliiiii! – u dëgjua e fortë dhe e valëzuar britma e minotaurit tellall. Jo, e minoritarit...Eh, mitologji greke, si jemi katandisur!...Dhe unë, me 1000 vetvetet e mia, u drejtuam për te...
-Sheshi “Internacional” – bëri shaka Bajo – sapo e pagëzuam. Po rreshtoheshim, njëri pas tjetrit. Para gjeje përsëri veten tënde, edhe pas, anash, vetja jote kudo dhe asgjëkundi, do ta numëronin përsëri, prapë, sërish, 1000 herë dhe, nëse njëri nga policët do të gabonte, mua më dolën 999 copë të burogsur, do të thosh, ç’u bë njëri, do të rreshtoheshim për të përsëritur apelin. Sa të dolën ty? Tamam, po ty? Një tepër, 1001, mos ke numëruar dhe veten, do të pyeste oficeri i rojes dhe do të urdhëronte “apel”. Të ketë hyrë ndonjë fshehurazi? Edhe një orë tjetër rrjesht, unë pas vetes time, para vetes, mes vetveteve, kështu që në vitin e parë të Krishtit e deri kur nuk do të kishte më luftë klasash, në fund të kohës, në komunizëm, që vononte e vononte përjetësisht. Si çdo gjë e pamundur.