Letërsia Shqiptare

Rruget e ferrit - Fragment II
E shtune, 23-06-2007, 03:51pm (GMT)

Ç’hall i madh dhe i vjetër qënkësh të shkruarit. Një masakër për jetë a vdekje. Që vdekja të vdesë në jetë e jeta të jetojë në vdekje.
Ishte e pesta herë që hetuesi më merrte në pyetje gjatë kësaj nate. Më kthenin në qeli, më linin pak, aq sa mendohej se do më kishte zënë gjumi, dhe një çizme te koka më godiste lehtë. Ishin minjtë që më çukisnin. Pastaj vërtet maja e çizmes së policit. Çohu! Trupi më mbetej këtej në gjumë e kokën ma merrnin dhe ja çonin hetuesit. Një herë thashë të çoj trupiin dhe të mbaj kokën të shplodhet, jo, jo, duam kokën, thanë ata, të dyja, të dyja, e vendosi hetuesi herën e pestë, afër mëngjezit.
-Meqënëse ti je armik dhe e kupton më mirë se ne – vazhdoi ai, seriozisht i pagjumë, - duam të na komentosh se ç’do të thotë Ismail Kadare në romanin e tij „Dimri i madh“ me atë skenën kur ai malësori zbret nga Bjeshkët e Nemura e do që të takojë Enver Hoxhën në Tiranë dhe roja me automatik e ndal ashpër, ndërsa binte shi?
Shkrofëtiva për t’u bërë esëll. Pa u menduar do të doja të përgjigjesha se ju, zoti hetues, vetë po thoni, ashtu siç porosit Partia, se ka armiq, të jashtëm dhe të brendshëm, dhe udhëheqësi i popullit mbrohet nga vetë populli i tij, që në roman përfaqësohet nga vetë ushtari. Ushtarët janë bij të popullit tonë trim dhe liridashës. Ajo arma në duar e tij simbolizon, jo, jo nuk simbolizon, s’jemi në simbolizëm këtu, e di që është e ndaluar, por tipizon, është tipikja, vetë vigjilenca revolucionare, diktatura e proletariatit, që nuk tërhiqet as në shi e furtunë. Unë kurrë s'do t’ju them se edhe ne variantin e dytë të romanit „Dimri i vetmise së madhe“ që ju e kritikuat, Enver Hoxha më duket si ata dikatorët e amerikës Latine, i rrethuar me gardë të armatosur deri në dhëmbë, i veçuar dhe jo „gju më gju me popullin“ siç thotë ai vetë dhe ju i mbani ison, etj. etj. Dhe ajo mbledhja e 81 partive në Moskë ku Enveri juaj shkëlqen, Kadare e ka përshkruar si një masakër komuniste, unë kështu e shoh, jo sepse jam armik, por kështu mundem, kështu më del. Edhe iluzionistin më të ndershëm e bën të mendohet dhe të vuajë nga ai llahtar absurd të komunistëve në atë internacionale dinozaurish. Përse Besniku, përkthyesi i Enver Hoxhës, protagonisti i romanit, bëhet i heshtur kur kthehet nga Moska? Pëson zhgënjimin më të madh, sa harron dhe të fejuarën dhe ndahen. Shkak është ajo mbledhje e 81 përbindshave gjithë kthetra, dhëmbë e citate të llahtarshëm. E ne tash e mbrapa do të bënim jetë ushtarësh të varfër si në rrethim. Atdheu do të bëhej kazermë, çmendinë a burg. Parandjehet. Ç’shtet jeni ju kur detyroni një mësues fshati, të arrestuar, t’i japë Policisë Politike Sekrete opinione për Shkrimtarin më të madh të vendit. S’di shteti të mendojë? „Dimrin e vetmisë së madhe“ epati ndër duar e gjithë Shqipëria, kudo nëpër shtëpira, biblioteka, shkolla, në tren. Dhe sa më komunist ortodoks të ishe, aq më shumë nuk e pëlqeje atë roman. Nuk e kam librin këtu, po egjej në ç’faqe është, shih ç’shkruan pak a shumë: në socializëm zhvillohet një luftë e egër dhe e papajtueshme mes të aftëve dhe të paaftëve. (Pra jo lufta e klasave). Dhe ata që lodhen të parët janë të aftët. Ja sistemi juaj, ja u ka thënë fare qartë, ç’doni nga mua? Kjo është ulëritëse. Të paaftët bëjnë përpjetë, atje ku është Partia dhe Enver Hoxha. Ai, diktatori, vërtet përshkruhet monumentalisht në roman, por unë e sho me frikë, se ai është vërtet si statujat, bosh nga brënda, pa argument. Ç’absurditet dhe sa tragjike të vuajë një popull i tërë nga që Enver Hoxha kundërshton Hrushovin, sepse do të rrijë në krye patjetër, me çdo çmim. Dhe gjoja grinden për doktrinën e Stalinit. Pas kësaj vendi shkon më keq, sakatoset, u vranë bijtë më të mirë. Prej tyre jam arrestuar edhe unë. Ç’duan të bëjnë me Kadarenë? Mirë Atij nuk i besokan, por ata s’i besojnë as vetes, por u përgjërohen dhunërisht një të pranguari të uritur dhe të trembur, që pret me ankth gjyqin për ta dënuar? Dhe prandaj e kanë rrëmbyer, e mbajnë mbyllur dhe e torturojnë vetëm e vetëm për ta hedhur në humnerat e nërgjegjes kolektive, në subkoshiencë e delir, që të zbulojnë pjesët e ajzbergut nën oqeanin e dhunës dhe të gjakut?
- Por kur funerali i plakës Nurihan, përfaqësuese e klasave të përmbysura te ne – po mbante shenime djallëzisht inkuizitori im, ë ndesh me veturat e Ambasadës sovjetike që po largohen përgjithmonë nga vendi ynë pas prishjes...arkivol i zi, veturë e zezë...? E?...Si, si? Vdekja pret në të ardhmen për të qortuar...kë? Të sotmen. S’të kuptova. Dhe tij je ndikuar nga Kadareja, por nga gabimet e tij si shkrimtar që Partia i ka kritikuar vazhdimisht.
Në qeli mendova se do të qetësohesha disi, por u bëra më keq. S’më linin të shplodhesha, të shtrihesha drejt e mbi dërrasa, sepse bataniet m’i kishte hequr hetuesi si ndëshkim. Përse më kannë arrestuar, për fajet e mia apo të të tjerëve, mërmërita. Rrobat më qenë shqyer edhe më, ndoshta dhe mishi, duhej të më dukeshin brinjët. Aq pis dhe me pluhur isha bërë sa po më dukej se po i rikthehesha baltës, prej së cilës qemë bërë. Jeta jote tani po fillon nga kjo karrige hetuesie tani, më kishte thënë hetuesi. Jo nga djepi? pyeta unë. Jo, tha ai i sigurtë. E di, thashë. Këta prishin gjithçka te njeriu, të ardhmen s’e lënë të vijë, të kaluarën e masakrojnë. Mu nëpërmend, megjithëse s’doja të kujtoja më, në djall të gjitha, që „Dimrin e Vetmisë së Madhe“ e kisha lexuar vetëm natën si një kob të mrekullueshëm. E dinin këtë gjë? Duhej ta dinte hetuesi? Pa dalë ende librarive, një studnet në dhomë me mua, që kishte kultin e shokut dhe të librit, Kujtim Dashi, s’di si e mori, nëpërmjet një të njohure në kryeqytet, andej nga stabilimenti i shtypshkronjave dhe nga padurimi, ndërsa ai e lexonte ditën, unë e merrja natën, gjithë natën. Pastaj dremisja në auditor, gjatë leksioneve të mërzitshëm për realizmin socialist. Kur erdhi një Sekretar i Parë e desh të takonte studentët e rrethit të tij, s’di të ç’rrethi, por që mungon në Ferrin e Dantes, shefi ja paraqiste një e nga një duke dhënë dhe ndonjë karakteristikë, ky student është kështu, ky student është ashtu, i mirë, por...ka një të keqe, pëlqen Kadarenë. O Zot, shpëtomë nga këto marrëzira! Dhe këtu më duhet t’i kujtoj. Të paktën tani jo më! Qe bërë Pleniumi IV dhe „Dimri...“ ishte ndaluar. Do ta njohësh tjetrin, thoshim në mes nesh, shih ç’qëndrim mban ndaj veprës së Kadaresë. Ai na mësoi të lexojmë, kisha thënë në një debat me studentë të Tiranës. Ç’bën ai tani? Ç’po shkruan në studion e tij të mesnatës, tani, në këtë orë, ndërsa larg, shumë larg, pas malesh e malesh, në një qytet të vogël verior, që s’paskësh qenë dhe aq shaka, kur e quanim njëri tjetrin „Kuksburg“, nënëdhè, një ia rrestuar rreket, me shpirt ndër dhëmbë, se si ta mbrojë, sado pak. Kurrë s’i kisha përfytyruar lidhjet e mia me të kështu. Endërroja takime. Ah, mjaft! Po luaj mëndsh. Kupto ku je? Më mirë e kundërta. So ta shihni Kadarenë ku do të përfundojë, thërriste ndonjë pedagog-shkrimtar korridoreve...të birucave.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.