Letërsia Shqiptare

Rruget e ferrit - Fragment I
E shtune, 23-06-2007, 03:52pm (GMT)

Në burg, për çudi, kishim dhe libra, të vërtetë, por dhe të pazakonshëm, që së bashku bënim një (anti)jetë prej letrash e të dënuarish, një përzjerje e dobësisë me dhunën. Të dënohesh për shkrime e shkrimet ta vuajnë këtë shkak, dënimi të jetë hedhur mbi letër e letra të tjera të mbartin prangat e njeriut, pastaj të shkëmbesh vëndet dhe shpirtrat me heronjtë, të lexosh, më i zbehtë se fletët, ti fantazmë dhe libri fantazmë e me gishtat që drishen, të lësh njolla të errëta mbi fjalët e shtypura, ngaqë ne, kur dalim nga nëntoka, (turmë e leckosur vdekagjallësh), asgjë nuk na lan dot. Asnjëherë. Se dheu i burgut ka përfshirë gjithë trupin e jetës, që nga vijat e fatit e deri te idealet dhe, ashtu si me minjtë e sëmurë apo me urdhërat e shtetit, përhapet nëpërkudo mjerimi i tij memec. Por unë do të doja të rrëfeja për librat këtu, për hir të një të vërtete, edhe pse e lemerishme. Si i ndëshkojnë, si marrin shenjtërinë e ikonave të fshehura, ribërjen e librave, hapjen e tyre ndryshe, ja ashtu si qelitë, dyshemetë e të cilave i mbushin me ujrat e ferrit e përsipër pluskojnë gjethe dhe degë të kalbura të rënkimeve tona. Eshtë e pamundur të mos shtangësh para martirizimit të njerëzve të letrave, të atyre, që krijojnë dhe atyre që lexojnë, të dënueshëm njëkohësisht, që ngarkohen me atë peshë si me gurët e Sizifit minierave të burgut, ndërsa djajtë vazhdojnë t’i përndjekin shkrimet, i gjykojnë, i gjymtojnë, u hapin plagë të mëdha, shpesh pa lindur ende. Duan t’i zhbëjnë. Betejat, por edhe humbjet, nuk mun të shmangen. Dhe unë jam spërkatur me gjak librash të vrarë. Dëshmia që po shkruaj si ai skllavi i mbërthyer para një kompjuteri të ëndërrt, (me ekranin të zbrazët plot verbëri homerike dhe gjithçka më shfaqet e gërryer mbi rrasa të lashta, nëpër pergamenë epokash, po, po mbi lëkurën time të shqyer), ky rrëfim pra, nëse do të bëhej njëri nga ata lumenj, sipas bestytnisë, do të dëshëroja të kundërtën e çdo shkrimtari: qoftë Lumi Lete, dua të them, të harrohet, harrojeni sa më parë! I dëgjoi krrokamat e hekurta të portave pambarim të burgut, të cilat gjitmonë i hapim ne me vetet tona të tjera e na shtyjnë brenda të tjerë, që jemi po vetë ne? Unë ika. I çmendur. Nga pas nuk dua asnjë vdekatar.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.