 |
| Visar Zhiti |
Visar Zhiti u lind më 2 dhjetor 1952 në Durrës dhe u rrit në Lushnjë, ku kreu edhe gjimnazin. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Shkodrës e disa vite punoi në Kukës si mësues. 1973 provon të botojë dorëshkrimin poetik Rapsodia e jetës së trëndafilave, botim që s'u jetësua dot, pasi dorëshkrimi interpretohet nga redaktorët e shtëpisë botuese shtetërore si "shtrembërim i realitetit socialist". Mjaftoi vetëm kaq, për ta dënuar pastaj më 1980 me 10 vite burg. Pas lirimit ka botuar disa vëllime poetike, ku mund të përmendim: Kujtesa e ajrit - Tiranë 1993, Hedh një kafkë te këmbët tuaja - Tiranë 1994, Mbjellja e vetëtimave - Shkup 1994, Dyert e gjalla - Tiranë 1995, Si shkohet në Kosovë - Tiranë 2000. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.
Zhiti, familje e deklasuar
Visari u lind në vitin 1952 në qytetin e Durrësit, ku familja e tij banonte në një cep magazine të braktisur në rrënojat e ndërrmarrrjes hekurudhore, pasi babai i tij Hekuran Zhiti me profesion mësues, ishte dëbuar nga qyteti i Beratit si i padëshirueshëm për regjimin, pasi në vitin 1947 ishte dënuar me burg politik si armik i popullit dhe partisë, së bashku me njërin nga vëllezërit e tij i cili vdiq në tortura gjatë hetuesisë. Pas shumë kërkesave dhe me ndihmën e disa të afërme, aty nga fillimi i viteve 60-të, më në fund Hekuran Zhitit i dhanë të drejtën që të punonte si mësues në fshatrat e Myzeqesë. Aty në qytetin e Lushnjes ku u vendos familja e tij, Visari mbaroi dhe shkollën e mesme me rezultate shumë të mira. I dhënë i tëri pas librave, kur nuk ishte më shumë se 13 vjeç, ai filloi të shkruante poezitë e para, por për të botuar do të duheshin edhe disa vjet të tjera, kur mësuesi i letërsisë Faslli Haliti, mundi që ti botonte një poezi të vetme në revistën "Nëntori". Ndonëse dy vëllezërve që ishin më të mëdhej se Visari, nuk ju ishte dhënë e drejta për të vazhduar studimet e larta, aty nga viti 1972 në kuadrin e një liberalizimi të jetës politiko-shoqërore, ose më saktë në një depresion të luftës së klasave që ndodhi në fillimin e viteve 70-të, Visar mundi që të përfitonte një të drejtë studimi për të vazhduar Fakultetin në qytetin e Shkodrës, në degën Gjuhë -Letërsi. I dhënë marrëzisht pas poezisë, edhe gjatë viteve të fakultetit, Visari nuk ju nda asaj dhe së bashku me dy shokët e tij Agim Spahiu e Simon Vrusho drejtonin rrethin letrar të shkollës. Asokohe ndodhte që jo rrallë, poezitë e tija t`ja grisnin nga stenda letrare dhe të thërritej në Katedër nga ana e sekretarit të partisë së Fakultetit, për arsye se "poezia e tij nuk ishte në binarë".
Peripecitë e librit të parë
Ndonëse pati disa probleme të vogla me poezitë që vendoseshin në stendën e fakultetit, asokohe Visarit ju botuan dy tre cikle me poezi në revistën letrare "Nëntori" dhe gazetën "Drita". Pas këtij suksesi, (siç konsiderohej asokohe për çdo letrar të ri botimi i një cikli me poezi) Visari mblodhi disa nga poezitë e tija më të mira dhe i përmblodhi ato në një libër, të cilin e dorzoi në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", redaktorët e së cilës e mirëpritën dhe e miratuan për botim. Ëndërra e poetit të ri Zhiti, për botimin e një libri me poezi, nuk ishte e thënë që të bëhej realitet, për arsye se në atë kohë u mbajt Pleniumi i IV-të i K.Q. të PPSH-së, ku u dënua dhe u godit liberalizmi në Art e Kulturë. Pas këtij Pleniumi, u bllokun shumë libra që ishin botuar dhe u ndalua shpërndarja e tyre, siç ishin libri i Fatos Arapit "Më jepni një emër", i Petro Markos në prozë e poezi etj. Përveç shumë librave që u ndaluan, asokohe u dërguan për rishikim dhe shumë të tjerë që prisnin botimin për tu riparë nga redaktorët e komisjonet përkatëse. Në atë proçes që filloi në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", libri i Visarit u quajt "me të meta ideore dhe me ndikim nga poezia dekadente". Mbas diplomimit në degën e Gjuhë-Letërsisë në fakultetin e Shkodrës, Visari u emërua si mësues në fshatin e largët malor Vilë, që ndodhet në mes Kukësit e Peshkopisë. Edhe pse nuk mundi ta botonte dot librin e parë me poezi, ai vazhdoi të shkruante përsëri dhe arriti që të botonte disa cikle të tjera me poezi në "Nëntori" dhe "Drita", me ndihmën e Xhevair Spahiut, Bardhyl Londos e Zija Çelës të cilët e vlersonin talentin e tij. Pas botimit të këtyre cikleve, ai përgatiti dhe dorzoi për botim dy libra të tjerë të cilat i titulloi "Mermeri i ditëve tona" e "Dhe kjo është jeta ime".
Arrestimi më 8 nëntor 1979
Pas interesimit për botimin e tyre, përgjigjiet nga shtëpia botuese "Naim Frashër" filluan t` i vinin gjithnjë e më të ashpëra. I dezilizionuar pa masë nga kjo gjë, ai i shkroi një letër Dritëro Agollit që asokohe ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Agolli në përgjigjien që i ktheu, ja vlersonte poezinë e tij dhe i jepte kurajo për të shkruar përsëri, por pa kaluar as një vit nga ajo letër, më 8 nëntor 1979, atë e arrestuan. Arrestimi i tij u bë në mes të ditës në qendër të qytetit të Kukësit, teksa ishte duke biseduar me regjizorin e Teatrit të Kukullave, për t` i shkruar një skenar. Në atë kohë që ndodhi arrestimi, Visari kishte plot pesë vjet që jepte mësim në fshatin e largët Vilë, ku banorët e tij kishin një respekt të jashtëzakonshëm dhe për çdo gëzim, atë e vinin në krye të oxhakut. Sapo në atë fshat u hap lajmi që ishte arrestuar mësuesi, disa pleq të vjetër të prekur rëndë në sedër nga ajo që kishte ndodhur, zbritën në qytetin e Kukësit duke bërë rreth pesë orë në këmbë dhe morën takim me Kryetarin e Degës së Brendëshme. Ata i kërkuan atij arsyet e arrestimit dhe i dolën garant se Visari ishte i pafajshëm. Atë veprim e bënë, për të shfajsuar fshatin e për ta liruar atë nga turpi, që nuk kishte gisht në spiunimin që i ishte bërë mësuesit të tyre. Pas arrestimit, Visarit i bënë dhe dy kontrolle: një në dhomën e tij në fshatin Vilë dhe tjetrin tek shtëpia e prindërve në Lushnje, ku i sekuestruan një valixhe me dorëshkrime (gjithsej 39 fletore) ku kishte poezi, prozë, ditare etj.
Hetuesi: fol për Kadarenë
Arrestimi i Visarit, erdhi pas denoncimit që i bënë redaktorët e libri të tij në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", që e cilësonin si armik dhe akuza ndaj tij ishte: Nxirës i realitetit kundra realizmit socialist dhe poezi me ekuivoke kundra partisë e udhëheqësit të saj". Edhe një kartolinë që ai ja kishte dërguar mikut të tij poetit Frederik Reshpeja, ju quajt armiqësore, pas aktekspertizës që i bëri një shkrimtar i njohur i asaj kohe. Për ta kopsitur mirë dosjen e tij "armiqsore", Sigurimi detyroi disa mësues, që të dëshmonin kundra kolegut të tyre të shkollës. I vetmi që nuk pranoi të dëshmonte kundër tij, ishte shkrimtari Ylli Xhaferi, që punonte mësues në Kalisë të Kukësit, i cili përkundrazi dëshmoi në favor të Visarit duke e çmuar atë si poet. Gjatë hetuesisë në birucat e Kukësit, hetuesi i cili e kishte mbështetur akakuzën në bazën e dëshmive të redaktorëve të "Naim Frashërit", në mes të tjerash i kërkoi Visarit, që ai të fliste për romanin e Kadaresë "Dimri i vetmisë së madhe". Lidhur me këtë, vetë shkrimtari i famshëm Ismail Kadare, në një nga veprat e tija (Pesha e kryqit) të botuara pas viteve 90-të, ka shkruar:" Visar Zhitit, një poeti të ri, gjatë hetuesisë i kërkonin që të komentonte romanin tim "Dimri i madh", sepse duke qenë armik, ishte i aftë që të gjente gjërat armiqsore në atë libër". Përveç akuzave që Visarit i bënin për dy librat që kishte dorzuar për botim, atë e akuzonin se kishte përkthyer nga rusishtja poezinë "Molla" të Jevtushenkos dhe lexonte poetët e tjerë dekadentë Zhak Prever, Bodler e Fishtën.
Gjygji, 10 vjet burg
Pasi kaloi nëtë muaj në hetuesi duke i provuar gati të katër stinët aty në qeli, Visari doli në gjygj aty nga mesi i prillit i vitit 1980-të. Gjygji u bë në qytetin e Kukësit me dyer të hapura dhe me ftesa, duke zgjatur për dy ditë. Visari nuk i pranoi akuzat që i bëheshin duke u shprehur:" Në letërsi gjërat janë gjithmonë subjektive dhe si të tilla ato lënë mundësi për keqinterpretime. E për këto nuk mund të quhesh armik". Pas këtyre fjalëve, prokurori e akuzoi atë se po bënte përsëri agjitacion e propagandë dhe aty në sallë. Në përfundim trupi gjykues e dënoi me dhjetë vjet burg politik dhe heqjen e të drejtës së botimit përgjithmonë kur të dilte nga burgu. Tre katër vitet e para të dënimit, Visari i vuajti në burgun e Spaçit duke punuar me tre turne nëpër galeritë e minierave të piritit. Më pas ai u dërgua në kampin e Qafë- Barit (Pukë) duke punuar në minierat e akullta të saj, që dikur specialistët sovjetikë i kishin cilësuar si të papërshtatëshme për të punuar fuqi njerzore. Edhe në ato kushte Visari gjente mundësinë për të shkruar poezi të cilat ua jepte për ti lexuar shokëve të tij, Halil Lazes, Ismail Farkës, Zydi Moravës, Maks Velos, Maks Rakipit, Astrit Xhaferit, Robert Vullkanit Valer Dyrzit etj. Gjatë afro tetë vjetëve në ato burgje, ai shkroi rreth 400 poezi duke i nxjerrë të gjitha prej andej, me anë të nënës së tij kur i vinte për takim. Po në burgun e Spaçit ai shkroi dhe një roman të vogël, i cili i humbi gjatë kontrolleve që bëheshin nga komanda e kampit.
Dalja nga burgu
Nga dhjetë vjetëshi i dënimit, Visari mundi që të fitojë me punë dhe nga amnistitë afro dy vjet, duke dalë nga burgu në vitin 1987. Atë e dërguan të punonte si punëtor në fabrikën e tullave në Lushnje, pasi i ishte hequr e drejta e profesionit të mësuesit (si ish i dënuar politik) ku punoi deri në vitin 1991, kur filluan proçeset politike. Me hapjen e të parës gazetë opozitare në Shqipëri, "Rilindja Demokratike", Visari u caktua aty si gazetar. Pas disa kohësh, ai shkoi në Itali ku bëri një stazh gazetarie në disa nga gazetat më prestigjoze si "Coriera del`a sera" etj Gjatë periudhës së qëndrimit në Itali, ai botoi artikuj të ndryshëm aty dhe në Zvicër. Pas kthimit nga Italia, ai u emërua si Drejtor i Shtëpisë Botuese "Naim Frashëri", e më pas u zgjodh si deputet i Lushnjes në Kuvendin Popullor. Pas disa kohëve, ai u emërua këshilltar për Kulturën në Ambasadën shqiptare në Itali ku punoi për tre vjet me rradhë, deri në 1997-ën.
Vlerësimi si poet
Pas daljes nga burgu, Visari vazhdoi të shkruante poezi dhe ëndërrën e tij për të botuar e bëri realitet vetëm pas viteve 1991. Që nga ajo kohë ai ka botuar tetë libra në poezi e prozë dhe tre përkthime. Ai është vlersuar mjaft si poet jo vetëm në Shqipëri ku ka fituar dy çmime, por dhe në Itali ku është fitues i gjashtë çmimeve të ndryshme. Në Itali ai është zgjedhur antar i Akademisë së Arteve të Bukura për Letërsinë dhe Shkencën "Alfonso Grassi". Poezia e tij "Elegjia e të mbyturve të Otrantos", është lexuar në RAI DUE dhe është shpërndarë si fletpalosje duke u caktuar si temë hartimi për nxënësit e shkollave. Shtypi italian e ka vlersuar mjaft poezinë e Zhitit dhe për të është shprehur personalisht poeti Mario Luzi që vlersohet më i miri në Europë (kandidat për çmimin Nobël) dhe poeti nga Milano, Franko Loi. Poezia e tij është e përkthyer dhe është futur në disa antologji poetike angleze, gjermane franceze, maqedonase, greke, izraelite, polake dhe hungareze dhe ai është ftuar në disa Festivale Ndërkombëtare poezie si në Itali, Rumnai e Strugë. Po kështu një libër poetik i Zhitit është përkthyer dhe në Rumani. Gjatë festimeve të mëdha me rastin e ardhjes së mijvjeçarit të ri, italianët i kushtuan Romës "Kryeqytetit të Përhershëm të Kulturës" disa poezi të autorëve botërorë, duke i vënë nëpër vende të ndryshme të qytetit. Kështu poezia e Janis Ricos u vendos te Koloseu, e Gëtes tek Stacioni i trenit, kurse e Visar Zhitit u vendos në "Pjaca Navona". Kohët e fundit ai është përfshirë në Enciklopedinë italiane "LA PICCOLA TRECCANI" Dizionario Enciclopedico, (Volumi XII. faqe 1077) për të cilin shkruhet: "Visar Zhiti-Poet shqiptar (Lindi në Durrës në vitin 1952) Më 1979 dënohet me dhjetë vjet burg për poezitë e tija "dekadente dhe intimiste". Përmbledhja e tij, nga "Kujtesa e ajrit" 1933 te "Dyer të gjalla" 1995 që dëshmojnë dhe vitet e burgut e zbardhëllimën e demokracisë, karakterizohen nga kërkimet stilistikore gjithë semantikë në të cilat shquhen jehonat si në hermetizimin italian dhe te poetët rusë dhe francezë".