Poker
Jemi përballë, dhe
Qesh hidhur, ironik
Kopsat e ndërgjegjes, kopsitur
Pa një rrudhë, pa një cen
Fisnik
Vetja ime përballë
Sarkastik
Shpirt-zhubrosur, por
Heroik
Kush je ti?
Kush jam unë?
Në kopshtin pragmatist
Jemi një, përballë
Me këpucë llustrafinë
Të vetëdijes
Pa taban, lidhëse-këputur
Shikohemi shterur fjale
Me thërrime buzëqeshjeje në buzë
Gishtin e dorës së majtë
Paralizuar nga pafajësia
Ngremë
Për të treguar
Njëri-tjetrin
Kostum, hekurosur
Shpirt, zhubrosur
Që dhemb!
Që therr!
Unë jam antagonizmi
Unë jam antagonizmi
Pa ndonjë stil poetik
I fshehur në vargjet e mia
Nuk gjen më kokëfortë
Cinik
Privat në mendim
Jashtë kohës filozof
Zbatica e përmbytje.
Fantazma ime mbi kanavacë
Më bën kubist
Me tre dimensione
Ju, unë dhe s’e dimë
Rehatohem atëhere
Në kolltuk
Kolltukun e ambicieve të mia
Këtu prehet poeti cinik.
Ju lutem mos më lini vetëm!
“Nuk është frikë vetmia”
Mimoza Ahmeti, thotë
Ka të drejtë, nuk është
Është kamp përqëndrimi, vetmia
Ku bie era lëtyrë
Në gavetën e pritjes
Pafkat metalike
Të këpucëve të rënda
Të zemrës
Të shqyejnë ventrikulat
Miu i tundimit skërmitet
Llamarinat e ftohta të shtratit
Të shtratit me kashtë pagjumësie
Kanë vetëm një stinë
Atëhere marrim stilolapsin
Dhe shkruajmë libra
Duke çmorritur veten tonë
Nga parazitët e pritjes.
Eksentrikë
Ne jemi
Njëri më i keq se tjetri
Të gjithë eksentrikë
Grupe filistinësh stereotipike
Të gjithë të liq
Burgosur në këtë botë fizike
Pse gjallë,
Nuk jemi kurrë të përkryer
Pse vijmë prapë,
Jemi dështakë
Me embrionin e mirësisë
Shurdhuar nga zullumi
Perëndi fëmijë të prapë
Bëjmë miliona të vuajnë
Eksentrikë
Stereotipikë
Filistinë.