Vullnet Mato
E enjte, 28-01-2010, 11:06pm (GMT+1)
 | | Vullnet Mato | Vullnet Mato, është poet dhe prozator. lindi në Sarandë në vitin 1937. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Pasi i burgosën babanë për agjitacion dhe propagandë u la disa vite pa punë. U detyrua të largohet nga Saranda në moshë të re dhe punoi kinomekanik në kinematë e sharrave Hotolisht e Stravaj e më pas në qytetin e Librazhdit. Aty mbaroi me korrespondencë Liceun Artistik të Tiranës për pikturë dhe studimet e larta në Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës në degën gjuhë-letërsi shqipe. Punoi drejtor në shtëpinë e kulturës dhe në muzeun e këtij qyteti. U pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1970. Botoi publicistikë dhe letërsi artistike në disa organe të shtypit. Bëri disa skenarë filmash dokumentarë dhe kronika të TVSH. Mori pjesë në festivalet kombëtare të Radiotelevizionit shqiptar ku fitoi disa çmime për tekstet. Dy tregime të tij u botuan në frëngjisht. Disa cikle me poezi të tij u inskenuan të recituara nga aktorë të Tetarit Popullor. Pasi u bë i njohur me krijimet e tij u tërhoq nga redaksia e Revistës "YLLI" ku u emërua redaktor. Por një vit më pas, u vërtetua mungesa e garancive të nevojshme politike dhe me urdhër nga lart e kthyen sërish në Librazhd, ku u dërgua disenjator në repartin e pikturës. Më tej, punoi mësues në gjimnazin e qytetit. Dhe në vazhdën e keqtrajtimit klasor u dërgua mësues në shkollën e mesme të fshatit Qukës. Me ndërrimin e sistemit u emërua shef në drejtorinë arsimore të këtij rrethi dhe u zgjodh kryetar i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Librazhdit. Vitet e fundit jeton e punon në Tiranë. Romani i tij "Lakmia" U nderua me çmim në konkursin e Ndërmarrjes Botuese "Gjon Buzuku" të Kosovës. I janë përkthyer jashtë shtetit tregime dhe poezi të ndryshme. Revista "ADMET" ne Greqi dhe Revista "Fjala e Lirë" në Londër kanë publikuar pjesë nga krijimtaria e tij në prozë dhe poezi. Disa nga romanet e tij janë tërhequr nga bibliotekat e mëdha të shteteve të huaj. Ka faqe të veçantë në internet me: "vullnetmato.tripod.com" Kryen detyrën e kryeredaktorit të gazetës periodike "Domosdova".
Veprat në vite
Është autor i vëllimeve poetike: "Tinguj malesh" (1969), "Krahët e erës" (1972), "Ninullat e hekurit" (1984), "Dritaret e prillit" (1994), i vëllimit me poema "Katër plagë të Shqipërisë" (1999) dhe i poemës "Nënëmadhe Fterra" (2007). Ka botuar vëllimet me tregime "E fshehta tronditëse" (1999) "Klithmat e mishit të bardhë" (2006). Romanet: "Ujësinor" (1976), "Era e kësaj kohe" (1984), "Lakmia" (2000), "Maturantët" (2002), "Damkosja e engjëjve" (2004) “ Vajza e kuçur" (2007), Marrëzia e madhe" (2008), "Matura e paharruar" (2009).
|