|
|
|
Xheladin Mjeku
E premte, 18-12-2009, 09:20pm (GMT+1)
 | | Xheladin Mjeku | Xheladin Mjeku u lind në Graboc të Epërm të Prishtinës (tash nën juridiksionin kadastral të Komunës së Kastriotit), me të mbaruar shkollën e mesme të mjeksisë, ka studiuar në Fakultetin Filologjik – Letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Poashtu ka studiuar edhe për Teknologji ushqimore. Nga viti 1982 punon në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, në Departamentin e Ekologjisë Humane në Prishtinë. Vazhdon të ushtroj aktivitetin krijues pa shkëputje prej tri dekadave në krijimtari letrare për të rritur dhe fëmijë dhe në publicistikë. Në qershor të vitit 1978 Revista letrare “Pionieri” në Prishtinë, ia botoi vjershën e parë “Qershori historik”. Prej atëherë e deri në ditët e sotme ka shkruar e botuar pothuajse në të gjitha gazetat e revistat në gjuhën shqipe, që botoheshin në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në Mal të Zi, si në: ”Pionieri”, “Rilindja”, “Jehona”, “Koha”, “Bujku”, “Shëndeti”, “Flaka e vëllazërimit”, “Shkollari”, “Fjala”, “Zëri i rinisë”, “Bota e re”, “Çlirimi”, “Zog mëngjesi”, “Iliria Post”, “Focus”, “Zëri”, “Epoka e re”, “Bota sot”, “Pavarësia”, “Kosova sot”, “Kalendari letrar”, pastaj në Gazetën “Ndryshe”, “Drita”, “Obelisku” dhe “Nacional”, në Suplementin letrar “Drita ndryshe”, etj. që dalin në Tiranë, dhe së fundi edhe në ”Tribunën sindikale” ku është i pranishëm me shkrime, analiza, editoriale dhe intervista në kontestin sindikal. Poashtu shkrimet e tij janë publikuar edhe nëpër shumë faqe interneti që botojnë krijimtari letrare dhe publicistike në gjuhën shqipe, si në Web-faqet “Albacenter.it”, “Krizantem.com”, “Agimi.com”, “Tribunashqiptare.com”, “Kosova-Albemigrant.com”, “Gazetashkodra.com”, “Dritapelegrin.blogspot.com”, “Zemrashqiptare.net”, “Merbraha.com”, “Skenderajonline.com”, etj. Është fitues i disa shpërblimeve letrare, si: për tregim në konkursin letrar të revistës “Jehona” të Shkupit, pastaj për poezi në Manifestimin tradicional “Sofra poetike -Ymer Elshani” të Drenasit; poashtu ka edhe disa shpërblime nëpër konkurse letrare të gazetave dhe revistave në Kosovë dhe një çmim për cikël poezish në web-faqen “Albacenter.it”. Pak para mbylljes nga serbosllavët, Radiotelevizioni i Prishtinës ia transmetoi Poemën për fëmijë “Gjerdan maji”, e cila konsiderohet si e zhdukur s’bashku me të gjitha librat, dorëshkrimet, materiale të botuara në shumë gazeta dhe revista, e që konsiderohet se ishin mbi dyqind njësi, të cilat i përpinë flakët në luftën e vitin 1999. Është bashkautor i Përmbledhjes së poezive “Prelud poetik”, botuar më 1997; Ëështë prezantuar në përmbledhjen poetike prej 101 autorësh “Zhbërja e ikjes”, kushtuar shkrimtarit të mirënjohur Rifat Kukaj, në përvjetorin e vdekjes së tij. Është prezantuar edhe në librin me publicistikë dhe kritika letrare “ Hijet e thyera”, të botuar më 2008; Në monografinë “Një luftë më ndryshe”, që i kushtohet përvjetorit të aktiviteteve të Shërbimit shëndetësor “ Nëna Terezë”, etj. Është angazhuar në një rol episodik në serialin televiziv “Brenda drejtësisë”, që e realizoi Radiotelevizioni i Kosovës, në vitin 2009. Përmbledhja e poezive “Mëkatet e Orfeut”, dhe Libri me tregime për fëmijë “Nëna e lirisë” janë në proces botimi.
|
|
|
 |
::| Krijimet e Fundit |
 |
|
|
|
|
|
|
 |
 |
::| Speciale |
 |
|
|
|
|
|
 |
|
 |
|