* ( Për t’iu përgjigjur Frosinës )
Ke më shumë se dyqind vjet që na pyet,
Ke më shumë se dyqind vjet që thërret:
“ Jati, jati?! “-klithma jote-...
Përse, o njerëz!?...
Përgjigjen nga ju e pres:
Çfarë i paskam bërë kësaj bote,
Përse, duhet të vdes?!... “
Ti u mbyte në Gjol, -legjenda tregonte:
Pashai u përlot e iu fal atij vendi, i pikëlluar:
Hiret e tua dhe bukuria të shënjtëronte,
E këtë humbje, me tërë humbjet Ai e pat peshuar.
Si mund t’i mbyteshin kështu thesaret Vezirit?!
Mjekërra e badhë i dridhej
prej dhimbjes,
prej tërbimit.
“Këtu, të hidhni njëqind thasë me sheqer:
të ëmbëlsohet vendi,
e Bota Asaj t’i bëjnë nder!...”
Kështu ikët të dy, pa shumë fjalë, moj Frosinë,
Ti me hiret e me bukurinë,
Ai, me egërisinë e me madhështinë...
Dhe hytë në legjendën e dhimbjes të dy:
Ai Pasha i Janinës,
Ti, hyjni e virtytit,
e kryebukuri.
Ke më shumë se dyqind vjet
që na pyet, e na pyet:
Po kush e di përgjigjen tënde, vërtet?!
Nuk ta kthejmë dot përgjigjen, jo,
moj Frosinë.
Ti vazhdon e pyet:”përse e përse?”
Po ju jini larg e çdo gjë mbeti enigmë:
Aliu –bubullimë e vetëtimë,
Ti,
mbështjellë, me bardhësi lart, mbi një re.
........
Buzë Gjolit,
në mermer klithma jote:
“jati!?”...
Shpirtrat e njerzve i trazon si një magji.
Vjen e do të shkojë ajo në tërë breza që vinë.
Kush do të ta japë përgjigjen, s’e dimë...
Mos të vrau Bukuria, o motra Frosinë?!..
(cikli: “Janinë c`të panë sytë”)
* Frosina nuk iu bind Aliut dhe u mbyt në Liqenin e Janinës.Te ai vend, në breg të Liqenit, është përjetuat figura e saj në një vepër arti.Ajo nxjerr dorën nga ujërat dhe shkruan mbi mermer: ”j a t i ?!”= përse?”