Letërsia Shqiptare

Jati?! = Përse?!
E merkure, 08-08-2007, 09:28pm (GMT)

* ( Për t’iu përgjigjur Frosinës )

Ke më shumë se dyqind vjet që na pyet,
Ke më shumë se dyqind vjet që thërret:
“ Jati, jati?! “-klithma jote-...
Përse, o njerëz!?...
Përgjigjen nga ju e pres:
Çfarë i paskam bërë kësaj bote,
Përse, duhet të vdes?!... “

Ti u mbyte në Gjol, -legjenda tregonte:
Pashai u përlot e iu fal atij vendi, i pikëlluar:
Hiret e tua dhe bukuria të shënjtëronte,
E këtë humbje, me tërë humbjet Ai e pat peshuar.
Si mund t’i mbyteshin kështu thesaret Vezirit?!
Mjekërra e badhë i dridhej
           prej dhimbjes,
           prej tërbimit.

“Këtu, të hidhni njëqind thasë me sheqer:
të ëmbëlsohet vendi,
       e Bota Asaj t’i bëjnë nder!...”

Kështu ikët të dy, pa shumë fjalë, moj Frosinë,
Ti me hiret e me bukurinë,
Ai, me egërisinë e me madhështinë...
Dhe hytë në legjendën e dhimbjes të dy:
Ai Pasha i Janinës,
       Ti, hyjni e virtytit,
         e kryebukuri.
Ke më shumë se dyqind vjet
        që na pyet, e na pyet:
Po kush e di përgjigjen tënde, vërtet?!

Nuk ta kthejmë dot përgjigjen, jo,
 moj Frosinë.
Ti vazhdon e pyet:”përse e përse?”
Po ju jini larg e çdo gjë mbeti enigmë:
Aliu –bubullimë e vetëtimë,
Ti,
mbështjellë, me bardhësi lart, mbi një re.
........
Buzë Gjolit,
      në mermer klithma jote:
             “jati!?”...
Shpirtrat e njerzve i trazon si një magji.

Vjen e do të shkojë ajo në tërë breza që vinë.
Kush do të ta japë përgjigjen, s’e dimë...
Mos të vrau Bukuria, o motra Frosinë?!..                                                     

(cikli: “Janinë c`të panë sytë”)
* Frosina nuk iu bind Aliut dhe u mbyt në Liqenin e Janinës.Te ai vend, në breg të Liqenit, është përjetuat figura e saj në një vepër arti.Ajo nxjerr dorën nga ujërat dhe shkruan mbi mermer:  ”j a t i ?!”= përse?”
                                           



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.