Letërsia Shqiptare

...pranë Dodonës
E merkure, 08-08-2007, 09:30pm (GMT)

Çamëri:
Kaq mjegull të kanë hedhur përsipër
e nuk mund të të shoh mirë:
Të kam përballë e copa-copa të gjej:
Një copë këtu e një tjetër andej.
Ç’u bë dielli yt 100 e ca vjet?!...
Në sa copëza u thërmua që çamët e morën me vete?
Kam ardhur të të shoh,
e t’i falem edhe një herë Dodonës për ty.1)
Plagë e pambyllur që rrjedh
nga zemrat e nga sytë.

Çamëri,
siç mban midhja margaritarin brenda zemrës,
Orakullin e Dodonës ende
brenda zemrës tënde e mban dhe ti.
Ç’thotë Orakulli i famshëm?...
Nuk parashikon më profeci?!
Flijimet që i ke bërë ti vatrës tënde
i kapërcejnë flijimet e Perëndisë.
Ç’bën ai Orakul, pse hesht!!...
Mos edhe ai vetë
    është bërë fli e lakmisë!!
Folë, Orakull i Dodonës!
Çamëria
dëshmitar më hyjnor s’mund të ketë.
Froni i lartë i Baba Tomorrit rron e flet.
E bija e tij, Dodona, ka shekuj që hesht...
Kush arrin të mbyllë gojët e Orakujve,
genin hyjnor s’mund ta ketë.
Folë, Dodonë!
Të iki mjegulla e dielli të ngrohë pjesën e vet.



Powered by SoSo News Express Pro 2.1.1
Copyright © 2005-2007 by SoSoVN.com. All rights reserved.