( Bajames së Kutalit që lulëzonte
në muajin shkurt. Ajo ka vite që ka vdekur.)
Bajame që i shfaqes botës me lule të bardha,
Kur mbi degëza copëza bore, ende ke:
Ç’bën kështu?!
Ti e para!
Shoqet e tua, ku i le?!
Ato dridhen nga thëllimet e fundshkurtit,
ti çel lule, moj bajame!
Vini të dy me bardhësi:
Shkurti me dëborë, ti me lulësi.
Kjo lulësia e bardhësia jote shkrepëtit,
i hap sytë botës, që dremit.
Në portat e zemrave tona pranvera troket,
“ Erdha, -thotë ajo, -erdha shpejt!”
Bajame, moj që kaq shpejt lulëzon,
Më gëzon, më mundon, më tundon.
Ky lulëzim i beftë, puthjet e zemrave ndez,
Ndonëse tërë ajo lulësi, shkrin e me borën vdes.
S’arrite kurrë të bëhesh nënë,
Veç ca ditë nuse:
Nuse, që merr nga të gjithë,
( jo vetëm nga çapkënët ),
mijëra e mijëra përqafime e puthje.
Bajame, që s’e ndjeve një herë mëmësinë,
Përherë mbete një adoleshente e pabindur,
Që e para shkopsit gjoksin
e i shfaq botës bardhësinë.
Kush ta ndezi këtë shpirt lulëzimi?!
Dashuria, bukuria, apo padurimi?!
Apo do që e para të shfaqesh,
si nuse e re
e kurrë të mos plakesh?!
Poshtë fshatit,
ndanë rrugës së madhe,
Tërë jetën s’të ndava e s’më ndave.
cikli “Përmallim”
* alegorikisht, bajamja shpreh marëdheniet e autorit me poezinë.